17 shkurti i Bashës përballë 17 shkurtit të Ramës

18 Shkurt 2020, 14:49| Përditesimi: 18 Shkurt 2020, 14:50

  • Share

17 shkurti nga ky vit do të mbahet mend gjatë si një ditë shprese për Shqipërinë dhe shqiptarët. Krahas 17 shkurtit të çadrës së Lulzim Bashës që më pas do penalizonte ekonominë dhe nxinte imazhin e Shqipërisë në vitin 2017-të dhe 2019, tanimë kemi 17 shkurtin e 2020 i cili tregoi se bota nuk e sheh Shqipërinë as me syzet e dyshes Basha-Berisha e as me atoi të çiftit Meta-Kryemadhi, por atë të Edi Ramës.

1.15 miliardët e dhënë për Shqipërinë e prekur nga tërmeti kalon përtej ndihmës për fatkeqësinë natyrore. Ato janë një mbështetje e jashtëzakonshme për ekonominë e vendit tonë dhe një tregues i qartë se BE-SHBA dhe dhjetra shtetet të tjera nga e gjitha bota e kontinetet besojnë në lidershipin e Edi Ramës, i cili ditën e djeshme ‘iu ka ngrirë buzëqeshjen në buzë’ të gjithë atyre opozitarëve të shpallur apo kamufluar që mezi prisnin të ndiznin flakadanët e fitores për dështimin e kryeministrit.

Mund të themi pa asnjë dyshim se dita e djeshme, përveçse një fitore e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, ishte një fitore e Edi Ramës, i cili nga fillimi në fund, krejt i vetëm (me anëtarët e skuadrës së tij qeverisëse) përballoi një dramë të tmerrshme kur pa se si qytetarët e tij mbetën në qiell të hapur nga fuqia shkatërruese e natyrës në 26 nëntor. Por jo vetëm kaq. Kjo është një fitore e tij edhe për faktin që arriti krejt i vetëm, me një kryetar opozite i cili bashkë me aleatët nuk çuan as një batanije te qytetarët e mbetur pa shtëpi e katandi. Krejt i vetëm shkeli çdo pëllembë të prekur nga tërmeti dhe kaloi oqeanin për të kërkuar ndihmë, duke bindur botën se Shqipëria nuk është ajo delja e zezë që përshkuan opozita në Tiranë.

Këto janë faktet që dje shqiptarët i panë në sy dhe i dëgjuan nga Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, e cila poashtu do të mbesë përgjithmonë si një heroinë e mbështetjes së saj ndaj fushatës së kryeministrit Rama. E si Leyen edhe të gjithë krerët e BE që punuan me palën shqiptare për të arritur atë që u arrit dje, të paimagjinueshmen. Kjo është njëra anë e medaljes, që e pamë e dëgjuam të gjithë dje, e gjithçka unë mund të them është një konfirmim i asaj që ndodhi në Bruksel.

Por çfarë ndodhi në Tiranë?

Kryedemokrati Basha me anë të një postimi të shkurtër në Facebook, i cili dukej si një buzëqeshje e ngrirë në fytyrën e njeriut që vetëm zgërdhihet, tha se ai do ishte garant i këtyre parave, që të shkonin atje ku kanë vendin. Thënë kjo nga njeriu që akuzohet se i avulluan 230 mln euro nga Rruga e Kombit që nuk e përfundoi kurrë, ngjan më se paku tallëse për shqiptarët. Reagimi i Bashës dje ngjante si një mallkim për partnerët që mbështetën Shqipërinë dhe besuan Edi Ramën e me siguri që për punë orësh ai do të dalë dhe të tentojë të bëjë të duket ”asgjë” arritja e djeshme në Bruksel.

Kryemadhi ndërkohë e ka bërë një gjë të tillë, duke treguar se për fat të keq, Shqipërinë e duan  sigurisht më shumë shqiptarët anembanë dhe brenda vendit e bota, sesa opozita. E kjo është arsyeja numër një që janë tkurrur në një grusht njerëzish që në vend që të shohin ‘lopën e tyre’, mallkojnë atë të tjetrit. 1.15 miliardët e djeshëm që u dhanë për Shqipërinë falë këmbënguljes së Edi Ramës kanë nxirë edhe njëherë fytyrën e opozitës të cilës i mbeti buzëqeshja në buzë dhe kanë bërë të buzëqeshin shqiptarët të cilët dëgjuan dje nga bota mbarë se nuk janë vetëm. E për sa kohë kjo opozitë të vazhdojë me këtë strategji, e ka të sigurtë që do vazhdojë të mbetet aty ku është, ose të bëjë akoma me prapa… Sepse Edi Rama dje solli para për shqiptarët dhe ekonominë, gjë e cila më së paku duhet përshëndetur. Dikush t’i kujtojë Bashës se ”është ekonomia, budalla”.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?