TIRANË- "Hyrja në fuqi e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të dala si rezultat i marrëveshjes së 5 qershorit do të sjellë sfida të reja për partitë politike, më e rëndësishmja riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve".
“Nuk do ketë një trup me 7 anëtarë por kemi një sistem tjetër, një Komisioner në rolin e Drejtorit Teknik, një ndihmës komisioner dhe ndërtimin e 2 trupave të përbërë nga 5 anëtarë, Komisoni Rregullator dhe Komisioni i Ankimeve e Sanksioneve. Është detyrë primare e Kuvendit që sapo të fillojë kjo legjislaturë të merren me riformatimin e KQZ së re. Të hapin procedurat për kandidimin për Komisionerin, nënkomisionerin dhe dy trupat”, tha anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi për Report Tv.
Nuk ka qenë e lehtë puna e KQZ-së aktuale në trysninë e madhe të ndikimit politik, dhe nuk do të jetë as për KQZ-në e re sipas Skënderit.
“Unë mendoj që janë 3 sfida kryesore që do ketë KQZ e re që do krijohet, hapja e listave, implementimi i teknologjisë në zgjedhje dhe vota e emigrantëve. KQZ e re do ketë shumë punë për të bërë”, tha ai.
Për anëtarin e KQZ, ndryshimet e bëra deri më tani, si në Kodin Zgjedhor ashtu dhe në Kushtetutë, nuk mjaftojnë.
“Ky proces në kuadrin e një debate që ka mbarë shoqëria shqiptare, sapo ka filluar. Ndryshimet kushtetuese është vetëm pika e nisjes, është një proces i gjatë, i vështirë për t'u implementuar. Do duhet të bëhen ndryshime të tjera në kodin Zgjedhor të përcaktojnë në mënyrë të detajuar procedurat për mënyrën se si do funksionojë procesi i votimit, do hapen listat 100%, do ngelet një pjesë e listës së hapur apo e mbyllur, do ngelet votimi me qarqe apo do bëhen disa rajone më të mëdha. Do detajohen sa deputetë kanë të drejtë nga lista të përzgjedhin një votues”, shtoi Skënderi.
Procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve do të nisin brenda muajit gusht, dhe së shpejti pritet që Kuvendi të hapë thirrjen për të gjithë kandidatët të cilët do të jenë pjesë e institucionit të administrimit zgjedhor. Duke filluar që nga dita e sotme, Kuvendit ka 60 ditë afat për të zgjedhur anëtarët e secilit organ të KQZ-së së re, kështu që deri në 19 tetor, KQZ do ketë hallkë dhe anëtar të rinj, të zgjedhur në bashkëpunim me Partinë Demokratike.
Ahahaha ik me Dakun e futi ndonje 12x shoku se sje per ate pune
Përgjigju