Afganistan

Bota

1 vit nga sundimi i talebanëve në Afganistan, pika e kthesës për historinë e vendit dhe lidhja me Shqipërinë

15 Gusht 2022, 08:33| Përditesimi: 15 Gusht 2022, 08:48

  • Share

AFGANISTAN- Kur mbërrini në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, gjëja e parë që vëreni janë gratë, të veshura me shalle kafe dhe mantele të zeza, që vulosin pasaportat.

Një fushë ajrore, e cila një vit më parë ishte skena e një valë paniku njerëzish të dëshpëruar për të shpëtuar, tani është shumë më e qetë dhe më e pastër. Rreshtat e flamujve të bardhë të talebanëve valëviten në erën e verës - billbordet e fytyrave të vjetra të famshme janë pikturuar.

Çfarë qëndron përtej kësaj porte në një vend i cili u kthye përmbys nga një pushtim i shpejtë i Talibanëve?

Mesazhet janë befasuese.

"Ata duan që unë t'ia jap punën time vëllait tim," shkruan një grua në një platformë mesazhesh.

“Ne i kemi fituar pozitat tona me përvojën dhe arsimin tonë… nëse e pranojmë këtë do të thotë se kemi tradhtuar veten”, deklaron një tjetër.

Unë jam ulur me disa ish-nëpunës të lartë civilë nga ministria e financave. Ato janë pjesë e një grupi prej më shumë se 60 grave, shumë nga Drejtoria e të Ardhurave në Afganistan, të cilat u bënë bashkë pasi u hoqën nga puna  gushtin e kaluar. Ato tregojnë se zyrtarët u kërkuan që të dërgonin CV e të afërmve të tyre meshkuj që mund të aplikojnë për punët e tyre.

Gratë në Afganistan

“Kjo është puna ime”, këmbëngul një grua e cila, si të gjitha gratë e këtij grupi, kërkon me ankth që të fshihet identiteti i saj. "Kam punuar me shumë vështirësi për më shumë se 17 vjet për të marrë këtë punë dhe për të përfunduar masterin. Tani jemi kthyer në zero".

Në një telefonatë nga jashtë Afganistanit, na bashkohet Amina Ahmady, ish-drejtoreshë e përgjithshme. Ajo ka arritur të largohet, por as kjo nuk është një rrugëdalje.

“Po humbasim identitetin tonë”, tregon ajo. "I vetmi vend që mund ta mbajmë është në vendin tonë" Emri i grupit të tyre është "Gratë Lidere të Afganistanit" dhe kju u jep atyre forcë. Zyrtarët talebanë thonë se gratë janë ende duke punuar. Këto janë kryesisht staf mjekësor, edukatorë dhe punonjës të sigurisë, përfshirë në aeroport - hapësira ku frekuentojnë gratë. Talibanët gjithashtu theksojnë se gratë, të cilat dikur mbanin rreth një të katërtën e vendeve të punës në qeveri, ende paguhen - megjithëse një pjesë e vogël e pagës së tyre.

Skena duket idilike. 18-vjeçari Noor Mohammad dhe 25 vjeçari Ahmad vazhdojnë të tundin drapërët e tyre për të pastruar një copë drithi të mbetur.

"Ka shumë më pak grurë këtë vit për shkak të thatësirës," tregon Noor. Djersa dhe papastërtia ia mbulojnë fytyrën e re.

"Kjo është e vetmja punë që mund të gjeja”, vijon ai. Një fushë e korrur shtrihet në distancë pas nesh. Kanë qenë 10 ditë pune nga dy burra në kulmin e jetës së tyre për të marrë 2 dollarë në ditë.

"Isha duke studiuar për inxhinieri elektrike, por duhej të braktisja shkollën për të mbajtur familjen time," shpjegon ai.

Historia e Ahmedit është po aq e dhimbshme. “Shita motoçikletën time për të shkuar në Iran, por nuk gjeta punë”, shpjegon ai. Puna sezonale në Iranin fqinj dikur ishte një mundësi për ata në një nga provincat më të varfëra të Afganistanit, po punë nuk ka më asnë Iran. "Ne mirëpresim vëllezërit tanë talebanë, por ne kemi nevojë për një qeveri që na jep mundësi”, thotë Noor.

Të rinjtë duke punuar për vetëm 2 dollarë në ditë

Një ish-zëvendës guvernator në hije gjatë luftës, tregon shqetësimet e tij.

“Të gjitha këto probleme më trishtojnë”, thotë ai, duke renditur varfërinë, rrugët e këqija, mungesën e aksesit në spitale dhe shkolla që nuk funksionojnë siç duhet. Lufta nuk ka mbaruar për Guvernatorin Din Dost. Ai thotë se ishte burgosur dhe torturuar nga forcat amerikane. “Mos na jep më shumë dhimbje. Nuk kemi nevojë për ndihmë nga Perëndimi. Pse Perëndimi po ndërhyn gjithmonë. Ne nuk pyesim se si i trajtoni gratë apo burrat tuaj."

Më pas, vizitojmë një shkollë dhe një klinikë për kequshqyerjen, të shoqëruar nga anëtarët e ekipit të tij. "Afganistani ka nevojë për vëmendje," thotë drejtori i ri shëndetësor i Talibanëve, i arsimuar në universitet, Abdul Satar Mafaq. "Ne duhet të shpëtojmë jetë njerëzish dhe nuk ka nevojë të përfshijë politikën."... Në mendje më vijnë fjalët që më tha Noor Mohammad në arën e grurit.

"Varfëria dhe uria janë gjithashtu një luftë dhe është më e madhe se përleshjet me armë."

Guvernatori i talebanëve, Ahmad Shah Din Dost

Zhvendosemi në një tjetër hapësirë, aty ku ka vetëm gra dhe ka një zhurmë jo bezdisëse. Disa janë duke grumbulluar raftet e tyre, të tjera duke bërë thashetheme teksa qëndrojnë mbi bizhuteritë dhe veshjet e qëndisura. Lokalet janë të ndriçuara dobët, por në këtë errësirë, ka një bosht drite për gratë që kanë kaluar shumë kohë vetëm duke ndenjur në shtëpi. Sohaila ka një histori për të ndarë.

"Talebanët kanë mbyllur shkollat ​​e mesme," thotë ajo, në fakt, për diçka që ka pasoja të mëdha për adoleshentët e rinj ambiciozë si puna e saj.

Shumica e shkollave të mesme janë mbyllur, me urdhër të talebanëve, edhe pse shumë afganë, përfshirë anëtarët talebanë, kanë bërë thirrje që ato të rihapen. "Unë jam në klasën e 12 - nëse nuk diplomohem nuk mund të shkoj në universitet." E pyes nëse ajo mund të jetë Sohaila që dëshiron të jetë në Afganistan. “Sigurisht”, deklaron ajo e bindur. “Është vendi im dhe nuk dua të shkoj në një vend tjetër”. Por një vit pa shkollë duhet të ketë qenë i vështirë. “Nuk jam vetëm unë, janë të gjitha vajzat e Afganistanit”, thotë ajo me stoizëm. "Është një kujtim i trishtuar..."

Sohaila

Zëri i saj ulet ndërsa shpërthen në lot.

"Unë isha studentja më e mirë."

*Pushtimi i Afganistanit nga Talebanët ka qenë një zhvillim i rëndësishëm edhe sa i përket Shqipërisë. Kjo sepse vendi ynë hapi dyert për strehimin e afganëve që kishin punuar për SHBA-së, pasi u rrezikohej jeta në atdheun e tyre./ Përktheu Shqiptarja.com nga BBC

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?