Nga kjo e martë, të gjithë qytetarët në të gjithë vendin mund të lëvizin në ambjente të jashtme pa maska. Ky vendim vjen pas muajsh të tërë pandemie dhe duket se më fund shqiptarët janë të lirë të lëvizin pa frikën e një gjobe.
Por në 7 muaj pandemi, pas faljes që qeveria bëri për shkeljet e akteve normative, nga tetori deri në fund të majit, janë rreth 91 mijë qytetarë që u ndëshkruan me gjoba me vlerë 3 mijë lekë të reja për mosmbajtjen e maskës.
Fluksi më i madh i gjobave ka qenë në muajt e pikut të pandemisë, ndërsa në javët e fundit, me uljen e shifrave të infeksioneve ka patur më pak. E përkthyer në vlerë monetare, strukturat përgjegjëse, vetëm prej maskave duhet të vjelin 273 milionë lekë të reja. Kjo detyrë i është ngarkuar Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Por edhe tashmë që maska nuk është më një detyrim, nga një vëzhgim i Report Tv, një pjesë e qytetarëve akoma vazhdojnë të mbajnë maskën.
“E mbaj maskën akoma. Patjetër do e mbaj. Është kthyer në kulturë tashmë. Unë e di që ka akoma njerëz të infektuar, për këtë arsye akoma duhet mbajtur, të paktën edhe pak.” – thonë qytetarët.
Të tjerë shtojnë se kishte ardhur koha që maska t’i përkas së kaluarës.
“Mendoj që ka ardhur koha që në ambjente të jashtme të mos mbahet më maska. Në ambjente të brendshme duhet. Unë ja tek e kam, më vonë do të hyjë në autobus dhe do e përdor. Gjithsesi, heqja e maskës në ambjente të jashtme është vendim i mirë.” – shprehen qytetarët.
Nga ky 1 qershor, edhe ora policore shkon në 23:00 ndërsa klubet e natës vijojnë ende mbyllur, por muzika në lokale do të lejohet deri në orën 22:00.