Nëse Nënë Tereza do të shfaqej sot në vendin tonë, në përkujtim të 3-vjetorit të shenjtërimit të saj nga Papa Françesku, ajo do të jepte disa mesazhe të rëndësishme për dinjitetin e gruas shqiptare, për tensionet politike në vend, por edhe për racizmin. Kështu u shpreh arqipeshkivi metropolitanë në Tiranë, imzot Georgo Frendo gjatë meshës që mbajti në katedralen “Shën Pali”. Gjatë një interviste për kamerën e “ReportTV” imzot Frendo e cilëson Nënë Terezën jo vetëm humaniste, por edhe një apostull, që ka ushtruar ëndrrën e Krishtit.
“Vepra e Nënë Terezës nuk është thjesht filantropi, por është një apostulli, që ajo e ka ushtruar në ëndrrën e Krishtit. Vepra e saj ishte e frymëzuar nga feja edhe pastaj nga dashuria. Unë them se nuk mund të pyesim se çfarë ka bërë Nënë Tereza, pa e pyet se përse e ka bërë. Ajo besonte në fjalën e jezusit. Ajo është shpallur edhe ka merituar çmimin ‘Nobel’ për paqen, ajo ka dashur vendlindjen e saj, se ka harruar kurrë Shqipërinë”, thotë imzot Georgo Frendo.
Imzot Frendo mendon se një mesazh i Shën Terezës do të ishte jo vetëm për shoqërinë tonë, por edhe për politikanët shqiptarë.
“Në këtë periudhë shumë të tensionuar, nëse ajo do të vinte këtu do të na qortonte që të angazhohemi më shumë për stabilitetin e vendit, për rendin paqësor në shoqëri, e veçanërisht duke qortuar edhe politikanët për të gjetur rrugën e duhur për të mirën e popullit”.
Nënë Tereza është e para shqiptare që është shenjtëruar, edhe që mban çmimin ‘Nobel’, është një nga njerëzit më të populluar në shekullit XX. Akti i saj fisnik, që të shkonte tek varri i Enver Hoxhës, i cili i kishte refuzuar vizën që të vinte në varrim të nënës së saj, e forcon edhe më shumë mirësinë e humanistes
“Fakti se ajo ka pas guxim që të shkoi tek varri i Enver hoxhës, që se ka lënë këtu as për varrimin e nënës së vet, kjo tregon guximin e faljes. Dashuria heroike kërkon edhe falje ndaj atyre që na kanë dëmtuar”, vijon imzot Frendo.
Ndërsa, ajo çka po ndodh në shoqërinë tonë me dinjitetin e gruas shqiptare, për Imzot Frendon është e turpshme, sikundër do të ishte edhe për Nënë Terezën.
“Kemi dëgjuar edhe në këto ditë raste shumë të dhimbshme edhe të turpshme, gra të keqtrajtuara edhe të rrahura barbarisht. Unë besoj se në sistemin arsimor duhet që të formojmë karaktere që në sistemin arsimor. Para disa vitesh, në vitin 2008 kur kam fol për barazi mes gruas edhe burrit, ka pasur disa djem në tetëvjeçare, që nuk u pëlqeu kjo gjë. Nganjëherë kur ka një pakicë, që nuk janë pranuar nga shokët e tyre. Ky është një diskriminim. Ky është edhe një mesazh tjetër që ka Nënë Tereza për shoqërinë e sotme. Jemi në një shoqëri që është bërë më shumë raciste. Shikojmë se si trajtohen ata që vijnë nga vendet afrikane. Dyert për ta janë të mbyllura. A nuk kanë ata nevojë për një jetë më shumë dinjitoze? Patjetër! Detyra jonë që të ndajmë gëzimin tonë. Kur e shikojmë në fotografitë e saj e shohim përherë me buzëqeshje. Me përjashtim kur mban në duar fëmijë të varfër. Madje shpesh përsëriste për motrat, jepni një buzëqeshje të madhe, sepse një buzëqeshje është një gjuhë, që do të thotë unë të dua. Edhe për këtë ka nevojë që në takimet tona me njerëzit të takojmë këtë buzëqeshje”, shprehet arqipeshkivi i Tiranës.
Në nderim të veprës së Shën Terezës, imzot Frendo mendon se në vendin tonë bëhen përpjekje, por nëse këto përpjekje bëhen edhe në praktik jo vetëm në teori, kjo do të na bënte një shoqëri më të mirë
“Kjo ditë këtu është një fest publike, kjo tregon se vlerësohet shumë figura e Nënë Terezës, respekti ndaj saj nuk duhet të jetë vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Duhet të bëhemi më të vetëdijshëm me vepra. Ka pasur shpërndarje në facebook të thënieve të saj, kjo tregon edhe për fëmijët tanë, që tregojnë dinjitetin e jetës. Ne jemi në një shoqëri që dëgjojmë shumë për vetëvrasjet edhe për depresionet, por ajo na mësoj se jeta është e bukur dhe duhet jetuar”.
Nënë Tereza (1910-1997) u shua në moshën 87-vjeçare. Ndërsa, në vitin 2016 u shenjtërua nga Papa Francesku.