Teksa zbardhte 7 prilli i vitit 1939 Stefan Maliko Gogën nuk e uronte askush për ditëlindjen. Edhe ai vetë, me siguri atë natë e kishte harruar datën kur kishte ardhur në jetë në një nga lagjet e Gjirokastrës.
26-vjeçari nuk kishte lëvizur nga bedenat e Torrës mesjetare të Durrësit dhe bashkë me shokët e repartit të Marinës nuk i hiqte sytë nga deti. Disa orë më parë ata kishin hapur magazinat ushtarake dhe armatosën bashkëqytetarët, që kishin ardhur vullnetarisht për të mbrojtur vendin nga pushtuesit fashistë.
Në shënimet e shkruara prej tij, Stefani kujton minutë pas minute afrimin e anijeve ushtarake dhe më pas zbarkimin e fashistëve e të shtënat e armëve dhe të artilerisë së kryqëzorëve. Stefan Maliko Goga, do të qëllonte kundër pushtuesve, fillimisht me një mitroloz të rëndë nga bedenat e Torrës. Pak orë më vonë 26-vjeçari, tamam në ditën e përvjetorit të lindjes, do të plagosej rëndë nga ciflat e një predhe.
Shok i afërt me Mujo Ulqinakun prej disa vitesh shërbimi ushtarak së bashku, Stefan Goga do ta vuante për disa dekada këtë ngjarje për të cilën ai vetë dhe bashkëkohësit e tij duhet të ishin krenarë.
Disa vite pas mbarimit të luftës ai nuk ftohet më në asnjë ceremoni zyrtare të organizuar nga shteti për 7 prillin e Rezistencës, ndërsa fëmijëve të tij u mohoheshin studimet e larta.
Vetëm pas viteve 1990 Stefan Maliko Gogës, tashmë të moshuar, do ti njihej kontributi në Rezistencën kundër pushtuesit fashist. Në gjoksin e tij do të vendosej Medalja e Artë e Shqiponjës, akorduar nga Presidenti i Republikës, ndërsa në trup do ti mbetej përjetë predha e 7 prillit 1939.
Po cili ishte Stefan Maliko Goga?
Stefani u thirr nga të afërmit dhe miqtë me emrin e të jatit, Mihalit, apo Malikos. Edhe gjatë udhëtimit nga Gjirokastra, ku lindi, drejt Durrësit, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës e quajtën Stefani i Malikos.
Dy klasë shkollë në Liceun e Gjirokastrës; më pas hyzmeqar në Vlorë dhe ndihmës këpucar e pjatalarës në Durrës, Stefani i ri nuk desh të largohej asnjëherë nga bregdeti. Në vitin 1930 ai ndjek shkollën e xhenjos dhe diplomohet si telegrafist, duke siguruar pjesëmarrjen si ushtarak në Repartin e Marinës, një grupim mjaft i vogël me seli në banesën që ndodhej pranë mureve mesjetare dhe Torrës veneciane.
Në një foto të vitit 1937, që e sheh Durrësin me dëborë, Mujo Ulqinaku dhe Stefan Goga, shihen së bashku, tashmë jo vetëm kolegë, por edhe si miq të afërt.
Mujo Ulqinaku (majtas) dhe Stefan Goga Maliko
Mjaft i ri në moshë, jeta e Stefanit vërtitej mes qytetit bregdetar, që sapo kishte filluar të rindërtohej, dhe anijeve që ankoroheshin në port. Gjithçka do të merrte një tjetër rrjedhë, kur në fundin e viteve 1930, traktatet me Italinë fashiste do të ktheheshin në një rrezik të afërt pushtimi. Të informuar më shumë se të tjerët për shkak të profesionit, drejtuesit e repartit filluan të përgatiteshin për më të keqen.
Stefan Maliko Goga ishte një nga tre nënoficerët e repartit të Marinës. Mujo Cukali Ulqinaku, me titull kapiten anije; ndërsa Zoto Petredhi e Stefan Goga, ishin dy kapterrët e tjerë, që kryenin detyra nën komandën e Ulqinakut. Bashkë me 30 marinarë përbënin efektivin e repartit, i cili vetëm pak kohë më parë thirrej Marina Mbretnore. Këta ishin njerëzit që nuk lëvizën nga istikamet përballë portit.
Në shënimet e tij Stefan Maliko kujton se gjatë natës së 7 prillit pranë Torrës erdhi majori Abaz Kupi. Iu përgjigja interesimit të tij për kolegët-tregon Stefani. “Mujo dhe Zoto kishin shkuar në shtëpi për tu përshëndetur me familjarët, ndërsa unë isha beqar dhe qëndrova mbi muret”. Më pas Kupi i hipi makinës dhe u largua drejt rrugës së Bankës.
Në orën 4.30 të mëngjesit pranë brigjeve u panë kryqëzorët italianë, të ndriçuar mirë në hyrje të portit. Ajo që ka ndodhur më pas është e njohur. Pushtuesit e menduan një zbarkim të lehtë dhe pa telashe, por të shtënat e armëve nga Torra i zbrapsën ata përsëri në anije.
Vrasjen e Mujo Ulqinakut si dhe të shtatë ushtarakëve e vullnetarëve të tjerë në mbrojtje të atdheut, Stefan Goga i ka marrë vesh shumë vonë. I plagosur rëndë dhe pa ndjenja, ai është marrë nga forcat pushtuese në njërën prej anijeve ushtarake. Nënoficerin shqiptar që iu kundërvu me armë në dorë pushtimit e kanë mjekuar dhe më tej e kanë dërguar në Itali.
Gjatë kohës kur qëndronte në një nga spitalet ushtarake të vendit agresor, djaloshi ka mësuar se qeveria italiane e kishte dekoruar (jo vetëm atë) për kontributin në mbrojtjen e vendit më 7 prill 1939! Dukej sa absurde, aq edhe qesharake.
Stefan Goga Maliko (vitet 1930)
Pala italiane kishte shfrytëzuar kërkesën shqiptare për tu bashkuar në të njëjtën mbretëri me Italinë fashiste. Por nënoficeri shqiptar nuk e ka marrë kurrë atë dekoratë. Ai kishte luftuar për të kundërtën.
Menjëherë pas çlirimit, në vitin 1945 Stefan Maliko Goga emërohet Kapiten i Portit të Durrësit. Më vonë drejton Kantierin detar, që po formohej.
Ishte pranuar në radhët e Partisë Komuniste, por mesa duket drejtuesit e shtetit i mundonte e kaluara e tij në Itali, megjithë plagën e marrë në mbrojtje të vendit nga pushtuesit.
Një ngjarje tjetër në det të hapur, kur Stefani komandonte një anije ushtarake që po rimorkiohej drejt Vlorës, duket se ka shënuar negativisht jetën e familjes së oficerit të Marinës. Rimorkiatori me avari të rëndë në motor ka mbetur për mjaft orë mes dallgëve dhe ekuipazhi ka shpëtuar falë ndërhyrjes së mjeteve lundruese italiane. Ishte viti 1948 dhe ushtarakët shqiptarë janë mbajtur për më shumë se 10 ditë të arrestuar në brigjet përballë. Komandanti Maliko Goga është pyetur dhe trajtuar veçmas për detyrën dhe gradën si ushtarak.
Stefan Goga Maliko
Ky episod ka përcaktuar edhe trajtimin nga regjimi komunist për Stefan Gogën, i cili shumë shpejt është dërguar nga Durrësi të punojë për tharjen e kënetës së Tërbufit. Më pas ai ka kryer punët më të rëndomta për të mbajtur familjen.
Vasi, Sandri, Bebi dhe Frida, katër fëmijët e Stefan dhe Vana Gogës ishin nxënës të shkëlqyer, por nuk morën asnjëherë atë që meritonin.
Kontributi i Stefan Maliko Gogës si luftëtar i 7 prillit u përmend shkurtazi në librin e Moikom Zeqos “Mujo Ulqinaku”-1975, versioni i parë i të cilit u hoq nga qarkullimi, ndoshta edhe për shkak të emrit të tij.
Në qershor të vitit 1985 ai thirret përsëri në Degën e Brendshme të Durrësit dhe i shtrohen të njejtat pyetje si në vitet 1940. Thuajse për të njëjtat motive në Durrës pak javë pas vdekjes së diktatorit ishin marrë në pyetje mjaft intelektualë të moshuar.
Vlerësimi dhe qetësia kthehen në shpirtin e trazuar të Stefan Maliko Gogës shumë vonë. Në nëntor 1997 presidenti i Republikës i akordon Medaljen e Artë të Shqiponjës, ndërsa bashkia e Durrësit i jep titullin “Mirënjohja e qytetit” për Qëndresën e treguar në Rezistencën antifashiste të 7 prillit 1939”.
Stefan Goga mbyll sytë më 12 prill 1998, vetëm pak ditë pasi bashkëqytetarët e tij kishin përkujtuar 7 prillin, njëlloj si çdo të bëjnë edhe nesër, në 80-vjetorin e rezistencës antifashiste.
Nje ese qe hedh drite mbi nje ngjarje historike. Luftetar i ndergjegjes per detyren ne arme, i ndergjegjes si qytetar.Politika e diktaures ndihej ne veshtirsi me luftetaret qe rroken armet si nje moral i asaj kohe te monarkise. Minimumi i donin te vdekur luftetaret qe te manipulonin me aktin e tyre prej atedhetaresh te vertet.Sa ne veshtirsi i ka vene komunistet, akti i dhenies ndihme te kryqit kuq te armikut. Ne ndergjegjen komuniste nuk kishte gjurme meshire,nuk kishte cmim jeta e kundershtarit. Dhe sot jemi te ndare ne dy llogore urrejtje vazhdimesi te luftes klasore, kun ne llogoren e viktimave jan brezi trete, e kete ndasi llogoresh amorale dikush e quajti pluralizem. Me keto llogore e mendesi kerkojme ti bashkohemi Europes. Nderime te reneve qe na dhane ndere me flijimin e tyre ne lufte kunder pushtuesit.
Përgjigju