Ekonomi

54 mln € borxhe! Projekt-buxheti 2022 i jep bashkive 225 mln euro, Haxhimali: Nuk mjafton, shumica e pushtetit vendor varet nga buxheti shtetit

29 Tetor 2021, 21:51| Përditesimi: 29 Tetor 2021, 22:08

  • Share

Për vitin që vjen qeveria ka vendosur t'u japë bashkive 225,5 milionë euro në formën e transfertës së pakushtëzuar, për të realizuar funksionet e tyre. Kjo vlerë e parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2022, është 7,68 milionë euro më shumë se shuma e këtij viti. Kjo rritje sipas kryetarit të Shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali është e papërfillshme.

“Buxheti i bashkive është shumë herë i limituar në raport me nevojat, me përgjegjësitë, me funksionet, shërbimet dhe padiskutuar më pas në raport me nevojat reale që kanë qytetarët”, thotë Haxhimali.

Përpos këtij buxheti të limituar, Haxhimali thotë se bashkitë duhet të tregohen të kujdesshme në shpenzime, dhe liston 3 sektorët ku duhet të përqendrohen.

“Mendoj që bashkitë duhet të jenë shumë racionale dhe të ulin në maksimum shpenzimet e mundshme, dhe pjesën më të madhe të buxhetit ta çojnë për shërbime, për investime, janë 3 fusha kryesore që mbeten problematike nëpër bashki, siç janë shërbimi i ujësjellësve dhe kanalizimeve që vazhdon të mbetet akoma probleme, qoftë për sasinë qoftë për cilësinë. Kemi probleme edhe sa i takon menaxhimit të mbetjeve dhe e treta është menaxhimi i zjarreve dhe përmbytjeve”, pohon eksperti i çështjeve të pushtetit vendor.

Problem sipas Haxhimalit mbetet edhe varësia që disa bashki kanë ndaj financimit të shtetit.

“Janë të rralla ato bashki që kanë më shumë të ardhura nga buxheti i tyre, sesa nga buxheti i qeverisë, pjesa tjetër e bashkive mbeten problematike dhe mbesin të mbështeten, të financohen nga transferta e pakushtëzuar”, thotë Haxhimali.

Nga ana tjetër pushteti vendor kishte rreth 54,2 milionë euro detyrime të prapambetura deri në muajin qershor 2021, që mbeten një shqetësim për gjendjen financiare të tyre.

“Detyrimet janë të larta për të ardhurat që ata kanë. Ujësjellësit janë problemi kryesor”, thotë eksperti.

Ndërkohë Ministra e Financave thotë që ka një plan për shlyerjen e detyrimeve nga pushteti vendor, dhe situata po monitorohet.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?