Momenti i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në vitin 1991

20 shkurt 1991, Zaloshnja kujton si u rrëzua busti i Enverit dhe iu hoq emri i diktatorit Universitetit të Tiranës

21 Shkurt, 20:04| Përditesimi: 21 Shkurt, 22:23

  • Share

Para shumë vitesh, kam dhënë një intervistë të gjatë rreth muajve të parë të PD-së, si një ndër firmëtarët e themelimit të saj. Në atë intervistë, pashmangëshmërisht, kam folur edhe për 20 shkurtin. Më poshtë vijon një riprodhim idententik i fragmentit të asaj interviste.

Redaksia: Përmendja nga ju e shkurtit të vitit 1991 na kujton një ngjarje të rëndësishme që ka ndodhur atë muaj.  E kemi fjalën për grevën e urisë së studenteve, e cila u kurorëzua me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës.  Ç’mund të na thoni për atë grevë?

Zaloshnja: Greva e shkurtit 1991 e pati zanafillën e vet në Universitetin Bujqësor. Një mëngjes të ftohtë të atij shkurti, kur arrita atje, pashë se studentët kishin dalë në grevë për të protestuar ndaj kushteve të këqia në konvikte. Pasi u konsultova me udhëheqësit e grevës, i bëra thirrje studenteve që të kërkonin dorhëqjen e Adil Çarçanit, me arsyetimin se qeveria e tij ishte e paaftë të kujdesej jo vetëm për hallet e studenteve, por edhe të të gjithë popullit shqiptar. Ndërkohë, mora në telefon selinë e PD-së. Telefonatës iu përgjigj Arben Imami. Pasi i tregova se ç’po ndodhte, ai më tha se do të vinte menjëherë me Azem Hajdarin dhe me studentë të tjerë nga Universiteti i Tiranës. Kur ata erdhën, turma studentore protestuese mori zjarr. Dhe pas fjalimeve që mbajtën Azemi dhe Imami, u sugjeruam udhëheqësve studentorë që greva të përkrahej edhe nga Universiteti i Tiranës.

Atë natë, kur e diskutuam në selinë e PD-së iniciativën tonë, Pashko doli kundër, me arsyetimin se rrëzimi i qeverisë do të na nxirrte ne si parti të humbur. Në vend të qeverisë Çarçani, arsyetoi Pashko, do të vihej një qeveri më e moderuar, e cila mund të ishte më e suksesshme për të gënjyer votuesit e lëkundur. Ndërsa Berisha arsyetoi se rrëzimi i qeverisë do të kishte vlera simbolike, që i tejkalonin minuset që përmendte Pashko. Pas debateve të gjata, u vendos që të mbeshtetej greva e studenteve, por jo në mënyrë të hapur (pasi ne si parti kishim nënshkruar një marrveshje me Ramiz Alinë për pezullimin e grevave dhe protestave deri në zgjedhjet e 31 marsit).

Grevës së studentëve, e cila konsistonte fillimisht vetëm në mosvajtje në mësim dhe në aktivitete satirike ku shpotitej nomenklatura komuniste (ato aktivitete ishin pararendëset e protestave satirike të MJAFT-it të sotëm), iu shtua eventualisht edhe kërkesa e heqjes së emrit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës.  Ndërsa në ditët e fundit të saj, ajo u bë shumë më serioze - u kthye në një grevë urie.

Redaksia: Ç’mbani mend nga dita kur u rrëzua shtatorja e diktatorit, e kemi fjalën për 20 shkurtin e vitit 1991?

Zaloshnja: Atë ditë kisha planifikuar të shkoja në Rrëshen për të inaguruar themelimin e PD-së në Mirditë. Rreth orës 14, u nisa për rrugë dhe, po të mos kisha dëgjuar brohërima rreth e qark, ndoshta do ta kisha humbur rastin të përjetoja një nga gëzimet më të mëdha që kam ndjerë në jetë. Sapo dëgjova brohëritjet, i thashë shoferit të më çonte te sheshi Skënderbej, dhe pastaj të shkonte të lajmëronte në telefon themeluesit e PD-së në Rrëshen për anullimin e metingut atje.

Kur arrita në shesh, shtatorja e Enverit po tërhiqej zvarrë, ndërkohë që dhjetra mijra njerëz të ngazëllyer e ndiqnin nga pas. E ndoqa edhe unë deri te Qyteti Studenti, ndërkohë që vazhdimisht më dilte parasysh pamja e babait tim në shtratin e vdekjes; pak para se të kishte humbur vetdijen në spital, ai e kishte drejtuar dorën nga portreti i Enverit, në një farë imitimi të zbehtë të shkrehjes së revolverit.

Pasi arrita në Qytetin Studenti, u takova me Blendi Gonxhen, i cili kishte qënë fytyra publike e grevës studentore të urisë. Blendit i sugjerova që t’i telefonte Presidencës dhe t’i kërkonte Ramiz Alisë që brenda orës tetë të shpallej vendimi i heqjes së emrit të universistetit dhe rrëzimit të qeverisë sepse, përndryshe, turma e mbledhur në Qytetin Studenti do t’i drejtohej godinave qeveritare. Atij i pëlqeu sugjerimi im dhe të dy shkuam në një familje aty pranë, për të cilën na thanë se kishte telefon. Kërcënimit të Blendit, iu përgjigj me përçmim sekreatri i Alisë. Por eventualisht, atë mbrëmje, emri i Enverit u hoq nga universiteti dhe qeveria Çarçani dha dorëheqjen.

Vonë në darkën e 20 shkurtit, mbaj mend që Azemi, unë dhe Arben Imami u mblodhëm në shtëpinë e këtij të fundit për të festuar me ca gota raki rezultatin përfundimtar të asaj që kishim nisur si padashje ne të tre, në një ditë të ftohtë të fillimit të shkurtit. Në jetën time nuk më ka shijuar kurrë ndonjëherë aq shumë një darkë mes miqsh…

Shënim: Intervista është dhënë për Gazetën Panorama në 1991

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?