A e ka në dorë partinë Lulzim Basha?

25 Mars 2020, 15:13| Përditesimi: 25 Mars 2020, 15:19

  • Share

Ka një gjë që nuk ndryshuar për asnjë moment tek Lulzim Basha dhe partia e tij, qysh nga fillimi i shkurtit kur nisi kriza botërore e coronavirusit: mungesa e koordinimit mes deklaratave të udhëheqësve të ndryshëm që ka partia e Bashës, dhe shpesh herë, mungesa e koordinimit mes deklaratave edhe të vetë Bashës.

Rasti më i fundit ndodhi sot. Ndërkohë që Lulzim Basha vazhdonte të merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur nga presidenti Ilir Meta, ku po diskutohej mbi situatën, Albana Vokshi, nuk ka duruar dot dhe ka dalë të flasë për testimet. Vokshi ka shkëputur nga konteksti deklaratën e keut të OBSH-së, ku ai kërkon testime, testime, testime (vazhdimi është: i rasteve të dyshuara dhe kontakteve), dhe pa pritur daljen e Lulit nga mbledhja, ka bërë shpejt e shpejt llogaritë e saj dhe ka arritur në konkluzionin që në Shqipëri nuk po bëhen teste sa duhet.

Se sa teste nevojiten që të bëhen, këtë zakonisht e thonë ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, epidemiologët e të cilit janë ata që vendosin për numrin e testeve të nevojshëm për ndërprerjen e zinxhirit epidemiologjik. Për këtë temë, ka qenë madje interesant dhe këndvështrimi i një mjeku shqiptar me banim në Austri, i cili i pyetur në Opinion e tha qartë se është e kotë t’u bëhen teste të gjithëve, e sidomos asimptomatikëve, për shkak se ti mund ta bësh testin sot, të rezultosh negativ, dhe të infektohesh pas dy-tre ditësh…
Por nuk është kjo çështja. Në fund të fundit, opozita dhe Vokshi është në të drejtën e vet që, së pari të mendojë, dhe së dyti të kërkojë me forcë shtimin e testeve si një mënyrë për të ndalur epideminë e koronavirusit. Ajo që të habit janë ulje-ngritjet e Lulzim Bashës gjatë kësaj krize.

Disa herë udhëheqësi i PD dhe udhëheqësit e tjerë të PD janë parë t’i bien njëri gozhdës dhe tjetri patkoit. Kështu, ndërkohë që Sali Berisha shfryn përse u lejuan 100 000 shqiptarë të vijnë në shtëpitë e tyre, Tritan Shehu ia pret, duke thënë pse nuk lejohen të vijnë 1000 shqiptarë.

Sapo Lulzim Basha del dhe mbështet mjekët dhe autoritetet e shëndetësisë, Bardh Spahia, i cili i ka zënë vendin Salianjit të dënuar në sektorin e video filmimeve, prodhon shpejt e shpejt video “skandaloze”, të cilave e ke të vështirë t’u dallosh edhe “aktorët”, edhe “kontekstin”, por që gjithmonë shërbejnë për konkluzionin e tij që, qeveria nuk ka bërë sa duhet në këtë krizë. Konkluzion që në pjesën dërrmuese të rasteve bie ndesh me atë që mendojnë 90 përqind e shqiptarëve, që sipas sondazheve thonë se qeveria ka marrë gjithë masa e duhura.

Nuk ka zhgënjyer Lulzim Basha as edhe në këtë krizë botërore, që pashmangshmërisht do të kapte dhe Shqipërinë. Çorodia që ka ngërthyer opozitën e tij, qysh kur nisi revolucionin një vit e kusur më parë, duket se, ashtu si edhe koronavirusi, do të vazhdojë edhe për ca kohë.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?