Më 10 shtator, ditën e premte, ora 10:00. Do të mbahet mbledhja e parë e legjislaturës së re, një ditë pas përfundimit të detyrës së mandatit aktual. Pas 2 vite e gjysmë, në parlament do të jete edhe opozita tradicionale.
Ka një interes të shtuar në opinion se cilët do të jenë emrat e ri më të cilët Rama do të qeverisë gjatë mandatit të tretë. Dhe do të jetë asambleja ajo që do të shpallë ministrat e rinj dhe ata që do të vazhdojnë të qëndrojnë në kabinet. Deri tani, Rama ka rikonfirmuar në detyrë, Elisa Spiropalin, si Ministre e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin.
Taulant Balla do të vazhdojë të jetë kreu i grupit parlamentar të PS. Në takimin me deputetët të vjetër e të rinj, Rama nuk ka kursyer kritikat për menaxhimin e punës nga Ministria e Turizmit e drejtuar nga Blendi Klosi dhe Ministria e Arsimit, drejtuar nga Evis Kushi. Kurse Ogerta Manastirliu, Milva Ekonomi, Arben Ahmetaj, Blendi Çuci duket se janë ministrat që kanë plotësuar pritshmëritë e Ramës deri tani, dhe me shumë gjasa ata do të vazhdojnë të mbajnë postet
Në Asamble do të zgjidhet kryesia e re e partisë Socialiste, drejtuesit politik të qarqeve, si dhe sekretariati ekzekutiv i partisë. Nga mbledhja e fundit e Asamblesë, socialistët deklaruan se partia do i nënshtrohej një analize të mirëfilltë dhe ripërtëritjes organizative. Menjëherë pas vendimeve të rëndësishme, axhenda e kryeministrit Edi Rama zhvendoset në një vizitë një ditore në Itali, në kuadër të 30-vjetorit përkujtimor të eksodit të emigrimit të 20 mijë shqiptarëve nga Durrësi drejt Barit të Italisë. Aktualisht kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e punëve të jashtme Olta Xhacka, ndodhen në Slloveni, pjesë e forumit vjetor strategjik të BE-së. Në ditën e parë të forumit, me përfaqësues nga Bashkimi Europian, Këshilli Europian dhe Ballkani Perëndimor, tema kryesore është procesi i zgjerimit të BE-së, ndërsa në ditën e dytë të takimit, bisedimet do të përqendrohen në rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë dhe rimëkëmbjen e turizmit.