4 vjet reformë në drejtësi, 16 arritjet nga largimi i 140 të korruptuarve deri tek ngritja e institucioneve të reja, mungon Byroja e Hetimit

22 Korrik 2020, 16:59| Përditesimi: 22 Korrik 2020, 19:17

  • Share

Katër vjet më parë, në 22 korrik të vitit 2016, 140 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, nën presionin e fortë të SHBA-BE, votuan arkitekturën e drejtësisë së re, duke startuar një nga reformat më të rëndësishme në historinë e pluralizmit shqiptar. Ndryshimet kushtetuese të 2016 janë shinat, mbi të cilat vijon të ecë sot reforma në drejtësi, bashkë me sukseset, pengesat, kritikat, bllokadat, akuzat dhe tentativat e vazhdueshme për ta sabotuar. Shqiptarja.com sjell në vëmendje 16 zhvillimet më të rëndësishme rreth reformës në drejtësi gjatë këtyre katër viteve. Në harkun kohor të katër viteve, janë ngritur dhe funksionojnë shumica e organeve të drejtësisë së re, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokuroria e Posaçme, Gjykatat Speciale, Këshilli për Emërimet në Drejtësi.  

Konstituimi dhe funksionimi i këtyre institucioneve ka ardhur pas miratimit të 6 ligjeve të rëndësishme, pjesë e një pakte me 27 ligje, për zbatimin e reformës në drejtësi. Pas ndryshimeve kushtetuese në korrik, në gusht të 2016 u miratua ligji i Vetingut, ndërsa në tetor 2016 u miratuan ligjet kyçe për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, për statusin e magjistratëve, 2016 për organizimin e pushtetit gjyqësor, për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë, ligji për SPAK dhe gjykatat speciale. 

Në qershor të 2017, 10 muaj më vonesë, u konstituuan organet e Vetingut, të cilat deri më sot kanë shkarkuar nga detyra 101 gjyqtarë dhe prokurorë, kanë konfirmuar  87 të tjerë, ndërsa 40 subjekte kanë dhënë dorëheqjen nga frika e Vetingut. Në dhjetor të 2018, krijohen dhe fillojnë punë dy qeveritë e drejtësisë shqiptare Këshilli i Lartë i Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. KLP dhe KLGJ kanë nisur të zëvendësojnë me magjistratë të rinj të shkarkuarit nga Vetingu. 
 
Në nëntor 2019 emërohen tre anëtare e parë të Gjykatës Kushtetuese, e cila ishe boshatisur nga Vetingu, ndërsa në dhjetor zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm, Olsian Çela, me mandat 7-vjeçar.  Në dhjetor të 2019, krijohen SPAK dhe gjykatat speciale, një nga kolonat më të rëndësishme të reformës në drejtësi, për goditjen e korrupsionit dhe krimit në të gjitha nivelet. Në janar zgjidhet kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa në 11 mars 2020 emërohen tre anëtarë e parë të Gjykatës së Lartë nga 19 vende vakante. 

Ndërkaq, sot mungon Byroja Kombëtare e Hetimit, një strukturë e posaçme pranë SPAK, e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila do të kopsitë dosjet e krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet. Po ashtu, vijojnë të mbeten të paplotësuara me shumicën e anëtarët Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, të cilat u boshatisën për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut. Nuk funksionon plotësisht as Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, për shkak të mungesës së stafit, ndërsa është zgjedhur drejtuesi. 

Për katër vite më radhë, reforma në drejtësi është sulmuar dhe akuzuar si asnjëherë më parë nga opozita PD-LSI dhe sidomos nga Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Madje, Meta e ka konsideruar reformën si një komplot ndërkombëtar. Nga ana tjetër, reforma në drejtësi vijon të vlerësohet në të gjitha raportet ndërkombëtare si një nga arritjes më të rëndësishme të Shqipërisë. Madje, diplomatët e perëndimorë e kanë konsideruar Vetingun si një shembull që duhet ndjekur edhe nga vendet e tjera. 

Zhvillimet më të rëndësishme rreth reformës në drejtësi 

-22 korrik 2016: Miratohen ndryshimet në Kushtetutë me 140 vota, duke projektuar drejtësinë e re dhe shembur drejtësinë 24-vjeçare, e konsideruara si më e korruptuara në Evropë. 

-30 gusht 2016: Miratohet ligji i Vetingut me 88 vota, për kontrollin e rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. 

-Tetor 2016: Miratohen ligjet kryesore për zbatimin e reformës në drejtësi si ligji Nr. 96/2016 për statusin e gjyqtarëve dhe prokuroreve, ligji Nr. 97/2016 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë, ligj Nr. 115/2016 për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ligj Nr. 98/2016 për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë si dhe ligj Nr. 95/2016 "Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (SPAK). 

-Qershor 2017: Miratohen 27 njerëzit e organeve të Vetingut, duke përfshirë anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit si dhe Komisionerët Publikë. Deri më sot, organet e Vetingut kanë shkarkuar nga detyra 101 gjyqtarë dhe prokurorë, kanë konfirmuar në detyrë 87 të tjerë, ndërsa 40 subjekte kanë dhënë dorëheqjen nga frika e Vetingut. 

-20 dhjetor 2018: Konstituohet dhe fillon punën Këshilli i Lartë i Gjyqësor, organi më i rëndësishëm i drejtësisë së re për qeverisjen e gjykatave. 

-27 dhjetor 2018: Konstituohet dhe fillon punën Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i njohur si qeveria e sistemit të prokurorisë. 

-12 korrik 2019: KLP emëron 6 prokurorë të rinj të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës. 

-4 gusht 2019: KLGJ emëron 10 gjyqtarë të rinj, duke zëvendësuar të shkarkuarit nga Vetingu si të korruptuar. 

-Nëntor 2019: Emërohen tre anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji, ndërsa mbeten edhe 6 vende vakante, përfshirë edhe pozicionin e Viore Tushës, të cilës i ka mbarur mandati prej 3 vitesh. 

-5 dhjetor 2019: Olsian Çela u zgjodh Prokurori i ri i Përgjithshëm për shtatë vitet e ardhshme, duke zëvendësuar në këtë post Arta Markun. 

-18 dhjetor 2019: Krijohet Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila do të shqyrtojë dosjet që do t’i referojë SPAK-u. 

-19 dhjetor 2019: Krijohet Prokuroria e Posaçme (SPAK), fillimisht me 8 prokurorë. SPAK është një nga kolonat më të rëndësishme të reformës në drejtësi, për goditjen e korrupsionit dhe krimit në të gjitha nivelet në Shqipëri, sidomos në nivele të larta. 

-10 janar 2020: KLGJ emëron 15 gjyqtarë të rinj, duke zëvendësuar të shkarkuarit nga Vetingu si të korruptuar. 

-20 janar 2020: Zgjidhet kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë formimit të një tjetër institucioni të ri tejet të rëndësishëm në drejtësi, i cili ka për detyrë vlerësimin dhe ndëshkimin e praktikave abuzive në drejtësi. 

-11 shkurt 2020: KLP emëron 6 prokurorë të rinj të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës. 

-11 mars 2020: Emërohen tre anëtarë të Gjykatës së Lartë nga 19 vende vakante. Emërohen Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda. Mbeten edhe 16 vende vakante. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?