10 vjet nga aksidenti në Qafën e Vishës ku vdiqën 13 persona! Familjarët e viktimave, dyshime mbi hetimet e aksidentit! Babai i Dorina Stafës, ende në kërkim të së vërtetës

21 Maj 2022, 20:24| Përditesimi: 21 Maj 2022, 20:36

  • Share

Edhe sot pas 10 vitesh nga tragjedia e Qafës së Vishës ku humbën jetën 11 studentë të Universitetit të Elbasanit, i fejuari i njërës prej studenteve dhe shoferi, familjarët e viktimave kërkojnë ende vendosjen e drejtësisë.

Ky është Hasan Stafa, babai i Dorina Stafës, një prej viktimave të aksidentit fatkeq. Skeptik për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe këmbëngulës për t’i shkuar të vërtetës deri në fund, babi i Dorinës ngre pikëpyetje të shumta mbi kontrollin teknik të autobusit dhe të dhëna të tjera që do të mundësonin zbardhjen e plotë të  shkaqeve të vërteta të kësaj tragjedie të rëndë.

“Kompanitë e sigurimit të Elbasanit, si e kanë lejuar këtë shoferin që ka udhëtuar dy ditë nga Stambolli, ka ardhur në Tiranë dhe brenda orësh e ka nisur për në Himarë, në Sarandë me studentët. A lejohet një autobus që është në këto përmasa kilometrike, aq më tepër me njerëz? Së paku duhet të ketë dy shofer, shoferi në shërbim dhe shoferi tjetër që është zëvendësues, në rast se shoferi mund të ketë probleme. Kjo nuk ka ndodhur, kontrolli teknik atje nuk është bërë në rrugë ligjore. Këto dosje kanë zënë si të thuash pluhur.” – tha Hasan Stafa, babai i të ndjerës Dorina Stafa

Edhe vlerësimin e bërë nga kompania e sigurimeve prej 1 milionë lekësh të reja e konsideron qesharak, pasi nuk kanë mbuluar dot as shpenzimet mortore.

“Faji ishte i shtetit dhe atyre që kanë bashkëpunuar  për të ngrënë në kurrizin e këtyre studentëve dhe për të shfrytëzuar momente aty ku nuk duhet shfrytëzuar.”- tha ai.

Hasani dhe prindërit e viktimave kërkojnë tashme prej 10 vitesh përgjigje dhe vënien para përgjegjësisë të fajtorëve të vërtetë e jo që shteti t’i faturojë të gjitha fajet rrugës e shoferit tashmë të vdekur.

Shumë prej prindërve dhe të afërmve të viktimave kanë pësuar trauma dhe kanë humbur aftësitë mendore e shëndetësore pas asaj ngjarje. Ata ndihen të shpërfillur nga shteti pas gjithë këtyre viteve dhe shpresojnë shumë në institucionet e reja të drejtësisë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?