Partia Demokratike tashmë e ka zyrtarizuar pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet lokale të 6 marsit, duke paraqitur kërkesën për Regjistrim në KQZ. Pas regjistrimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vëmendja e selisë blu është përqendruar në përzgjedhjen e kandidatëve.
Ende nuk ka asnjë emër zyrtar, por kryedemokrati Lulzim Basha po zhvillon takime me drejtuesit e strukturave e 6 bashkive ku do zhvillohen zgjedhjet, deputetët dhe drejtuesit politikë, duke diskutuar alternativat e mundshme për kandidatët.
Deri më tani, 4 bashki , Rrogozhina, Lushnja, Durrësi e Shkodra kanë disa emra të lakuar, ndërsa për Vorën e Dibrën demokratët kërkojnë më shumë kohë.
E paqartë është nëse vendimmarrja finale do t’i përkasë Bashës, apo nëse këto kandidatura do të kalojnë në miratimin e anëtarësisë, siç do të bëjë komisioni i rithemelimit.
Mbështetësit e Berishës do të votojnë të dielën kandidatët potencialë dhe më i votuari prej tyre do të zgjidhet kandidati zyrtar i Komisionit Të rithemelimit.
Këta të fundit shpresojnë që PD zyrtare të pranojë verdiktin e anëtarësisë për emrin që do të përballet me socialistët.
Në rast se përpjekjet e anëtarësisë dështojnë për një kandidat të përbashkët, grupi i Berishës duhet të mendojë një tjetër mënyrë për t'u regjistruar në zgjedhje. Komisioni i rithemelimit po diskuton dy mënyra.
Regjistrimi si të pavarur, është një nga format që kandidatët e Berishës mund të garojnë. Por në këtë rast, ata duhet të paraqesin në KQZ firmat e 1% të listës së zgjedhësve që mbështesin kandidimin e tyre.
Strategjia më e mundshme e grupit Berishian është ajo e daljes në koalicion me aleatët, veçanërisht me LSI, e cila deri më tani nuk është shprehur për bashkëpunimin e mundshëm për 6 bashkitë.