Kultura

1 vit pa Maks Velon⁄ Arkitekti jep alarmin: Veprat e artistit po shiten në tregun e nëndheshëm!

7 Maj 2021, 16:38| Përditesimi: 7 Maj 2021, 16:55

  • Share

Maks Velo u nda nga jeta një vit më parë, (7 maj të 2020-s), por për intelektual si ai vdekja nuk është kapitulli i fundit. Arkitekti Artan Shkreli na rrëfen si një in memoriam botimin e Akademisë së Shkencave, “Arkitekturë art popullor” në nderim të tij. 

“Maks Velo i mungon botës intelektuale, pasi ai nuk ishte intelektual i mirëfilltë, në kuptimin e një njeriu që domosdoshmërish bën opinion publik, por ai përcillte zërin e asaj pjese të opinionit publik që nuk e artikulonte dot mendimin përtej tavolinave apo rretheve të ngushta shoqërore. Ai kishte forcën ta nxirrte në media. Kjo, sepse i mungonin filtrat, që ne i kemi me bollëk. Madje ndonjëherë kemi aq shumë filtra në mendimin tonë, saqë ajo që themi nuk i shërben më as shoqërisë civile edhe as njeriut të thjeshtë. Në këtë kuptim mungesa e Maksit bëhet ulëritëse. Për këtë Maksi u stigmatizua nga institucionet, por mori edhe vlerësimin e arkitektëve, duke u shpallur i pari brenda komitetit të arkitektëve nga SHASH”, rrëfen arkitekti Artan Shkreli.
Shkreli e përshkruan Maks Velon, si një punëtor të madh, që kudo ku jetoi diti të militoi për punën në shërbim të të tjerëve.

“Këtë e bëri dhe kur ishte në burg, duke projektuar godinën e komandës së burgut në Spaç me detaje që i kuroi vet. Njeriu i punës arrin që të nxjerrë të bukurën, duke bërë mbi normalen dhe në kushtet ekstreme të tij. Kështu Maksi edhe në burg mori disa materiale të gdhendura nga të burgosurit, duke nxjerr primitivitetin, që ishte e refuzuar nga akademikët e kohës. Ai lloj arti përçmohej si një art i ultë. Por, ai jo vetëm u dha zë, por i detyroi këta të burgosur, që të realizonin gdhendjet e veta.  Arti popullor shqiptar është i mbështetur mbi simbolin, kjo tregon shkallën e lartë të abstraksionit të atyre që e kanë lëvruar me kalimin e kohës. Sot kemi në duar botimin që nisi në të gjallë të Maks Velos, që ai nuk arriti ta shikojë dot edhe pse e kishte përzemër. Ka dhënë thelbin e një arti, që në qindra vite vetëm ishte ngërthyer në vetvete, por nuk qe shpërthyer si art”, shpjegon Shkreli.  

Ndërsa, akademiku Vasil Tole tregon se dhe pas vdekjes prezenca e artistit në Akademinë e Shkencave është edhe përmes statujës së ideuar prej tij, që u dorëzohet fituesve të çmimeve që ndan ky institucion

“Edhe unë ndaj mendim të njëjtë me kolegët, që e cilësojnë Maksin si një personalitet shumë të çmuar, që ka dhënë kontribut në disa drejtime. Ajo që doja të thoja në mënyrë të veçantë ka qenë bashkëpunimi me të, si koleg, por edhe në ASH, pasi ka qenë anëtar i Komitetit të Trashëgimisë, por doja të ndalja në mënyrë të veçantë tek prezenca e tij, përmes statuetës së famshme që është ideuar prej tij ne japim për çmimet që ndajmë si institucion. Kur e pyeta se çfarë ka dashur të thotë përmes saj? Më tha: Vasil është përpjekja edhe mundimi i njeriut primitiv për të bërë diçka, edhe gjykoj se e njëjtë është edhe përpjekja e studiuesve edhe shkencëtarëve dhe studiuesve, të cilët bëjnë maksimumin e tyre për të nxjerr diçka të vlefshme për shoqërinë. Një vit iku shpejt, por Maksin e kemi midis nesh edhe përmes këtij botimi”, shprehet Tole

Zëri kritik i poliedrikut, anti-konformistit që mbronte interesat e përbashkëta u mungon të gjithëve, qytetit, publikut e veçmas arkitektëve

“Ne na ka munguar të gjithëve, sepse Maksi ishte një institucion publik më vete, që përmes argumenteve që ai jepte ishte më i fuqishëm, se zëri i shumë njerëzve bashkë”, shprehet Vokshi.

Por, sa i përket dilemës se çfarë u bë me veprat që la pas Maks Velo? Artan Shkreli jep alarmin, se po qarkullojnë në treg pa u inventarizuar

Isha ndër nismëtarët që duhet të bëhej në radhë të parë inventarizimi i veprës së Maks Velos, përmes ngritjes së një grupi pune nga arkitektura, letërsia edhe piktura, por kjo gjë nuk u bë. Procesi u vonua. Këto duhet të bëhen me orë, jo me ditë dhe muaj. Pasi as të afërmit s’kano të drejtë të bllokojnë pasurinë e një intelektuali që me dekret konsiderohej e të gjithëve ne. Për fat të keq disa gjëra të veprës së Maksit kanë nis që të qarkullojnë në tregun e nëndheshëm.  Mua më dhembë zemra kur e mendoj këtë, por më vjen keq, se nuk do dihet asnjëherë nëse janë apo jo të tij. Duhet që bllokimi të bëhej të nesërmen. Unë s’jam koleksionist, ata që i koleksionojnë m’i kanë treguar. Inventarizimi duhej bërë, se flitej për një trashëgimi intelektuale, që duhet ruajtur. Por, ndonjëherë i thonë “më mirë vonë, se kurrë””, përfundon Shkreli.

Maks Velo u shua në moshën 84-vjeçare pas një sëmundje të rëndë në gjak. Si arkitekt ka realizuar projektin e sallës së “Milleniumit”, Pallatit “Kadare”, godinës së ATSH-së, shkolln“Emin Duraku”. Gjatë regjimit komunist u dënua me dhjet vite për “agjitacion e propagandë”, me akuzën se inspirohej nga “Modigliani, Braque-u dhe Picasso-ja, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”.  Ndërsa, iu sekuestruan dhe dogjën 260 vepra.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?