Deri tani asgjë nuk është bërë publike se si është organizuar ceremonia e stafetës në selinë më të lartë të shtetit shqiptar më 24 korrik.
Ajo që na është dhënë nëpërmjet mesazheve të rrjeteve është një gjuhë pak a shumë e mkoduar e Ilir Metës, i cili duket se komunikon me njerëzit e tij, apo ata që kërkon të bëhen njerëz të tij, me një gjuhë, që të lërë disa kuptime.
Në një mesazh me perëndim dielli në sfond, por edhe me Edmond Panaritin e Tedi Blushin, Meta sikur dha edhe slloganin, por edhe atë se stafi i Presidencës do të zhvendoset sipas gjasave në selinë e LSI-së si grupi që do të jetë në krah të Metës në misionin politik në opozitë.
I cili do të zgjerohet duket edhe me ardhje të reja, ku profesor Fuga mbetet një mundësi e dorës së parë, pasi po duket me gjatësi valë jo vetëm në mendime, por edhe në menu kulinare me njeriun e fortë që pret të marrë në dorë opozitën.
Më pas Meta doli me një foto nga beriberi, ku më shumë se po bëhet i bukur për ceremoninë e dorëzimit, duket se mesazhi anonte se po rregullohet për “agimin e ri”.
Mirëpo përveç gjuhës së koduar, e cila nuk është edhe aq e tillë, por më shumë shërben për gossipin politik të argëtimit me lajme të lehta në këtë vapë, enigma mbetet gjithsesi për ceremoninë e së hënës së ardhshme.
A e ka ftuar Ilir Meta Sali Berishën në ceremoninë që do të zhvillohet për dorëzimin e stafetës në Presidencë? Nëse po a e ka pranuar Protokolli i Shtetit një gjë të tillë, pasi kjo mund të sjellë bojkotimin e përfaqësuesve të rënësishëm diplomatikë në Tiranë, duke qenë se Berisha është shpallur non grata nga SHBA?
Sipas të gjitha gjasave, vettë Berisha, edhe sikur të donte Meta ta ftonte do ta kalonte këtë çështje në heshtje, pasi nuk do t’i bënte mirë ai reflektor i madh me ambasadorët, që do ta linin në hije atë, e natyrisht ai nuk e pëlqen këtë punë, se kërkon gjithnjë bujën e zhurmën.
Megjithatë është kurioze nëse ka qenë dëshira nga Meta për një ftesë të tillë apo ka patur komunikim me Berishën. Gjithashtu do të duhej të dihej si do të jetë fjalimi i presidentit në largim dhe ai në ardhje, kush do të jenë të ftuarit, ku, kur dhe si është e organizuar ceremonia e stafetës.
Kush e ka organizuar; stafi i presidentit në largim, apo ai i presidentit në ardhje. Në SHBA, ceremonia e 20 janarit, pas zgjedhjeve presidenciale është një event botëror, edhe pse ka një mënyrë të thjeshtë po autoritare organizimi.
Por protokollin e bëjnë së bashku njerëzit e dy presidentëve, por që më shumë peshë ka presidenti i zgjedhur. Eveti në thelb përfshin dy evente; betimin që i jep zyrtarisht spektrin e drejtimit të shtetit dhe i dyti fjalimi, që pëefaqëson kush do të jetë prioriteti i shefit të ri të fuqisë më të madhe botërore.
Edhe tek ne, gjithmonë në rastet e stafetës presidenciale ka qenë më i rëndësishëm fjalimi dhe stafi që ka zgjedhur kreu i ri i shtetit.
Por edhe se çdo të bëje presidenti në largim. Në këtë rast për Metën është e qartë se ai do të jetë një lojtar politik në opozitë me Ramën. Por ende ka mjaft kuriozitet se çfarë do bëjë ai me Berishën si organizim politik, pasi në publik duket se janë “dyshe e fortë” që përveç Azerbaxhanit megjithatë nuk se e kanë treguar më këtë lidhje. Ndaj vjen natyrishëm pyetja, a e ka ftuar Meta, Berishën në Presidencë?