Lulzim Basha doli sërish para gazetarëve, duke komentuar lodhshëm zgjedhjet e 25 Prillit, duke lëshuar akuza dhe denoncime mbi qeverinë, KQZ-në, mbi “regjimin Rama”, dhe duke anashkaluar problemin e madh që ka sot Partia Demokratike, atë të Sali Berishës. Duke shmangur me qëllim problemin e “non-grata” të ish-kryeministrit, dhe duke mos komentuar as largimet masive nga PD-ja të drejtuesve në degët e rretheve, Lulzim Basha po mbahet fort tek zgjedhjet e 25 Prillit, si e vetmja “gozhdë e ndryshkur” nga ku ai mendon se mund t’ia hedhë paq situatës së krijuar brenda partisë tij.
Opozita që mendon të bëjë Lulzim Basha në Shtator e tutje, nuk pritet të jetë ndryshe nga ajo që ka bërë në 8 vitet e shkuara. Sërish “zgjedhjet, vjedhja e votave, bandat, regjimi Rama, patronazhistët”, do të jenë “kauza” që do të përdredhë grupimin e tij parlamentar, duke mos u marrë fare me thelbin e problemeve që ajo parti ka sot. Jo më larg se 2 ditë më parë, dega e Partisë Demokratike e Korçës , pothuajse u shkri. Kjo po ndodh edhe në Durrës dhe Elbasan, dy qarqet ku ajo parti ka probleme serioze brenda saj. Pakënaqësitë ndaj kupolës drejtuese të PD, klientelizmi, emërimet dhe komandimet me urdhëra absurdë nga kryetari Basha, si dhe largimet masive të bazës, janë disa prej shkaqeve që po ikin pa kthim drejtuesit e degëve. Por duket se Lulzimi nuk e ka mendjen tek baza, as tek ikja e drejtuesve në rrethe.
Rëndësi ka ruajtja e postit të kryetarit, rëndësi ka partia si subjekt politik, paçka se “kaposhi është katandisur një thelë”. Lulzimi tha në daljen e tij të beftë mes vapës se “na pret një betejë e madhe me regjimin e Edi Ramës”, duke mos përjashtuar edhe protestat për “vjedhjen e votës”. Në Shqipërinë e Mesme kanë një shprehje “dem-dem, po me nji vend”. Lulzimit i ka mbetur “ora” dhe mëndja në kohën e KOP-it, dhe i duket vetja “lider i pazëvendësueshëm”. Atij çdo ditë Grida, Ervini dhe Enkeledi i mbushin mendjen me përralla se “ti je shpëtimi shqiptarëve, se ne jemi e ardhmja e këtij vendi”, duke mos parë rreth e rrotull ç’po bën qeveria e Edi Ramës. Miopia dhe paaftësia e ekipit të Lulzim Bashës arrin deri aty, sa të ngatërrojnë me dashje kohën e Berishës me kohën e Ramës.
Dekriminalizimi i politikës, dhe aksionet e SPAK-ut mbi “peshqit e mëdhenj” ka trembur bosët e Partisë Demokratike, të cilët kanë miliona euro pasuri me burime krejt të pabesueshme. Ajo parti nuk personifikon më idealet e Dhjetorit ‘90, nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet e lira, të drejta dhe të ndershme, pasi asnjëherë në historinë e saj 30 vjeçare as ka bërë dhe as ka fituar të tilla, por veçse ka blerë dhe manipuluar rezultate zgjedhore.
Fitorja e Edi Ramës, mbështetja e pakursyer e BE-së dhe SHBA-së, certifikimi në kohë reale i zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR dhe KQZ-ja i zgjedhjeve të 25 Prillit, mbeten për humbësin kronik të tyre Lulzim Basha, një “gozhdë e ndryshkur”, që do ta mbajë gjatë si argument banal edhe në 4 vitet e ardhshme deri në 2025. Për ç’beteja opozitare e ka fjalën Lulzimi, kur ai ka humbur 5 të tilla brenda partisë tij, për ç’beteja politike e ka fjalën Lulzim Basha në Shtator, kur degët e partisë tij në rrethe po shkërmoqen sikur të mos kishin ekzistuar, për ç’beteja “frontale” e ka fjalën Lulzim Basha në Parlamentin e ri, kur gjysma e deputetëve të rinj kanë akoma dhe sot “hesape” të vjetra me drejtësinë?
Për ç’beteja e ka fjalën Lulzimi, kur një të tillë e ka të hapur akoma dhe sot në parti mes tij dhe Sali Berishës, dhe se mungesa e transparencës dhe kurajës ndaj vendimit të DASH-it, do ti kushtojë shumë jo vetëm Partisë Demokratike, por me gjasë edhe atij personalisht.