E përsëritur dhe e ngjashme me të gjitha rastet kur është zhvilluar fushat elektorale, retorikë akuzuese e përfaqësuesve kryesor të politikës, karshi njëri tjetrit, vijon të ketë të njëjtin kontekst.
Deklaratat e liderëve politikë kundrejt njëri tjetrit në fushatë.
“Berisha dhe Meta janë zorrë qorre të Shqipërisë. Sesi mund të jesh ende me Non Gratën unë se kuptoj. Në fletë votimi është Like Floriri”, tha Edi Rama më 24 prill nga takimi në Durrës.
“Berisha i jep oksigjen partisë se Edi Ramës sepse dhe pas 33 vitesh të Berishës dhe Metës bëjnë që te duket alternativë Edi Rama”, tha Enkelejd Alibeaj më 29 prill nga takimi në Laprakë.
“Ka shumë të drejtë edhe Rama dhe ramarucët e tij kudo ku ndodhen që janë të tmerruar nga manifestimi në stadiumin”, tha Ilir Meta në një konferencë më 18 prill.
“Nuk paguajmë ne vjedhjet tuaja mor zotëri, Edi Rama të ka humbur mendja, kalon nga një takim në një tjetër i shastisur”, tha Sali Berisha në një takim në Kamëz më 24 prill.
Fushata për 14 majin duket se është orientuar në sulme të përqendruara ndaj kundërshtarëve politike, dhe jo në platforma konkrete. Duke prezantuar kandidatët e tyre për kryetarë bashkish, palët kanë shigjetuar rivalët si personat përgjegjës që kanë administruar më së keqi vendin dhe kanë dëmtuar interesin e qytetarëve.
Partia Socialiste ka zgjedhur që edhe në sloganin e saj, të përfshijë kundërshtarët politikë. “Vetëm përpara, kurrë më mbrapa” ky slogan i PS, i cili shoqërohet nga një foto e kryesocialistit me ngjyra që nënkupton vijimin përpara me investime nga kjo forcë politike, ndërsa bashkëngjitja në slogan të një fotoje bardhezi të dyshes Berisha-Meta, përcjell mesazhin e kthimit pas në sherrnajë, plaçkitje apo vëllavrasje, siç e përkufizon kryesocialisti. Për kreun e selisë rozë vota për dyshen Meta-Berisha është një votë kundër aleatëve strategjik që do të kufizonte zhvillimin e vendit.
Po e njëjta gjuhë është përdorur edhe nga kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj. Me sloganin” Frymëmarrje për Shqipërinë’, PD zyrtare përpiqet të bindë elektoratin se ata që po përccajnë PD dhe po tentojnë të shesin Shqipërinë janë treshja, Rama-Meta-Berisha.
“Bashkë fitojmë” koalicioni i Berishës dhe Metës kanë zgjedhur të vijnë me sloganin, “Ndryshimi fillon nga duart e tua”, të bashkuar në këtë garë, dyshja në fokus të çdo takimi kanë pasur ‘sulmin’ ndaj kundërshtarit dhe jo prezantimin e një programi konkret për qeverisjen vendore.
Të treja forcat politike kanë zgjedhur të përballen mes tyre me kryetarët e partive, teksa vëmendja nuk ka shkuar te programi politik dhe kandidatët, por te ‘përplasja” e kastës së vjetër politike
“Pas akuzave të njëpasnjëshme për njëri tjetrin, edhe pse të gjitha forcat kanë qenë pjesë e qeverisjes që prej viteve 90, cili prej politikanëve, me partin respektive do të ishte i denjë për të vijuar qeverisjen?”