Disa prej politikanëve të dhunuar më 26 maj 1996

26 vjet nga zgjedhjet e 26 Majit 1996, 7 dëshmi tronditëse për krimet e pandëshkuara të pushtetit të Berishës! Dhunë, prita, rrëmbime dhe urdhra për eliminime fizike

26 Maj 2022, 19:40| Përditesimi: 26 Maj 2022, 22:52

  • Share

26 Maji 1996 simbolizon vjedhjen e zgjedhjeve me dhunë, tentativën për eliminimin fizik të kundërshtarit, rrëmbimin, përndjekjen dhe dhunimin e përfaqësuesve të kundërshtarit politik, simbolizon pritat, rrëmbimin dhe mbushjen e kutive të votimit, kundërvënien ndaj SHBA etj. Të gjitha këto në funksion të riciklimit në pushtet të Sali Berishës.

Në 28 majit 1996, krerët e opozitës si Servet Pëllumbi, Gaqo Apostoli, Neritan Ceka, Paskal Milo, Ndre Legisi, Namik Dokle, Pandeli Majko, Blendi Gonxhe, Kastriot Islami etj., u dhunuan barbarisht nga policia dhe SHIK-u në Sheshin Skënderbeu, ku kishin dalë për të protestuar. Janë dhunuar gjithashtu Arta Dade, Ermelinda Meksi dhe Skënder Gjinushi. Janë dhunuar në mënyrë çnjerëzore Edi Rama, Erion Braçe, Preç Zogaj, Abren Imami, Perekli Teta, ndërsa gazetari Bardhok Lala është lënë për i vdekur tek Liqeni Artificial.

Majit 1996 janë zgjedhjet e vetme në Shqipëri pas rrëzimit të regjimit komunist, të cilat nuk janë njohur nga ndërkombëtarët. Ishin pikërisht këto zgjedhje të tjetërsuara me dhunë nga Sali Berisha dhe pushteti i tij, të cilët agravuan krizën e firmave piramidale, duke shtuar zemërimin popullor dhe afrimin e shpërthimit të trazirave, të cilat do të kulmonin 10 muaj më pas, në mars të vitit 1997. 26 vite nga krimi elektoral, Shqiptarja.com sjell disa dëshmi të protagonistëve të atyre ngjarjeve, mbi krime të pandëshkuara nga drejtësia.

1. Apollon Baçe, akademik, ish gazetar

“Tre punonjës të SHIK e rrëmbyen gazetarin Bardhok Lala, e futën në një makinë dhe e qëllonin më ç’të mundin. Por duke qenë se autovetura ishte në ecje dhe hapësira e ngushtë nuk u lejonte ta qëllonin më fort, një nga punonjësit e SHIK-ut nisi ta kafshojë gazetarin në pjesë të ndryshme të trupit. Më pas e çuan nga kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës dhe atje ushtruan dhunë shtazarake. E vunë në buzë të ujit dhe e qëllonin me të shtëna pistolete në mënyrë të tillë që plumbat ti kalonin afër për ta terrorizuar sa më shumë. Pasi e dërrmuan nga të goditurat me shkelma e grushta dhe shkopinj gome dhe në fund e hodhën në ujë me mendimin që kishte vdekur. E gjeti një fshatar aty pranë dhe vetëm fati bëri që Bardhok Lala të mbijetojë. Nuk e njoha kur e pashë në atë gjendje. Unë u temerrova nga kjo ngjarje dhe duke qenë edhe drejtor i gazetës “Dita” takova urgjent presidentin Berisha. I tregova për ngjarjen dhe për këtë kanibal që shteti i asaj kohe kishte por nga biseda kuptova gjithçka kishte dalë jashtë kontrollit”.

2. Ilir Gurabardhi, ish funksionar i PS-së

 “Në kohën kurë populli i Burrelit dhe drejtues të PS prisnin në Pallatin e Sportit, Alfred Haxhia urdhëron rrëmbimin e makinës shtetërore 101K, i heqin targat dhe e mbushin me gurë për të kryer aksident me drejtuesit e PS që po vinin nga Tirana. Aksidenti ishte parashikuar në Shkopet ose në rrugën e Bazit, në një zonë të thyer. Aty do të kalonte Servet Pëllumbi, Namik Dokle etj. Por, ndërhyrja e shoferit të komitetit Bashkim Mata arriti të neutralizojë tentativën, duke bërë të mundur që krerët e PS të kalojnë. Të ardhurit e PS nga Tirana me në krye Servet Pëllumbin e Namik Doklen kanë kaluar pas 15-20 minuta vonese dhe arritën në pallatin e sportit ku priste populli. Pas mbajtjes se fjalës nga Rexhep Kërçiku, kryetar i PS Mat, i jepet fjala Servet Pëllumbit, por në këtë moment thyhen dyert e pallatit të sportit dhe futet grupi i ndërhyrjes së shpejtë nën drejtimin direkt të Alfred Haxhisë. Pasi godasin me grusht Kryetarin e forumit rinor socialist Rasim Skurën, (në atë periudhe mbuloja detyrën e kryetarit të rrethit, pasi z. Hamdi Beshku ishte hedhur kandidaturën për deputet në Mat) nxitoj dhe u largoj nga duart e policisë Rasimin. Ju fola në emër të funksionit dhe shprehimisht me thanë: Profesor ik kemi urdhër të vrasim. U tremba. por s’kishte tërheqje më. Por një urdhër i A. Haxhisë që rinte tek porta e brendshme e pallatit, bëri që njëri të shkëputej nga turma dhe të më godiste në vetull. Të nesërmen ai më kërkoi falje familjarisht, pasi ishte i shtyrë. Falë gjakftohtësisë së drejtuesve të PS që përmbajtën popullin dhe truprojat e tyre, nuk u lejuar që të futej grupi i gatshe për të realizuar masakrën”.

3. Spartak Braho, ish deputet dhe funksionar i PS-së

Arritëm në rrugën e Pallatit të Sportit. Zbritëm dhe ecëm në drejtim të tij të rrethuar nga turmat e popullit që na priste me entuziazëm. Me kujdes, duke mbajtur profesorin, pash midis turmës disa fytyra të dyshimta që ishin përzier dhe që synonin të futeshin brenda në Pallatin e Sportit. Ecnim me vështirësi dhe disa metra para hyrjes kryesore pash dikë që nxori thikën dhe po shtyhej në drejtimin e grupit kryesor. “Ky është ai i masakrës”, mendova. Dhe dikujt që nuk më kujtohet, i bëra shenjë duke i thënë ‘mbërthejeni atë mut’, duke e treguar me gisht. Por, rreziku nuk kishte kaluar. Pikërisht në hyrje të derës së Pallatit të Sportit, pjesa sipërme e së cilës ishte veshur me xham, u zgjat një shufër e gjatë hekuri dhe goditi në drejtim të kokës së profesorit. E pash personin ishte L. Dauti bashkë më vëllanë e tij. Xhami u thyer në mes dhe një copë e madhe në formë trekëndëshi me majë poshtë mori drejtimin për të rënë mbi kokat tona, ku më pranë ishte profesori. E shtyva profesorin me forcë që të kalonte edhe atë gjysmë metri të derës. Copa e rënë e xhamit ra me forcë mes trupave tanë, por profesori kishte shpëtuar. Një shoqërues i tij shtrëngonte dorën e gjakosur. Xhami kishte goditur atë. U futëm në sallë  e elektrizuar nga thirrjet e simpatizantëve socialistë prisnin. Të sigurt që ia kishim hedhur SHIK-ut dhe policisë së Sali Berishës për të na prishur mitingun dhe për të na masakruar. Por mua në vesh për shumë kohë më kumbonte një zë: “Të masakrohet Servet Pëllumbi”. Lidhur me këtë ngjarje, profesor Servet Pëllumbi kujton se atë që nuk u realizua për ta masakruar atë në 22 maj 1996 në Durrës, Sali Berisha e realizoi në 28 maj 1996 në mitingun e PS-së sheshin Skënderbej në Tiranë. Fotografia e gjakosur e tij së bashku me një gazetar spanjoll shëtiti kryefaqet e agjencive botërore. Disa muaj më parë, pikërisht në 22 dhe 29 mars ishin masakruar nga SHIK-u dhe Policia Sekrete Ndre Legisi, Edi Rama, Erion Braçe, Bardhok Lala (gazetar i gazetës Koha Jonë), etj.

4. Agim Rama, fotoreporter

“Nuk më hiqet nga mendja dhunimi që iu bë gazetarit Bardhok Lala, mikut të Preç Zogajt. Më dërgoi prof. Serveti: "Shko me Preçin",- me tha. Ika me Preçin dhe dy të tjerë që nuk më kujtohen diku larg. U futëm brenda në pallat dhe trokitëm në një shtepi ku ndodhej viktima. Shkrepa aparatin fotografik pa e ditur se kush ishte. Për hir të së vërtetës nuk e njoha Bardhok Lalën dhe pse e kisha shok dhe pak orë më parë kisha qenë me të. Sa herë i thoja se mustaqet do të marrin në qafë. Nuk dija se do t'i ndodhte kjo gjëmë, por që mustaqet ishin shenjë dalluese për gazetarin e kronikës së zezë. Preçi,mezi mbushej me frymë sepse dhe ai qe dhunuar në miting me Perekli Tetën, që, më vonë, me ardhjen në pushtet të socialistëve, do bëhej ministër i Brendshëm. Si je Bardhok? - e pyeti Preçi. Por Bardhoku që mbahej me qeska akulli në kokë e trup, nuk kishte fuqi të fliste sepse i gjithë trupi i qe nxirë nga dhuna barbare, pasi qe rrahur, dhe hedhur në një pusetë diku nga Liqeni si i vdekur. Gjetja e tij dhe mos dërgimi në spital por në shtëpinë e një të afërmi të tij ,ishte bërë për faktin e frikës se mos e helmonin në spital forcat e SHIK-ut”.

5. Izet Haxhia, ish truproja i Sali Berishës

“Në 26 maj ka pasë një mobilizim të jashtëzakonshëm të gjithë strukturave që drejtoheshin nga SHIK. Kanë vepruar si gestapo. Berisha i ndiqte zhvillimet nga vila numër 4. Aty erdhi Gazidede me urgjencë kur u mor vesh tërheqja e të gjithë komisionerëve të majtë nga votimet dhe nga numërimi i votave. Fillimisht mbaj mend që na shkaktoi habi e hutim, por pastaj shtoi oreksin për mbushjen e kutive. Në disa zona u hodhën brenda kutive të votimit edhe fletëvotimet rezervë që ruhen për raste emergjente, gjë që çoi që disa rezultate të kutive të votimit të dilnin 120 për qind. As në kohë të Enverit nuk dilnin kështu. Vidhnin sikur po realizonin normat e prashitjes në atë kohë... Edhe unë jam bërë pjesëtar i kësaj dhune. Kam goditur një gazetar sepse m’u drejtua mua, më tha “çfarë po bëni, o kafshët e Berishës”. Për mua gjëja më e turpshme dhe më e rëndë ka qenë rrahja nga ana e policisë dhe SHIK-ut e profesor Servet Pëllumbit. Për profesor Pëllumbin pavarësisht nga bindjet, kam patur dhe kam respekt. Atë ditë është rrahur edhe masakruar edhe “gjenerali” i mëvonshëm i rebelimit, me urdhër të veçantë po të “gjeneralit” të mëvonshëm të shtypjes së rebelimit, Gazidedes”.

6. Hamdi Jupe, ish deputet i PS-së

““Kanë rrahur keq Edi Ramën, është rëndë…”. Zëri i kolegut të radios londineze “BBC” përmes receptorit të telefonit këtë radhë vinte trishtueshëm. Nuk arritëm ta pyesnim për hollësira të tjera, ndonëse arritëm të kuptonim tragjedinë. Në urgjencën e spitalit nr. 2, e vetmja shenjë që identifikonte njeriun e plagosur rëndë me piktorin dhe publicistin e njohur Edi Rama, ishte gjysma e trupit jashtë krevatit të zakonshëm të mjekimit. Zoti dhe trupi i hekurt i tij dukej se e kishin shpëtuar gjallë. Përpjekjet për të dalluar tiparet e fytyrës së Edit i pengonin rrëketë e gjakut që kishin mbuluar fytyrën dhe trupin. Hematomat kishin filluar të përshpejtoheshin. Buza kishte filluar t’i ënjtej me shpejtësi. Ndërsa mjeku bëhej gati të ndërhynte, bashkë me Nikoll Lesin dhe Ben Blushin, dëgjuam disa copëza nga fjalët: “Deshën të më vrisnin?!…” Me mirësjellje, mjeku na porositi të mos i flisnim. Sapo dolëm, në korridor e jashtë urgjencës ishin mbledhur dhjetëra miq të Edit, intelektualë, piktorë, aktorë e gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut etj”.

7. Edi Rama, kryeministër

“Mjeku që më trajtoi në Paris mendoi se ishte një mrekulli që mbijetova dhe se kjo ishte vetëm për shkak të aftësive dhe forcës sime fizike. Dikur kam qenë basketbollist në ekipin kombëtar.

Në fillim ishte thjesht e tmerrshme, kishte ditë që nuk ndjeja absolutisht asgjë, më pas pati shpërthime euforie dhe në fund një fazë mjaft e errët. Mjeku im më kishte paralajmëruar për këtë. Kjo gjendje zgjati për muaj të tërë, edhe për shkak se Shqipëria ishte shumë e mbushur me dhunë, vazhdimisht në prag të luftës civile. Në fund, kjo përvojë më bëri të fortë, madje nuk më interesonte më se kush donte të më vriste. Jo, nuk dua. Unë kisha jetuar në Paris prej disa vitesh dhe arrita të vendosem atje si artist. Ky pozicion i vetëmjaftueshëm më dha liri të brendshme të pamasë. E vetmja gjë që më mbeti pas kësaj përvoje ishte vendosmëria për të çliruar vendin tonë nga këto forca të errëta e të dhunshme. Jeta ime u përcaktua nga konteksti historik. Nëse do të kisha lindur në Gjermani, me strukturat e saj të plota, nuk do të kisha hyrë kurrë në politikë! Në Shqipëri, e vjetra duhej shkatërruar dhe të ndërtohej e reja në të njëjtën kohë. Një detyrë herkuliane, por pas sulmit ndaj meje, gjeta forcën për ta bërë”.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Nora: 27/05/2022 15:58

    Ndersa fenomeni dhe kampioni socialist Brace u mjekua ne Berat, "tranvestiti politik" Rama qenka mjekuar ne Paris. Eshte konfirmuar tashme paaftesia e Berishes per te menaxhuar protestat dhe pasojat e renda si shkak i orientimit te gabuar. Nga besimi i genjeshtert ne 1996 per mbeshtetje nga "miqte" qe e nxiten me ekstremizmin antikomunist kur e rekrutuan dhe instaluan ne pushtet (SHBA, France, Itali, Greqi), tek verberia dhe letargjia politike ne 2011 per pritshmeri zero se "miqte" kurre nuk mund te mbeshtesnin dhunen antishtet. Madje ka te ngjare qe Berisha ende nuk e ka kuptuar ose kupton qe fuqite dhe shtetet e huaja nuk kishin/kane vetem ate ne listat e pagesave. Por edhe te tjere, qe gdhihen ne Tirane dhe ngrysen ne Paris. Apo nisin kamariere, dhe shkelqejne si perkthyes ne UMNIK. Nje gje i bashkon me Berishen, ama, njohja e gjuheve te huaja dhe egoizmi politik - si vlera te spikatura qe agjencite e huaj perzgjedhin lidershipat tane te rinj! Sidoqofte, meqe Berisha rimori kryesimin ne PD, me "forcat e veta" i paster nga cdo ndikim, ai duhet minimumi te kerkoje falje dhe demonstroje pendese per 1996 dhe 2011. Kjo nuk do te thote qe, te ngjashmit e tij ne anen tjeter te nxisin urrejtje permes ketyre ngjarjeve, dhe te gatisin ndonje rezolute anti Sali, perkunder genocidit serb ne Ballkan.

    Përgjigju
  • Xxxxx: 26/05/2022 21:27

    Behu edhe njeher kryeministar o sali edhe zhdepi edhe njeher ne dru keta horra papapa te vij edhe njeher ajo dit...

    Përgjigju
    • Parruca: 27/05/2022 08:37

      Shtaze! Te rente ne koke ajo qe ju uron te tjereve.

  • Viçidoli: 26/05/2022 20:15

    Në respekt të gjakut të derdhur nga diktatura berishiste që fytyra e vertetës e këtij vrasësi kameleon me emrin Sali të pasqyrohet në media ,portale gazet viti i tmerrshëm 1996,ku filloj tjetërsimi i votës së lirë të popullit që fatkeqsia Sali të mos përsëritet dhe të shpëtoj Shqipëria.

    Përgjigju
    • Patrioti vertete: 26/05/2022 22:39

      Po Bardhyli nga Kosova cfare mendimesh ka. Po Arberori dhe Taulanti? Po Andi Bushati etj? Te presim pergjigjen e qytetarit dixhital........ eshte sajese.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?