TIRANË - Fillimi i muajit prill të këtij viti shënon dhe 10-vjetorin e një prej tragjedive ajrore ndër më të rëndat që ka ndodhur në Shqipëri. Bëhet fjalë për aksidentin ajror të orëve të natës të 31 marsit 2005, në të gdhirë të 1 prillit.
Avioni ushtarak amerikan C-130 Hercules që ndodhej në Shqipëri për një program trajnues, në orët e mbrëmjes së 31 marsit 2005 është ngritur nga aeroporti “Nënë Tereza” për një fluturim stërvitor, por kushtet e vështira të motit të asaj nate që vështirësonin shikueshmërinë dhe një gabim i pilotëve rrëzuan avionin amerikan 80 km nga Tirana në malin e Gribës në zonën e Gramshit, të 9 ushtarët amerikan në bord humbën jetën.
Përplasja me malin shkatërroi totalisht avionin ushtarak amerikan ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit për shkak të terrenit të vështirë arritën që vetëm pasditen e 1 prillit 2005 rreth orës 16:00 të gjenin trupat e pa jetë të 9 ushtarëve të grupit operacional 352 të SHBA të stacionuar në bazën e Mildenhallit në Britaninë e Madhe.
(Rrënojat e avionit ushtarak amerikan të rrëzuar në malin pranë fshatit Rovjan në Gramsh në 2005) Foto te tjera
(Rrënojat e avionit ushtarak amerikan të rrëzuar në malin pranë fshatit Rovjan në Gramsh në 2005) Foto te tjera
(Modeli C-130 i avionit ushtark amerikan që u rrëzua në Shqipëri mbrëmjen e 31 marsit 2005)
Hetimet e atëhershme për aksidentin ajror çuan në përfundimin se rrëzimi u shkaktua për shak se avioni po fluturonte ulët, rreth 100 metra mbi sipërfaqen e malit dhe për shak të kushteve të vështira të motit me reshje bore. Sipas ekspertëve hetimor, pilotët u përpoqën të ngrinin më lart avionin por ishte shumë vonë.
Presidenti i atëhershëm i Republikës Alfred Mojsiu, kryeministri i asaj kohe Fatos Nato, Ministri i Mbrojtjes në atë kohë Pandeli Majko dhe ambasadorja e atëhershme e SHBA, Marcie Ries ndoqën hap pas hapi situatën tragjike që nga momentet e para kur nisi dhe kërkimi për trupat, rreth orës 04:00 të 1 prillit 2005. Ndërsa pak momente para rrëzimit avioni kishte lëshuar një sinjal SOS që u kap nga kulla e aeroportit të Rinasit dhe nga aeroporti i Brindisit në Itali.
Trupat e 9 ushtarëve amerikan: Kapitenit Todd Bracy 34 vjeç, kapitenit James Cronin 32 vjeç, kapitenit Gil Williamson 31 vjeç, kapitenit Surender Kothakota 30 vjeç, oficerit Ray Owens 32 vjeç, rreshterit supervizor Lawrence Gray 40 vjeç, rreshter teknik James Henry 30 vjeç, rreshter teknik Glenn Lastes 39 vjeç, prehen në varrezën e Arlingtonit në Uashington ndërsa turpi i teknikut Patrick Pentico 22 vjeç, prehet në varrezat e vendlindjes së tij në Utah.
(Foto: 7 nga 9 viktimat e tragjedisë së rëndë ajrore të 2005 në malet shqiptare në Gramsh)
(Foto: Memoriali në varrezat e Arlingtonit në Uashington ku prehen 8 nga 9 viktimat e tragjedisë pasi trupi i ushtarit Patrick Pentico prehet në varrezat e vendlindjes së tij në Utah) Foto te tjera
9 ushtarët amerikan që humbën jetën në vendin tonë u dekoruan (pas vdekjes) nga ish-presidenti i SHBA, Xhorxh Bush me Medaljen e “Shërbimit të Merituar”.
Lajmi i rëndë i tragjedisë ajrore në malet shqiptare u pasqyrua hap pas hapi dhe në mediat e mëdha ndërkombëtare CNN, BBC, CBS, Reuters, AP, AFP etj.
(Faqja e CNN dhe BBC e vitit 2005 që pasqyron aksidentin ajror)
Tragjedia e rëndë ajrore e 1 prillit 2005 ku humbën jetën 9 ushtarët amerikanë ndodhi vetëm 7 muaj pas aksidentit ajror që ndodhi në 16 shtator të vitit 2004 në Rinas ku humbi jetën piloti Jani Tarifa. Avioni luftarak MIG 19 I drejtuar nga Tarifa pas ngritjes nga pista ushtarake e aeroportit “Nënë Tereza”, doli jashtë kontrollit duke shpërthyer në ajër dhe më pas u rrëzua pranë aeroportit. Ngjarja e atëhershme shkaktoi panik dhe alarm për aeroportin dhe banorët pasi gjatë rrëzimit shpërthyen dhe disa nga predhat e avionit luftarak. Tragjedia e 2004 i morri jetën pilotit 46-vjeçar Tarifa i cili më vonë u shpall “Dëshmor i Atdheut”.
(Piloti shqiptar Jani Tarifa që humbi jetën pas rrëzimit të avionit luftark MIG 19 në Rinas në 16 shtator 2004)
Redaksia Online
(Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com)