80-vjetori i lindjes/Piktori i ‘natyrës’, Jorgji Gjikopulli, çel ekspozitën vetjake me 50 tablo

27 Mars 2019, 15:12| Përditesimi: 27 Mars 2019, 15:33

  • Share

Atij i pëlqen që pikturën e tij ta krahasojë me këngën polifonike të vendit të tij, me këngën himarjote, sepse mendon që kënga himarjote dallon për hapësirën dhe tonet plot dritë e ajër, duke u përputhur plotësisht me natyrën e vendit ku lind. Bëhet fjalë për piktorin e njohur, Jorgji Gjikopulli, i cili në këtë 80-vjetor të lindjes çel për publikun ekspozitën vetjake në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore. Për “Report TV” artisti rrëfen se si me gjithë forcën e tij, në 50 vite krijimtari, ka hedhur në shumë telajo njolla piktorike, për të cilat mendon se kanë qenë përcaktuese më pas.

“Mund ta quash të gjithë ekspozitën një tablo, prej të cilave nuk mund të veçoj asnjë. Nga puna e parë, që kam bërë pas mbarimit të shkollës, deri tani ato i kam të qarta se cilat janë. Në secilën prej tyre kam hedhur gjithë pasionin dhe njohuritë  e mia. Por duke parë pikturën e parë, “Lulet e jetës”, kam vijuar edhe në periudhën e realizmit socialist, kam pasur piktura të tilla, që në qendër të tyre kishin problemin e dritës edhe të ngjyrës, dhe jo problemin e përmbajtjes”, shprehet piktori Jorgji Gjikopulli.


Piktori na rrëfen se kur pikturon, dëshiron që të krijojë një këngë, një valle të shtrirë ne telajo. Ky preokupim ka qenë gjithmonë i fshehur tek artisti, edhe në veprat e tij të para, kur asokohe ende i ri, punonte në kushtet e një lirie të pakët artistike, nën një kontroll të vazhdueshëm ideologjik, me tematika të përcaktuara, tek të cilat duhet të përshtateshin të gjithë.

“Të gjitha janë në përmbajtjen që kërkonte koha, se unë nuk mund të bëja ndryshe, por zgjidhja atë subjekt që mua më jepte më shumë mundësi pikturimi, ngjyre edhe drite. Kështu ka vazhduar piktura ime gjithnjë, duke pas në qendër figurën artistike dhe mjetet e shprehjes artistike. Dihet që koha i jepte përparësi përmbajtjes, por kërkesat kalonin të tilla, që përmbajtja edhe forma duhet të kishin unitet. Kjo ishte pjesa më e vështirë për artistin. Kjo varej edhe nga secili piktor se çfarë rruge do të zgjidhte. Në atë kohë piktorët nuk quheshin disidentë, mund të ishin reagues. Kishte edhe të tjerë që i jepnin rëndësi kërkesave artistike, që mos t’i krijonin probleme vetes me përmbajtjen”, thotë piktori Jorgji Gjikopulli. 

Piktori, i cili kontributin e tij e ka dhënë në pikturën shqiptare, në galerinë e arteve dhe në Ministrinë e Kulturës për shumë vite, ka edukuar edhe ka udhëhequr edhe breza të rinj artistësh, për të cilët mendon se: “Ka një gjë, që në radhët tona ka edhe nga ata që mohojnë më të renë. I quajnë të lehta këto që po bëhen tani. Por secili ka mendimin e tij. Brezi im ka krijuar për 50 vite, edhe përfaqësojnë një kohë të tillë, që nisën nga diku edhe erdhën deri këtu. Ndërsa, këta që janë tani duhet që të ecin më tutje. Pavarësisht se nuk përputhen me njëri- tjetrin artisti i tanishëm, me të mëparshëm edhe atë që do vijë më vonë, në fund të fundit janë në kërkim tani. Talenti nuk ka munguar asnjëherë në Shqipëri. Më të talentuarit do të ecin, të tjerët do të mbesin, sikundër ka ndodhur përherë në këtë drejtim”, përfundon piktori.

Ekspozita do të qëndrojë hapur në galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura deri në 5 prill.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?