‘Mësuese gëzuar 7-8 marsin’; ’Mësuesja ime e dashur, o sa fort të dua’. Kështu u festua 7 Marsi në shkollën Ali Demi në Tiranë. Buqetat me lule ishin dekori më i bukur në bankat sot.
Krahas ngazëllimit të fëmijëve, profesorët shfaqën emocionet e tyre. Për Shpëtim Ibron, mësues i lëndës gjuhë shqipe mbi 45 vite, ky është viti i fundit në shkollë. Do të dalë në pension i qetë sepse beson që fëmijët po i lë në duar të sigurta.
“Emocionet janë të pa ndryshuara. Pas meje është një brez tjetër që do të trashëgoje profesionin e mësuesit”, tha nëndrejtori i shkollës Ali Demi, Shpëtim Ibro.
Në 7 Mars nuk munguan as dhuratat simbolike. Enkeleda Rushi 20 vite mësuese ndërsa tregon me pasion për profesionin, veçon dhuratën që i la më shumë përshtypje.
“Është një dedikim. Do të ngelet në tavolinën time të punës kjo dhuratë gjithmonë”, tha mësuesja e ciklit filloj, Enkeleda Rushi.
Në Kamzë, atmosfera e ndezur si në metropol. Muzikë, kërcime dhe këngë për mësuesit në shkollën 9 vjeçare “Kamza e Re”.
Afroviti Pasho është edhe një muaj këtu. Mësuese e gjuhë-letërsisë, shpreson të mos dalë në pension në prill.
“Më vjen shumë keq që do lë nxënësit, shkollën. Kam shumë energji për të punuar, e ndjej veten shumë të re për ta lënë punë. Nuk e di si mund të rregullohet kjo gjë, të paktën deri në fund të vitit shkollor”, tha mësuesja e gjuhë-letërsisë, Afroviti Pasho.
Afroviti është nga Përmeti dhe prej 40 vitesh kujton me emocion si ndodhi që u bë mësuese
“Familjet që kishin dy fëmijë në shkollë të lartë, nuk i jepej e drejta e studimit për një fëmijë të tretë. U zhgënjeva shumë, pasi dola me ndota të mira, dhe mu desh që të shkoja në komunitet ekzekutiv dhe përfundimisht më doli shkolla e lartë për gjuhë-letërsi, të cilën e kisha ëndërruar prej kohës”, përfundoi mësuese Afroviti.