Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albina Fico, thotë se në laboratorin e ISHP-së, aktualisht pritet përgjigjja e analizës për një rast të dyshuar me koronavirus, për të cilin ajo tha se është thuajse e sigurt që është negativ, megjithatë nuk dëshirojë ta japë përgjigjen 100% të saktë pa pasur në dorën përgjigjen zyrtare të analizës.
"Praktikisht kemi vetëm 1 që është duke u procesuar, gjasat janë negativ, por pa e parë me sy letrën negativ, nuk do e them", u shpreh Fico.
Kryerja e analizës vjen pas dyshimeve se një qytetar mund të jetë infektuar, pasi mund të ketë shfaqur simptoma të ngjashme me të koronavirusit. Pas konsultimeve dhe trajtimit nga stafi mjekësor i trajnuar dhe specializuar, është marrë vendimi që këtij pacienti t'i bëhen analizat, edhe pse siç tha Fico, janë thuajse zero mundësitë që ai të dalë pozitiv.
Më herët, në vendin tonë 6 raste të dyshuar si të infektuar, pas kryerjes së analizës, rezultuan negativ.
E pyetur nga Report Tv, nëse ISHP ka mjaftueshëm kite për kryerjen e analizave për zbulimin e kronavirusit, Fico tha se vetë ISHP ka bërë blerje të këtij mjeti të nevojshëm për zbulueshmërinë e koronavirusit. Por shtoi se duke qenë një institut që bashkëpunon me institucione ndërkombëtare, kanë ardhur kite edhe nga "MediLabSecure", dhe priten furnizime të tjera nga jashtë.
Lajmi kryesor:
Rasti i dyshuar rezultoi negativ, Manastirliu: Asnjë i infektuar me koronavirus në Shqipëri! Jo koha për mbyllje të shkollave e kufijve me Italinë (VIDEO)
G.M.//ReportTv.al