Kseniia Breus bashkë me dy vajzat ka udhëtuar për 21 ditë nga Kievi në Vlorë. Tashmë është e sigurt, por ka lënë në vatrën e luftës, bashkëshortin. Ksenian e takojmë në Zyrën e Emigracionit në Vlorë ku po aplikon statusin e refugjatit bashkë me mikeshën e saj, e cila gjithashtu ka mundur ti shpëtojë luftës.
"Situata në Kiev është shumë e frikshme. Sapo nisën bombardimet mora fëmijët, u takova me bashkëshortin në Poloni dhe kemi kaluar disa shtete dera sa të mbërrinin këtu. Nga Ukraina në Poloni, Moldavi, Bullgari, Maqedoni dhe më pas në Shqipëri. Ne kemi dokumente europiane, por miqtë tanë në Kiev nuk vijnë dot pasi ata kanë vetëm dokumente ukrainase".
Pyetjes se pse ka zgjedhur të strehohet në Vlorë, Kseniia Breus i përgjigjet:
"Kemi miq këtu që na kanë mirëpritur".
Mikpritësi është ukrainasi Anzor Popov, i cili prej një viti e gjysmë jeton në Vlorë dhe i ka strehuar përkohësisht në banesën e tij. Jashtë kamerave, zyrtarë të Emigracionit në Vlorë thanë se deri më tani kanë mbërritur privatisht 10 familje ukrainase.