Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të ndryshojë pas 12 vitesh rregullat e ruajtjes së zgjedhjeve të 25 prillit 2021 dhe detyrat e policisë, duke shfuqizuar vendimin e vitit 2009 të Arben Ristanit. Vendimi i ri parashikon që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, 10 ditë para zgjedhjeve, i paraqet Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, listën e plotë të punonjësve të policisë që do të angazhohen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Për secilin punonjës policie, duhet të pasqyrohen të dhënat e tij personale, gradën që mban, detyra funksionale, vendndodhjen e objektit zgjedhor që do të ruajë, emrin e eprorit të tij dhe në mënyrë të detajuar detyrat e ngarkuara.
Gjithashtu, çdo punonjës policie do të pajiset me një numër unik nga KQZ, të cilin duhet të mbajë në uniformë, bashkë me emrin e tij. Çdo grup shërbimi do të ketë një drejtues. Grupi i shërbimit do të lëvizje vetëm me mjetet e përcaktuara më parë dhe që kanë një mbishkrim të veçantë. Ndërkaq, KZAZ-ja i drejtohet kreut të policisë vendore dhe njofton menjëherë KQZ, për çdo problem që mund të lindë me sjelljen e punonjësve të policisë të angazhuar në zgjedhje. Ndërkaq, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i kërkon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të marrë masa menjëherë ndaj policit problematik.
Nga ana tjetër, KZAZ i kërkon policisë ndërhyrje për të vendosur rendin në një qendër votimi apo qendër të numërtimit të votave. Sipas vendimit, punonjësi i policisë komunikon me drejtuesit duke e informuar për situatën dhe masat që janë marrë, vlerëson situatën dhe në rast nevoje kërkon përforcime, bashkëpunon me KZAZ dhe sipas rastit bashkëpunon me prokurorinë për kryerjen e veprimeve procedurale. Ndalohet kategorikisht angazhimi i punonjësve të SHSIH në zgjedhje. Gjithashtu, ndalohet edhe angazhimi i ushtrisë, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme.
Askush, përveç personave të autorizuar dhe votuesve kur qëndrojnë në rresht për të votuar, nuk duhet të qëndrojë pranë objekteve zgjedhore në një distancë më pak se 150 metra. Edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021, do të ndalohen famujt dhe posterat e partive. Materialet propagandistike lejohen vetëm në zyrat partiake, në një distancë deri në 5 metra.
( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë
Hall i madh
Përgjigju