TIRANE - Panairi i Librit “Tirana 2018” mbyll siparin. Shkrimtarë, studiues, kritikë letrarë, botues, por edhe lexues të thjeshtë rrëfejnë mendimin e tyre për edicionin 21- të panairit. 100 ekspozues zhvilluan rreth 50 aktivitete, promovime librash. Ndërsa, Shoqata e Botuesve Shqiptarë ndau çmimet e karrierës, të përkthimit më të mirë, inkurajues dhe jo vetëm, bazuar në 130 tituj të rinj në shqip, por edhe në gjuhë të huaj.
Edhe pse mungoi çmimi i letërsisë për fëmijë, kritikët mendojnë ndryshe nga botuesit, se letërsi të mirë për fëmijë ka, por prioritet janë përkthimet. Shkrimtari Lazer Stani edhe kritiku letrat Ben Andoni ndalin tek disa nga problematikat e këtij panairi.
Nuk jam edhe fort i kënaqur, se botuesit janë biznesmen, ndjekin parimin e biznesit. Unë jam që ky është panairi i librit shqip edhe prioritet duhet që të jenë autorët shqiptarë, jo përkthimet. Rrallë gjen ndonjë përkthim që më të vërtetë ke kënaqësi që ta lexosh, ndoshta për shkak të ngutjes për t;i botuar. Një përkthyes për të mbijetuar duhet të përkthejë 4-5 libra brenda vitit, në vitet ’60 një libër përkthehej për dy vjet.
Lazer Stani, shkrimtar edhe përkthyes
"Panairi vazhdon që të jetë një festë për librin, por nuk është ende një festë e librit. Por mendoj se është gjithnjë edhe më shumë, si festë e shitjes së librit, tryezat trajtojnë më shumë problemet e njësive të veçanta. Ka probleme shumë të mëdha të TVSH-së. Ka handikape pa fund me TVSH-n e librit. Ministria jonë e kulturës nuk të jep zgjidhje për këtë. Ka një shpresë për ligjin e librit, por në parlament mungon opozita. Edhe nëse kalon ligji i librit, nuk do të përfshijë të gjithë grupet e interesit", thotë Ben Andoni, kritik letrar, përkthyes.
“Duhet bërë një punë titanike. MK duhet që të jetë serioze edhe nuk duhet që të gënjejë. Duhet që të punojë për ta implementuar. Në sensin që politikën e vërtetë për librin edhe ligjit për librin duhet ta çojë deri në fund. Pretendojnë se libri shkon në shkolla, por realisht nuk shkon”, thotë më tej Andoni.
Botuesja Berhami e konsideron një festë të madhë Panairin e Librit, pasi ka mundësi që të njihet me shijet e lexuesit.
“Është një festë e madhe, kemi pasur takime me lexuesit dhe kemi marrë sugjerime. Përzgjedhja që bëjmë ne, është pak e drejtuar nga pritshmërit, prandaj sivjet patëm një autor shqiptar, Enkel Demi me “Gurët e vetmisë” edhe nobelistin Kazuo Ishiguro me “Dita e mbetur””, tha Loreta Berhami, botuese.
Ndërsa, nuk mundojnë as mendimet e lexuesit të rregullt për Panairin e Librit. “Shokohemi nga shumëllojshmëria e titujve, 12 muaj më duket sikur shtëpitë botuese pushojnë, ndërsa vijnë ditën e panairit me libra, kur ka mundësi që këto botime t’i paraqesin gjatë gjithë muajt të vitit”, thotë Shpëtim Sala, koleksionist, studiues.
“Librat janë shumë të mirë, panairi shumë i pasur, por çmimet pak të larta për ne shqiptarët”, thotë një lexues.
“Përjashto Kadarenë, të tjerët nuk i njoh. Nuk kam interes të lexoj autorët shqiptarë, se asnjë autor s’ka prek realitetin e paskomunizmit, të gjithë i shmangen. Mos të ankohemi përse s’ka lexues, lexuesi i zakonshëm nuk i përballon dot këto çmime”, shton një tjetër lexues.
Këtë vit në Panairin e Librit ishin rreth 200 tituj të rinj. Titulli më i kërkuar nga lexuesit mbetet libri i Ismail Kadaresë, “Kur sunduesit grindet”.