TIRANË - Mes mundit e sakrificës për një jetë më të mirë, Shkëlqim e Taulant Cara, erdhën nga Mirdita në zonën e Freskut në Tiranë. Dy vëllezërit e Albert Carës, familja e të cilit u shua tragjikisht nën rrënojat e pallatit në Thumanë nga tërmeti i 26 Nëntorit jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Tetë frymë në një çati me 4 dhoma, me tre fëmijë të vegjël e një nënë të sëmurë, ish-mësuese, që prej 15 vitesh qëndron e ulur në karrocë.
Djali i vogël i familjes Cara, Shkëlqimi tregon sakrificat që familjes e nënës së tij, të mos i mungojë asgjë, edhe pse banesa ku jetojnë çfarë bie jashtë, e fut brenda.
“Që nga 94-a kemi ardhur nga Mirdita. Kemi blerë këtë banesë bashkë me tim vëlla. Ka qenë një banesë, edhe është siç e shikoni kemi pak rregullime, por kemi mbaruar punë me letrat e me të gjitha. Kushtet, siç e shikoni lagështirë. Nëna e sëmurë, e paralizuar, lagështira është gjithandej. Shumë, shumë kushte të vështira, por jemi munduar. Unë bashkë me tim vëlla dhe dy nuset kur lëvizim nëpër punë kombinojmë me njëri-tjetrin se nuk mund ta lejmë dot vetëm. goxha e vështirë është. Ajo nuk ecën, nuk lëviz, me ilaçe, me mjekime, shumë e vështirë është. Nëna ka një mini pension. Ato nuk i dalin as për ilaçe, as për gjërat e veta, pampersat. Neve me rrogë minimale sit ë gjithë, jemi munduar, por e vështirë është, e vështirë shumë. Kam një apel. Kush të na shohë të paktën ta venë dorën në zemër, të paktën për nënën time. Një ndihmë sado e vogël të ishte, do ta falenderonim pa masë”.
Zeqine Cara, që dikur me profesionin e saj si edukatore e mësuese ka shkolluar qindra nxënës sot i duhet të qëndrojë e ulur në këtë karrocë, e vetme përballë televizorit. Sytë e saj tregojnë mirësi e gëzim për këdo që ajo takon, e ndërsa familjarët e saj, tregohen të kujdesshëm që ajo mos të mësojë mbi fatin e hidhur të Albertit, nuses e nipërve të saj.
Mes lotësh e zërit që i dridhet, Shkëlqimi tregon momentet e tmerrit që familja e tij po kalonte mëngjesin e 26 Nëntorit, ku tërmeti tragjik shoi jetën e 7 familjarëve të tij.
“Alberti siç e dini është në Itali, falenderoj instancat përkatëse që e çuan. Mirë thonë, ka përmirësim goxha, por inshallah nuk qëndron edhe ai në karrocë siç është mamaja. Inshallah do Zoti çohet në këmbë. Por, gjendja aktuale është më mirë. Ditën e tërmetit unë isha në punë turni i tretë. Në mëngjes ra ai i forti fare e kur thanë Thumana e Durrësi direkt më vajti mendja. I rashë telefonit të vëllait, nuk përgjigjej, i rashë çunit të vëllait nuk përgjigjej, të gjithëve u rashë telefonit, s’u përgjigjën. Ndërkohë, im vëlla që ishte në shtëpi u nis urgjent. U nisa edhe unë. Para se të shkoja në Thumanë ndalova tek Spitali Ushtarak. Pyeta me këtë mbiemër më thanë s’kanë ardhur. Kur thanë “S’kanë ardhur”… Ndërkohë vëllai kishte shkuar atje, pallati ishte bërë njësh me tokën, nën gërmadha ishin të gjithë, vetëm im vëlla arriti të shpëtonte, familja komplet u shuajt”.
Kjo është një panoramë e trishtë përtej dramës së tërmetit që shoi familjen Cara në Thumanë, për ndryshimin e së cilës, Shkëlqimi, dhe vëllai i tij, i kanë kthyer sytë nga zemërgjerësia e shqiptarëve. Megjithatë, duken të pa përkulur nga dhimbja, teksa për të mos humbur gëzimin e festive tek fëmijët e tyre, mes shumë sakrificash kanë zgjedhur t’i japin atyre, magjinë e pemës së Vitit të Ri.