20 vite pa këngëtarin dhe kompozitorin xhovanez, Fabrizio De André. Grupi Kuarteti GNU e kujton nëpërmjet muzikës që ai krijoi tek ArTurbina, para studentëve dhe nxënësve të shkollave të ndryshme, si një nga protagonistët më të rëndësishëm të kulturës italiane të shekullit XX.
“Puna që kemi bërë me pjesët e Fabrizio De André, ka qenë një punë për të valorizuar aspektet e tij të ndryshme, si kantautor, sidomos në aspektin poetik të fjalëve, që është një nga pikat e tij më të forta, aq sa e kanë quajtur poet. Me të vërtetë muzika e këngëve të tij është shumë e pasur”, shprehet Raffaele Rebaudengo
Ndonëse, u shua në moshën 59-vjeçare, gjurmët që Faber la në muzikën italiane, kanë bërë që kujtimet për të të mbeten të paprekura, edhe në këtë tranzicion mes gjeneratave.
“Kushedi ku mund të kishte arritur si artist në jetën e tij, ne na mungon, por do ta kujtojmë gjithmonë” thotë Rebaudengo.
Kufizimet De Andre i kapërceu jo vetëm nëpërmjet muzikës që bënte, por edhe nëpërmjet teksteve, duk u quajtur një mit i pa kohë, madje edhe për brezat e rinj, të cilët nuk e takuan asnjëherë në jetën e tyre.
Artisti italian ka ditur që t’i jap punës së tij një vlerë universale. Me “Këngët e Miranella”-s, të interpretuara nga Mina në vitet ’65, De Andre, është vlerësuar për suksesin e jashtëzakonshëm. Kompozitori italian u shua në moshën 59-vjeçare. GNUquartet në mbrëmje do të performojë edhe me kantautorin shqiptar Ermal Meta në Pallatin e Kongreseve.