Lulzim Basha, Alibeaj, Salianji dhe Bardhi

A është e gjithë opozita esadiste

4 Korrik 2018, 18:39| Përditesimi: 4 Korrik 2018, 18:42

  • Share

Nga mesi i muajit maj dhe deri në fundin e qershorit vendi ka pasur ndoshta periudhën më të ngarkuar politike, të cilat përcollën një elektricitet të lartë të përplasjeve mes pozitës dhe opozitës dhe përballjen e dy qëndrimeve të kundërta për njërin ndër problemet më madhore: hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Opozita, dhe këtu e kam fjalën për lidershipin e saj, që nga më radikalët, si Basha, Berisha dhe rrethinat e tyre përmblodhën të gjithë energjitë, bile i shumëfishuan, që vendit të tyre, për inat të pozitës, të mos i hapet drita jeshile, duke e trajtuar të gjithë këtë si një luftë kërcënuese, e cila mori përmasa të habitshme.

Krerët e opozitës, ndërsa përbetoheshin me zë të ulët se ishin për hapjen e negociatave, me zë të lartë, nganjëherë të çjerrur, lëvizën levat, miqësitë, hatërmbetjet, krushqitë, nënshtetësitë, njohjet e vjetra të tipit Pack dhe njohjet e reja të llojit Krishbaum, që kjo të mos bëhet.

Një gëzim i egër përhapej në të gjithë qenien e tyre kur parlamentarë të ndryshëm, kushdo të ishin, deklaronin se Shqipëria ende nuk ishte pjekur sa e si duhet për të qenë pjesë e hapjes së një lidhjeje të re dhe sillnin në ndihmë çka ishte e mundur në mentalitetin e tyre për të bërë më të sterrosur çdo ecuri, fenomen e përpjekje të qeverisë.

Në pak javë, me një intensitet që rritej në progresion gjeometrik, bënë çfarë ishte e mundur të bëhej për të nxjerrë në një dritë, herë pas here, krejt tjetër, një shtet, në rrënimin e të cilit ata kishin pjesën më të madhe.

Thirrën në ndihmë të gjithë aleatët, realë dhe të sajuar; aktivizuan të gjitha ngjarjet, të reja dhe të vjetra, shantazhuan shtetin në të gjitha strukturat; iu drejtuan të gjithë shteteve me të gjitha mënyrat e mundshme, ku më i përdorshmi ishte fb-u; dhe, kur të gjitha nuk mjaftonin, sajuan krijesën më qesharake politike të mundshme, të njohur tashmë me emrin Babale, i cili ka hyrë në terminologjinë e politikës shqiptare si një precedent i thirrjes në ndihmë edhe të një trafikanti, duke i premtuar parajsën, për të ngritur stuhinë e tyre në një gotë që mund të përmbysej.

Bënë gjëra të pashembullta: krijesën e tyre e paraqitën si fakt, si ndodhi me rastin Xhafaj, të cilin pastaj ia përcollën të gjithë parlamentarëve dhe parlamenteve që kishin një adresë online; risollën në kohë çështjen e vëllait të ministrit të brendshëm, megjithëse ata vetë kishin qenë në pushtet kur gjithçka kishte ndodhur; ngritën frontin kundër përfaqësimit diplomatik në Shqipëri; dhe, megjithëse qeveria kishte dhe vazhdon të ketë një lumë të harbuar me të meta që mund të ishin kauza e tyre, asgjë nuk i hyri në sy.

Asnjë alibi nuk e ndryshon këtë.

Të gjitha këto, në mllefin apo inatin e moshapjes në një ditë të caktuar të vitit 2018, por një vit më pas, përmes detyrave, e shtynë shefin e qeverisë, që është edhe shefi i partisë më të madhe në vend, Edi Rama, që, disa herë, si një bindje të tij të rrënjosur, të deklaronte se opozita e sotme është esadiste.

Termi esadist në politikën tonë është i njësuar me nocionin e tradhtisë ndaj atdheut, shitjen e tij, me vendosjen e dëshirës për sundim mbi aspiratat e mëvetësisë.

Sado që mund të bëhen përpjekje për ndryshimin e këtij nocioni dhe sado libra mund të botohen për ndryshimin e kësaj rrjedhe,  kjo do të mbetet.

Nuk është një mbetje nga koha e komunizmit, por shumë më e hershme, e lindur që më parë se rrethimi i Shkodrës në vitin 1912, e thelluar më pas në vitet e prapështa, deri në mbylljen e saj përmes një akti tjetër, i cili, në kohën e tij dhe në paskohë e tij quhej heroik, por që tani, nga një lëvizje ndryshuese e së të vërtetës, disa zëra e quajnë edhe terrorist.

Edi Rama, në diskurset e tij, nganjëherë shumë të ashpra, duke e radhitur të gjithë opozitën si një lëvizje esadiste, pra si një lëvizje kundër interesave të vendit, për të mos shkuar më tej, nuk besoj se e ka pasur për të gjithë atë forcë që quhet opozitë, e cila, sado që mund të jetë nën diktatin e një lidershipi me tendenca dhe lidhje esadiste, përsëri nuk mund të njësohet i gjithi nën kapelën e liderëve.

Opozita, si nocion dhe si përbërje, është shumë më e gjerë, shumë më e denjë dhe më e thellë se sa lëvizjet e shpërfytyruara të elitës së saj, që në fakt nuk është elitë e zgjedhur nga mendimi, por nga forca e diktati i një njeriu të vetëm, që, herë pas here, këndon me dy zëra ose shfaqet në dy zëra: njëri i ashpër, i pakontrolluar dhe tjetri më tinëzar, i lehtë dhe që nuk merret në konsideratë as nga ata që ka në kuzhinën e tij.

Kam shumë miq që janë pjesë e opozitës së sotme shqiptare. Kam miq edhe tek opozita e madhe, që quhet PD ose shqupistët, ashtu si kam miq edhe tek opozita e vogël, që sa vjen e egërsohet marramendshëm budallshëm, ose LSI.

Ne jetojmë në një vend, kemi bërë shkolla të përbashkëta, kemi dhënë e kemi marrë miqësi , jemi njohur prej viteve ose tani , së voni, por kjo nuk e bën as pozitën më atdhetare e as opozitën më të shitur.

Të qenurit pjesë e një force politike nuk të jep dëshminë se domosdo do të jesh atdhetar, ose, në të kundërt , patjetër do të jesh i shitur.

Pjesë të kësaj opozite e kanë votuar shumicën e sotme qeverisëse në vitin 2013 e ndoshta edhe një vit më parë. Pjesë e kësaj opozite, të pakënaqur nga lidershipi i tyre, jo thjeshtë e vetëm se hoqi disa figura nga listat e deputetëve, por në radhë të parë nga mungesa e vizionit, ideve dhe paraqitjes së saj përmes disa figurinave të dalë boje, abstenoi në zgjedhjet e fundit, u tërhoq, pikërisht se nuk donte të bëhej pjesë e një llumi politik, që po shkonte drejt një lëvizje politike esadiste.

Në një vit prove që është para, deri në qershorin e vitit 2019, dritat jeshile për të cilin duken të hapura, nuk mund të sjellë hapjen e negociatave nëse në mendësinë e pushtetit se kemi përballë vetes një opozitë të tërë esadiste.

Shumica qeverisëse duhet të ketë në vetëdijen e saj politike se afrimi është një domosdoshmëri dhe jo largimi; se përmes ridimensionimit të politikës së saj njerëzit mund ta ndjejnë veten pjesë të reformave, që do të thotë pjesë e ndërtimit të shtetit; ajo duhet të gjejë urat për të patur një mendim të përbashkët edhe me ata që sot kanë heshtur, duke krijuar një ndasi mes asaj pjese të opozitës që edhe këtë vit do të përpiqet të hedhë në erë të gjitha urat e përbashkëta dhe, tjetrës, që është e gatshme për të patur edhe më shumë ura të tilla.

Ndoshta mund të duket e parakohshme dhe të tingëllojë jashtë momentit ideja e krijimit të një politike të përbashkët integrimi, nëse jo përmes lidershipit opozitar, me mendjet e duhura të opozitës dhe, duke krijuar një stabiliment më të fuqishëm politik për integrimin, të gjejë mundësinë dhe rrugët që kjo pjesë e opozitës, e menduar dhe e lexuar, atdhetare dhe e denjë, të jetë pjesë e saj.

Është një vit prove, i cili tani ka një cak. Një cak të qartë, të datuar, që më shumë se sa të thërrasësh për fitore, të josh për punë.

Për njerëzit e zakonshëm, në cilëndo anë të jetë mendimi i tyre politik, kjo është e rëndësishme.

Qeveria duhet ta kuptojë këtë.

Është koha e paqëtimit mes saj dhe asaj pjese të opozitës që nuk mendon për pushtet, por për shtet.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?