Dritëro Agolli

87-vjetori i lindjes/ Dritëro Agolli, shkrimtari që u bë nga përrallat e gjyshes

13 Tetor 2018, 07:35| Përditesimi: 13 Tetor 2018, 18:02

  • Share

Një vit pas vdekjes së shkrimtarit të madh Dritëro Agollit, do të mungojnë edhe intervistat e tij, të mbushura plot me sinqeritet e dashuri për njerëzit dhe jetën. Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në Menkulas të rrethit të Devollit, afër Korçës, dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë. Në këtë 87-vjetor të lindjes së tij, e bija Elona Agolli, në një bashkëbisedim për “Shqiptarja.com”, kujton lidhjet e të atit me vendlindjen dhe me jetën në fshatin Devoll. Ai atje e kishte shpirtin. Atje nis edhe zanafilla që u bë një shkrimtar i madh. Nisi të bëhej shkrimtar i frymëzuar nga përrallat e gjyshes

“Ndikimi i këngëve popullore, i Naimit, Çajupit, i gjithë leximeve të mia deri atëherë dhe i gjyshes sime që ka qenë një romanciere e madhe, në këtë kuptim, që tregonte përralla dhe histori. Dhe në përgjithësi, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën, romancierët e para kanë qenë gjyshet tona. Ato tregonin përralla dhe romani ç’është? Një përrallë që tregohet me tre vetë.

Domethënë një i mirë, një i keq dhe një që ndërhyn midis tyre për t’i ndarë.”. kështu ka rrëfyer Dritëro Agolli gjatë intervistave me gazetarët, shumë vite më parëm, në njërën nga intervistat që Elona Agolli e ka nxjerrë nga arkivat familjare. Është jeta e treguar aty. Është vetë Dritëro Agolli, ndaj këto rrëfime marrin tjetër vlerë në ditën e lindjes së shkrimtarit. 

Dritëro Agolli vjershën e parë e ka botuar në vitin ë 1947, në gazetën “Rinia” (më vonë u bë “Zëri i rinisë”). “Në jetën time, sipas meje, ka dy momente të rëndësishme kulturore dhe intime. Shkuarja në gjimnazin e Gjirokastrës, që më bëri të bija në kontakt me një kulturë më të gjerë qytetare, jo vetëm takimi me shokët, me Kadarenë, Agim Shehun e të tjerë. Leximet e njëjta, këmbimet. Dhe pastaj shkruaja në Shën Petërburg ishte ngjarja më e madhe. Atje e kuptova se ç’ishte kultura.

Atje nuk është vetëm kthesa më e madhe e jetës për optimizmin, por edhe për trishtimin. Për atë që mendoja në atë kohë për Shqipërinë. Pse të mos kishim edhe një hapësirë kaq të madhe kulturore. Ishte një mori gjërash që m’u ngjallën atje, po edhe jeta intime. Marrëdhëniet me vajza, me gra, me të dashura. Në Shqipëri nuk kishte liri për këto marrëdhënie atëherë. Nuk mund të dilje për krahu me një vajzë pa qenë i martuar me të. Atje edhe koncepti për moralin ishte ndryshe.”, ka rrëfyer Agolli për biografinë e tij.

Dhe Agolli e ka pranuar gjithmonë pa asnjë kompleks se ka qenë një shkrimtar i angazhuar. “Të jesh shkrimtar do të thotë të mos qëndrosh indiferent ndaj problemeve që ka sot shoqëria, vendi. Të jesh shkrimtar, do të thotë të jesh i angazhuar, të jesh zëri i kombit tënd.”, shprehej Dritëro Agolli.  

II-Intervista e Dritëro Agollit

“Libri im i parë “Në rrugë dola” në 1959-n, i pëlqeu dhe Fadil Paçramit

Në një intervistë të botuar në gazetën “Devolli”,  më 16 korrik të vitit 1998, të ruajtur në arkivën e familjes, sjell kujtimet e librit të tij të parë të botuar në vitin 1958 dhe lidhjet e forta të krijimtarisë së tij me vendlindjen, Devollin.

Zoti Dritëro kanë kaluar 40 vjet nga botimi i librit tuaj të parë “Në rrugë Dola”. Ç’kujtime ju zgjon ky përvjetor?
-Si gjithë librat, edhe libri “Në rrugë dola” ka një histori dhe rrjedhimisht ngjall edhe kujtime, të cilat dalin herë pas here si xixëllonjat në gurë në mbrëmjet e muajve prill dhe maj. Libri “Në rrugë dola”, që doli nga shtypi më 1958 është shkruar në vitet e mia studenteske në Lelingrad (Sankt-Petërburg) 1952-1957.

Madje disa vjersha janë shkruar që kur isha nxënës në gjimnazin e Gjirokastrës, 1948 – 1952. Unë mbarova Universitetin e Leningradit më 1957 dhe erdha në Tiranë, duke marrë me vete diplomën dhe fletorkën me vjersha “Në rrugë dola”. Këto në fakt ishin dy diploma: njëra për të hyrë në punë dhe për të marrë një rrogë dhe tjetra për të hyrë në poezi.

Pasi hyra në gazetën “Zëri i Popullit” u njoha me dy daktilografistet e redaksisë Mukadesin dhe Dylberen. Ato ishin të reja, të porsa martuara, gra që e pëlqenin humarih dhe që i pranonin edhe fjalët “ilegale”. Unë atëherë u thashë se kam një fletorkë më vjersha dhe dua ta botoj, por “pa ndihmën tuaj, asgjë nuk bëj”.

-   U na doli një Naim Frashëri! – qeshën ato dhe morën fletorkën time për ta daktilografuar.

Unë vërtitesha në korridorin e redaksisë, hapja derën e zyrës së tyre zgjatja kokën dhe shikoja se çfarë përshtypje u bënin vjershat e mia. Njëra nga daktilografistet, tek unë përgjoja qeshi me të madhe. Unë u gëzova se kujtova që i kishte pëlqyer vjersha tek daktilografonte.

-   E bukur ë? – e pyeta unë.

-   Ç’thua more! - bëri me dorë ajo.

-   Po pse qeshe? – e pyeta unë.

-   Ha-ha! Vjehrra ime ra në tigan dhe dogji me nder b...

Ika i dëshpëruar... Pastaj Mukadezi dhe Dylberja m’i sollën vjershat të daktilografuara dhe më thanë se i kishin pëlqyer. Madje, sipas tyre, i paskëshin thënë edhe kryeredaktorit të “Zërit të Popullit”, Fadil Paçramit, se ai djali që ka ardhur nga Leningradi bën vjersha të mira. Këto vjersha unë i shpura në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në fund të vitit 1957 dhe ia dhashë Spiro Xhait, drejtorit të saj. Ai më priti ngrohtësisht, duke e marrë dorëshkrimin tim e duke e shfletuar shpejt e shpejt.

Pastaj tha se do t’ia jepte për recensim Mark Gurakuqit, që ishte poet dhe profesor në Universitetin e porsaçelur në Tiranë. Mark Gurakuqi ishte njeri tepët kërkues dhe tepër serioz, kritik dhe poet i dëgjuar në atë kohë. Unë kisha lexuar një cikël me vjersha të tij për ndërtuesit e hekurudhës më 1952 që kur isha nxënës në Gjirokastër dhe më kishin pëlqyer shumë për realizimin dhe figuracionin. Në përgjithësi Mark Gurakuqi ishte dashamirës ndaj të rinjve. Kështu, e recensioni Mark Gurakuqi librin tim “Në rrugë dola”.

Pastaj në fund të dhjetorit të 1957-ës mua më thirri Spiro Xhai në shtypinë botuese “Naim Frashëri”. Dridhesha nga ankthi i pritjeje së gjyqit të librit. Ashtu duke u dridhur hyra në drejtori. Atje ishte Spiro Xhai dhe Mark Gurakuqi. Më zunë për dore, buzëqeshën pakëz dhe unë e kuptova se libri “Në rrugë dola” vërtetë ishte nisur pëe rrugë. Ata ma lavdëruan librin në mënyrë të papërmbajtur, më treguan se cilat vjersha duhet të hiqja dhe cilat vargje duhet t’i redaktoja.

Me një fjalë të gjitha këto mbaruan. Libri pas gjashtë-shtatë muajve doli. Mark Gurakuqi botoi një recension në revistën “Nëntori”, me të cilin lavdëronte dhe bënte vërejtje. Shokët dhe miqtë e mi u gëzuan. Libri pastaj fitoi dhe një çmim më 1959-n, çmimin e 15-vjetorit të Çlirimit. Por më shumë u gëzua Rizari, im atë, ndjesë pastë. Ai me libër në dorë hynte e dilte kafe më kafe të Tiranës duke u treguar shokëve të tij historia për fëmijërinë time dhe për mençurinë time të madhe që kur isha katër vjeç.

Në fondin e botimeve tuaja numërohen mbi 40 libra. Ç’vend zë mes tyre vëllimi në fjalë?   
-Libri “Në rrugë dola” është malli im i parë. Ai zë vendin e këtij malli, por ai ka vjersha të bukura që mbeten edhe sot të bukura për naivitetin dhe çiltërsinë e tyre. Për shembull, këto dy vjersha të atij libri lexohe edhe sot me kënaqësi.

Hyrje

Ndrisin portat e atij pallati

Dhe në xhamat mjekrat tundin retë

Ç’dreq këtej më hodhi mua fati

Të krekosem rëndë më poetë

 

Unë rri në prag me librin tim

Dera hapet, mbyllet e troket...

Por të hyj atje nuk kam guxim

Jam fshatar i Jugut, s’jam poet

 

Vargjet nëpër fusha i kam shkruar

Rrëzë hije rrapash apo shelgjesh

Shokëve të mi ua kam lexuar

Nën këmbe e blegërima delesh

 

Këngët nëpër ara i kam ngritur

Rrëzë kodrash mbushur me dëllinja

Kur nuk kisha letër, i mërzitur,

Përmbi luspa plepi shkarravisnja

 

Vjersha ime erë ugari bje

Vargu im bie erë luleshqerrë

O guximi fshatarak, ku je,

Pse s’më shtyn të futem menjëherë?

 

...Dhe nën sqetull librin kam

Shtrëguar!

Këmbët tërë baltë ugari shtyj

Afër pragut shumë i shqetësuar...

Por trokas... Hap derën edhe hyj!

 

Ja pallati i madh me xhama shumë

Hyjnë, dalinnjë nga një poetët.

Nga luginat erdha edhe unë

Të tregoj për arat dhe për vreshtat.

 

1956

Qeni i Plakur

Ti u plake, qeni im, i plake!

Sytë i mbyll dhe dergjesh

fill i vetëm.

Bukuria jote shkoi e vate,

Pleqëria krejt ta prishi jetën.

 

Ç’sjell ndërmend ashtu,

o qen i shrenjtë,

Ujqit që ke mundur në luftime

Netëve kur derdheshin ndër dhentë

Rreth avllisë e rreth

Kasolles sime?

 

Ç’sjell dnërmend ashtu

o qen i urtë,

mos kujton atë që deshe më shumë,

Mos kujton atë të shkretën

bushtër,

Kur ia flakën bijtë e saj në lumë?

 

Tek në lumë tufa shkon me zilet,

Agullin e qan sa s’mbahesh dot,

Ti kujton lëndinat dhe korijet,

Bishtin merr me vete dhe derdh lot.
 

Ti je plakur, qeni im, je plakur,

Po s’të rrihet, ngrihesh

edhe del

Dhe ngre kokën, dhe

përgjon tej pragut

Kur zë leh një konkë në zabel

Gjatë gjithë viteve të krijimtarisë suaj i keni këndur më një dashuri të veçantë Devollit dhe devollinjve. Në të ardhmen a do t’i këndojë përsëri muza e Agollit kësaj krahine dhe njerëzve të saj të dashur?
-Unë gjithmonë jetoj me devollinjtë. Jetoj me kujtimet e mia të vegjëlisë dhe rinisë. E shoh këtë vegjëli dhe rini në ëndërr. Dëgjoj këngët devolliçe të incizuara në magnetofon, kënaqem me historirat e devollinjve. Edhe romani im i fundit “Arka e djallit” në qendër ka Devollin.

Ngjarjet e këtij romani që nga fillimi deri në fund zhvillohen në Devoll. Në librin tim “Udhëtoj i menduar” është vjersha “Çast dasme në Devoll”, ku jepet i plotë ngazëllimi i devollinjve, të cilën po ta jap të plotë, i dashur Fuat.

Çast dasme në Devoll

Pesëmbëdhjetë fustanella

mbi truall u hapën,

Pesëmbëdhjetë fustanella

mes dyshemesë e tavanit

u ngritën

 

Pesëmbëdhjetë fustanella

ranë mbi truall prapë

Dhe gotat mbi tryeza u

zunë e bërtitën!

 

E gjithë djersa e lodhjes u

shtyp me këmbë nga

vallet,

 

E gjithë djersa e dasmës

nxori bula të arta;

Prapa dritareve natën e

grisën sazet

Dhe nata e grisur, duke

kërcyer vrapoi me të katra

 

dyzet pleq e plaka rrudhat

e ballit i fshinë,

Të dyzet kokat i çuan e

këmbët përplasën.

Fundet me pala të vajzave

ngritën lart suferinë.

Mëngët e këmishëve të

djemve shtynë furtunë mbi

dasmë.

Dhëndri e nusja turpin ia

futën në grykë gërnetës

Dhe vala e valles i mori në

lumin e gazit,

Dhe vala e valles i humbi

në detin e festës,

Pastaj i nxori të dy mes tallazit...

 

Ç’bëhet kështu, mos vallë

Shfryu i tërë Devolli,

Mos vallë vërshoi e ndërroi

shtratin

Dhe tryezat varka i bëri e

rrotull i solli

Dhe ngriti në këmbë

fshatin?

Ç’bëhet kështu Ah, ende

vesh s’e ke marrë

Ende s’e ditke pse gotat

dhe këmbët përplasen?

Ç’pret në qoshen e murit

verdhosh me plitharë?

Mos rri fillikat, or i shkretë,

eja në dasmë...!

Vitet e fundit keni rralluar vajtjet në Devoll. Nga takimet që kemi pasur me devollinj të ndryshëm, ata ju presin. Kur keni ndërmend të shkoni në Devoll?
-Vërtetë vitet e fundit nuk kam qenë shpesh në Devoll. Kjo mungesë lidhet me moshën time, që tanimë nuk jam i ri, lidhet me punët e shumta, por lidhet edhe me gjendjen e turbullt të Shqipërisë, me pasigurinë dhe anarkinë, me fyerjet që mund të bëjnë njerëzit e pamoralshëm në rrugë e kudo. Megjithëse mua zakonisht nuk më fyejnë dhe çdo njeri sillet me respekt ndaj meje, përsëri mua më vjen keq kur para syve të mi fyejnë të tjerët. Por në vjeshtë unë do të shkoj në Devoll fshat më fshat si një udhëtar me një torbë në kurriz.

Në këto kohë të vështira që po kalojmë, ç’mesazh keni për devollinjtë kudo që janë?
-Çfarë mesazhi të kesh për devollinjtë? Për punën dhe këngën e tyre nuk u jep dot një mesazh, pasi i dinë vetë dhe vetë janë të vetëdijshëm. Unë u uroj që të jenë të lumtur në shtëpitë e tyre, pasi kanë shumë fëmijë dhe të dashur në mërgim, veçanërisht në Greqi. Uroj t’u kthehen shëndoshë dhe të lumtur. Uroj gjithashtu, që të jenë të vëmendshëm në atmosferat politike. Të mos gënjehen nga fjalët. Fatkeqësisht disa herë shumë devollinj janë gënjyer...!

(Kjo intervistë  është botuar në gazetën “Devolli” më 16 korrik të vitit 1998, e ruajtur në arkivin e familjes Devolli.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?