Është 33 vjeç, por mbi supe mban mbi 15 vite eksperiencë si kuzhinier.
Ishte një kurs disa-mujor pasi përfundoi gjimnazin që e bëri Ndoc Shtjefnin të kuptonte talentin në kuzhinë.
Fillimi ishte i vështirë për të, pasi dhe pagesat ishin të ulëta, por falë vullnetit dhe pasionit ia ka dalë. Madje edhe të ngrejë një biznes në në sektorin e kulinarisë.
“Kam bërë një kurs fillestar. Pas kursit kam punuar me shefa shumë të mirë. Kam bërë një specializim në Itali. Kam punuar si shef kuzhine në Tiranë, jug dhe në Lezhë dhe pas shumë viteve eksperiencë kam hapur një biznes të vogël timin. Më shumë bëjmë pasta të freskëta. I mungojnë qytetit tonë. Fillimi ka qenë i tmerrshëm. Nuk më dilnin lekët as të paguaj qiranë”, tha Shtjefni.
Kuzhina është art, por nga ana tjetër, thotë Ndoci, është edhe një profesion që të izolon.
“Kuzhina është art dhe nëse nuk e do, nuk e bën dot. Janë shumë degë në kuzhinë. Është si një pemë që rritet. Është aventurë në vete. Kuzhinën duhet ta duash që ta bësh. Është punë që të izolon. 12-13 orë të mban brenda dhe një temperature të lartë. Asnjëherë nuk je i kompletuar. Krijon receta të reja. Kuzhina është art dhe fjala art prodhon çdo ditë”, tregoi shefi i kuzhinës.
Puna e kuzhinierit është ndër më të kërkuarat dhe të paguarat sot në Shqipëri, ndaj 33-vjeçari ka një apel për të rinjtë.
“Është një ndër profesionet më të kërkuara. Nuk ka përfundim kurrë. Unë e kam shfrytëzuar Italinë për me marrë eksperiencë. Çdo i ri nëse punon fort i arrin gjërat vetë”, përfundoi ai.