Sot, pa dyshim ishte një ditë e jashtëzakonshme për Shqipërinë, sepse për herë të parë në historinë e saj dhe po ashtu për herë të vetme që asaj nuk ju dashtë të shkonte në "Europë", por të vinte kjo e fundit në gjirin e saj! Në sostancen e vendimeve nuk kishte diçka magjike, por vetë realizimi i kësaj konference në Shqipëri ishte magjike dhe po ashtu e merituar për Shqipërinë! Vendimet të rëndësishme ishin në fushën e arsimit që mundëson rrjetin e digjitalizimit të universiteteve shqiptare në rrjetin europian e pastaj vendimet e tjera që kishin të bënin me luftën në Ukrainë dhe me emigracionin nuk kishin asgjë të re dhe konkrete!
Ajo që nuk duhet të ndodhte sot, me siguri, është rasti i sulmit dhe i dhunës ndaj Berishës! Por, në fakt sot nuk duhet të ndodhte as protesta e për pasojë nuk duhet të kishte as ngjarje të rëndë si ajo kundër Berishës! Shaban Murati në një analizë të tijën theksonte se asnjëherë asnjë opozitë institucionale në Europë nuk ka organizuar protesta kur ka evente të rëndësishme si konferenca në nivele të larta europiane. Në shkrimet e mia kundër protestës kam radhitur dy faktorë: BE ka pozicione të qarta kundër Rusisë për luftën në Ukrainë dhe për këtë arsye kam thënë se liderit e saj janë më të ekspozuar kundrejt lëvizjeve apo organizatave që nuk e duan! E për këtë kam marr si rast ngjarjet në mbledhjen e G8 në 2001 në Xhenova! Së dyti, unë kam shkuar më larg duke thënë se në 30 vitet e fundit, me mbarimin e erës së partive të masave, nuk ka më protesta të organizuara nga parti politike dhe kur ndodhin, në raste të rralla, nuk janë të besueshme e nuk sjellin ndryshime konkrete politike!
Ngjarja kundër Berishës! Sigurisht, nuk ka besoj shqiptar që konsiderohet normal, përtej bindjeve politike që nuk e denon! Por, çfarë tregon në vetvete kjo ngjarje? Ka thuajse një vit, që në mjedisin politik shqiptarë zien një kazanë që kërkon përplasje, dhunë dhe thirrje për hakmarrje! Kjo zierje, rezultoi ose mund të rezultoi si një vullkan që fryhet e fryhet e shpërthen me disa kilometra lart në qiell e po ashtu përhap llavën duke djegur e çimentuar çdo gjë që gjen para! Kështu edhe mllefi dhe urrejtja e fryer nga politika për interesa e nevoja personale rrezikon të shpërthejë duke prodhuar ngjarje si kjo e sotmja!
Ngjarja e sotme nuk dëshmon asgjë tjetër veçse nevojën emergjente për ndryshim establishmenti dhe lidershipi në vend! Çdo gjë në jetën njerëzore e ka një fillim dhe një fund, edhe nje lider ka fillimin e lidershipit të tij, por edhe fundin ose pensionin e lidershipit të tij! Sa më shumë qëndron një lider aq më shumë konsumohet e as më shumë armiq e pakënaqësi krijon. Thonë se zgjuarsia e një lideri është të kuptojë kohën kur duhet të terhiqet! Qëndrimi me çdo kusht e në çdo rrethanë në politik nuk është në të mirë as të forcës politike që përfaqëson, por as në shërbim të stabilitetit politikë! Ka raste kur një lider konsumohet, sepse ka pasur gjithë kohën në dispozicion të jepte çfarë të dëshironte e të mundte, por pastaj koha për të është e pamjaftueshme, e pa nevojshme e jo rrallë herë kthehet në armiqësore. Berlusconi pasi u sulmua dhe u godit në fytyrë duke u gjakosur, nuk mundi kurrë të kthehej ai që ishte! Për fat të keq historia njerëzore është e mbushur me raste të rënda e me funde tragjike të liderëve që nga antikiteti e deri në ditët e sotme! Por, ngjarja e sotme është një sinjal: duam apo nuk duam në Shqipëri ka dy linja mendimi, që nuk kanë asgjë të përbashkët dhe ndahen nga koha, kjo është e vjetra me të ren që po përplasen egërsisht duke penguar ose duke tentuar të pengojnë seriozisht të ardhmen e Shqipërisë! 6 dhjetori, është një ditë me dy ngjarje, e para ajo e ardhjes së Europës tek ne që ishte fantastike dhe ajo e dyta ndaj Berishës që ishte e evitueshme e mund të evitohej, por edhe mund të ishte më tragjike!