Në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka ndarë një mesazh urimi. Nikolla shkruan se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, ndërsa thekson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme drejt paqes.
“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është një ngjarje historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin shqiptar. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i luftës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës, të mbështetura nga aleatët strategjikë të shqiptarëve, ShBA, BE dhe NATO.
Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kuvendi, institucionet e vendit dhe gjithë qytetarët janë në krah të popullit dhe institucioneve të Kosovës në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike, të cilat arrihen në koordinim dhe me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj, ShBA dhe BE.
Shqipëria mbështet integrimin e Kosovës në NATO, anëtarësimin në Këshillin e Europës dhe në Kartën e Adriatikut, A5. Me mbështetjen e ShBA dhe BE, aleatëve strategjik të kombit shqiptar, e ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE, është rruga e vetme drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.”
Lajmi kryesor:
Politika shqiptare uron Kosovën për Pavarësinë! Rama: Gëzuar! Begaj e Nikolla: Jemi krah jush! Basha: Keni sfida, por do ia dilni
SI.E./ReportTv.al