21 janari, Beqiri bën deklaratën ‘bombë’: Berisha mendoi se i fshiu por dikush ruajti pamjet e kamerave të kryeministrisë! Nga ajo ‘dorë’ i erdhi shpallja ‘non-grata'

22 Janar, 20:24| Përditesimi: 22 Janar, 22:42

  • Share

Avokati Idajet Beqiri i ftuar në emisionin "Studio Live" me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, ku foli lidhur me vrasjet e 4 protestuesve më 21 janar dhe hapat që drejtësia duhet të marrë për zbardhjen e kësaj ngjarje që gjykata e Strasburgut e konsideroi si krim shtetëror, bëri edhe një deklaratë të fortë sa i takon filmimeve të kamerave të kryeministrisë që regjistruan çdo gjë rreth protestës së 21 janarit 2011. 

Beqiri tha se pavarësisht se materialet filmike u fshinë pas mesnate, një person i fotokopjoi pamjet dhe sot i ka ende në dorë. Avokati shkoi më tej, duke deklaruar se personi që ka pamjet filmike i ka dorëzuar ata në DASH dhe më pas SHBA e shpalli Berishën “non-grata”.

“Gjithë natën kamerat u kopjuan dhe u fshinë të gjitha. Kur shkuan prokuroët ishin fshirë. Ai mendoi se i fshiu. Nuk po bëj ndonjë teori konspirative por ato pamje u kopjuan nga një dorë dhe ajo i ka ende në dorë sot. Një nga ato duart i dha “non-grata”-n nga SHBA. Ndryshe SHBA nuk e shpallte non-grata nëse nuk do e kishte parë atë video. Ato kamera ekzistojnë dhe ajo provë është në duar të sigurta”- zbuloi avokati.

Më tej, Beqiri përmendi edhe prova të tjera, të cilat sipas tij implikojnë haptas Berishën, duke nisur nga përgatitja e raportit mjeko-ligjor që ishte në përputhje me deklaratat e tij e deri tek gardistët të cilët u mbajnën 72 orë në kryeministri për t’ua bërë të qartë atë çfarë do deklaronin në prokurori lidhur me 21 janarin.

"Kompromentoi mjekët që raportin ta bënin në përputhje me deklaratat e tij. Urdhëroi të mos ekzekutoheshin urdhër-arrestet për gardistët të cilët edhe i dekoroi.  Gardistët janë mbajtur brenda kryeministrisë 72 orë, aty hanin pinin e flinin duke u përpunuar, duke u thënë çfarë do thonë kur të thirreshin në prokurori”- shtoi Beqiri.

Sipas, avokatit, deklarata e sotme e Prokurorisë së Tiranës mbi hetimet e 21 janarit, tregon se prokurorët e këtij institucioni janë në shërbim të Berishës dhe kërkojnë të zvarrisin çështjen. Beqiri tha se çështja duhet të merret në dorë nga SPAK.

Mes deklaratave të tjera, avokati e cilësoi kreun e PL-së, Ilir Metën, asokohe zv.kryeministër ai bashkëpunëtor kryesor të Berishës ndërsa Lulzim Bashën si dëshmitar kryesor. Sipas tij, nëse Basha nuk do që të jetë bashkëpunëtor në krim, duhet të rrëfejë të gjitha ato gjëra për të cilat ka dijeni lidhur me krimin shtetëror në 21 janar kur mbante postin e Ministrit të Brendshëm.

Ora 20:11
Avokati Beqiri: Vrasjet në 21 janar, të paramenduara! Meta bashkëpunëtori më i ngushtë i Berishës! Basha, dëshmitari kryesor

Avokati Idajet Beqiri i ftuar në emisionin “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, foli lidhur me vrasjet e 4 protestuesve në 21 janar duke deklaruar se edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, asokohe zv.kryeministër ka qenë bashkëpunëtori më i ngushtë i ish-kryeministrit Sali Berisha i cili dha urdhër ndaj gardistëve.

Beqiri tha se bëhet fjalë për një vrasje të paramenduar nga Berisha dhe Meta për të mos dorëzuar pushtetin dhe për të bërë që qytetarët të frikësoheshin e mos të dilnin më masivisht nëpër protesta.

Ndërsa theksoi se Lulzim Basha i cili asokohe ishte ministër i Brendshëm, është dëshmitari kryesor që ka dijeni mbi gjurmët e krimit dhe nëse nuk pranon të flasë lidhur me këtë ngjarje, atëherë kthehet në bashkëpunëtor me Metën dhe Berishën. 

“Me provat që janë në dosje e kemi të qartë se ishte një vrasje e paramenduar. Për këtë i kishte marrë të gjitha llojet e masave ish-kryeministri i vendit dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i tij në atë situatë ishte Ilir Meta. Nuk ka qenë  vetëm Berisha në këtë punë. Për 21 janarin këta të 2 kanë rolin primar.

Ilir Meta bashkë me Berishën të dy me paramendim urdhëruan të ekzekutoheshin protestuesit. Dëshmitari kryesor është Lulzim Basha i cili mesa duket nuk ka rol në këto vrasje por ka dijeni, ka fshehur gjurmët e krimit, duhet të flasë e nëse nuk do flasë do jetë bashkëpunëtor i këtyre të dyve. Provat më të forta i ka dhënë vetë Berisha. Këto vrasje do bëheshin për të mbajtur pushtetin me dhunë dhe për të justifikuar vjedhjet në zgjedhjet 2009 dhe 2011. Në një situatë të tillë ajo qeveri kishte rënë dhe ai për ta mbajtur me dhunë pushtetin dhe t’i frikësonte shqiptarët që mos të ngriheshin në protesta, urdhëroi vrasjet që mos të mbusheshin më sheshet”- u shpreh Beqiri.

B.V/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?