GJIROKASTËR- Deri më tani janë vaksinuar rreth 4500 punonjës policie që janë vaksinuar. Nga Gjirokastra, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është shprehur se vaksinimi i i uniformave blu pritet të përfundojë në të gjithë vendin brenda disa ditësh, teksa tha se nuk ka pasur asnjë refuzim nga ana e tyre.
“Më në fund po bëjmë edhe këtë hap shumë të rëndësishëm për një trupë e cila ka qenë gjatë gjithë kohës së pandemisë në krye të detyrës, sidomos në periudhën e parë ku do duhej që respektoheshin gjithë masat e mbylljes, por edhe më vonë pastaj për masat e tjera të kufizimeve. Jam shumë i kënaqur që këtu vaksinimi po ecën normalisht. Nuk ka pasur asnjë refuzim asnjë komplikim", tha Çuçi.
Gjatë një komunikimi me mediat, ai vlerësoi rëndësinë e këtij momenti për të gjithë efektivët, të cilët kanë qenë në krye të detyrës që prej mbylljes së parë për shkak të pandemisë e deri për zbatimin e kufizimeve të vendosura nga qeveria. Ministri Çuçi shprehu ngushëllimet për familjet e 29 efektivëve që kanë humbur jetën për shkak të COVID-19.
"Shumë shpejt do të mbarojë ky proces kaq i rëndësishëm për këtë trupë për të cilën duhet të kemi një respekt të veçantë sidomos në kohëra të tilla të fatkeqësive natyrore. Me këtë rast i shpreh edhe njëherë ngushëllimet të 29 familjeve të efektivëve të policisë që kanë humbur jetën për shkak të Covid 19”, tha ministri Çuçi.
Procesi nisi 3 ditë më parë në qendrën e madhe pranë stadiumit “Air Albania” dhe në disa qendra të tjera në mbarë vendin.