Halli i madh i ka zënë "ata" të Foltores, net pa gjumë po kalojnë duke menduar apo duke analizuar nëse Basha bëhet kryeministër apo jo? Madje, më shumë në hall janë këta sesa ndoshta vetë Basha! Duhet tua kuptojmë hallin, sepse kanë ca vite pa qenë në pushtet, pa hyrë në punë me teserë të Partisë! S'kanë faj, sepse kur shikojnë kolegët e tyre se si janë pasuruar e së kanë blerë shtëpi të reja e makina luksoze, u duket sikur kanë mbetur mbrapa në garën për pasurim të pandershëm!
Përderisa gjithë kohës mendojnë për bërjen e Bashës kryeministër, do të thotë se fitorja e këtij të fundit dhe e PD, për ta është thjeshtë çështje privilegjesh dhe punësimi! Pra, këta e kanë konceptuar e konsideruar politikën vetëm si punësim apo si profesion dhe ndoshta kanë të drejtë, sepse nga vitet '90 e deri në vitin 2013, shumë prej tyre në mënyrë të pamerituar kanë krijuar një aristokraci familjare me privilegje e me shërbime! Nuk janë të paktë ata që deri në 2013 ishin demokrat e pastaj u bënë socialistë, e sot janë pjesë e strukturës së pushtetit! Duhet t'i kuptojmë, për fatin e keq, se në Shqipëri bën hajër vetëm ai që është ulur në sofrën e pushtetit ose që qëndron poshtë dhe anash saj në pritje të ndonjë kafshatë të tepruar!
Megjithatë, përtej kësaj kategorie, Shqipëria ka rreth 80% të popullsisë të përjashtuar nga jeta politike dhe nga privilegjet e saj! Këto janë shumica e votuesve të elektoratit, të zhgënjyer e të pa shpresë edhe pse politika ndër vite e ka gjetur zgjidhjen edhe për këta. Po si?
Me disa metoda:
- Duke punësuar një anëtarë familje e duke shantazhuar të gjithë familjen kundrejt votës me pushim nga puna
- Duke i blerë votën kryefamiljarit që pastaj vendos në rresht anëtarët e tjerë
- Duke shantazhuar me aktivitetin e vogël të sipërmarrjes
- Po ashtu nuk kanë munguar edhe rastet e tranzicionit me oferta celularësh apo darkash e drejtash, mbushje me naftë të makinës gjatë gjithë fushatës, etj
Përtej kësaj: a mund të bëhet dhe a do të bëhet Kryeministër Basha?
Në historinë të tranzicionit janë bërë lloj-lloj sorollopi ministra e kryeministra e Basha jo vetëm që s'ka asgjë më pak se ata, por ka mundësi të ketë shumë më shumë se ata!
Basha nuk mund t'i fitojë zgjedhjet më atë përqindje të vogël të votuesve që politikën e konsiderojnë profesion dhe privilegj, por mund t'i fitojë vetëm duke bërë për vete elektoratin gri, atë pjesë të qytetarëve që të zhgënjyer e të mashtruar nga politika nuk shkojnë fare të votojnë!
Si mund ta bindë Basha elektoratin gri të votoj për të dhe PD?
- Duke e hapur PD e sidomos në degët e rretheve e duke i bërë pjesë të saj këta qytetarë që pavarësisht se janë të zhgënjyer, kanë vlera të mira profesionale e morale për të kontribuar për PD.
- Duke treguar seriozitet për shkëputje nga modeli i kaluar dhe duke ofruar një model bindës me një skuadër bindëse kandidatësh që kanë nivel të lartë profesional e gëzojnë respekt në zonat ku ata jetojnë e punojnë
- Duke futur meritokracinë në strukturat e PD si model rekrutimi për nesër kur të jetë në qeverisje
- Duke trajtuar probleme e duke ofruar programe apo propozime serioze për problemet ekonomike dhe sociale
- Duke forcuar kontaktet që shkojnë përtej bindjeve politike edhe me njerëz që nuk simpatizojnë partitë, por duan aksione të një qeverisje serioze dhe jo të korruptuar!