Foto nga protesta kundër rritjes së çmimeve

A ka lidhje Vladimir Putini me protestat e Tiranës?!

14 Mars 2022, 19:16| Përditesimi: 14 Mars 2022, 19:27

  • Share

Ndërsa Edi Rama tha sot se protestat për pasojat e luftës, i shërbejnë Rusisë, disa media janë rrekur të shpjegojnë se në disa segmente, këta protestues janë bërë me Putinin pa e ditur.

Por realiteti është krejt ndryshe. Realitet i cili duhet ndarë në dy anë të ndryshme të medaljes, të cilat lidhen me njëri- tjetrin. 

Ta nisim nga e para. Jo vetëm në këtë protestë, apo në protesta të tjera, por tashmë janë profilizuar si kontestatorë civilë, që quhen “veprimtarë” e thirren në media si “analistë”, disa persona që s’janë gjë tjetër veçse janë ushtarë virtualë të Vladimir Putinit, në kuptimin e plotë të fjalës.

Si ajo “juristja” që del nëpër televizione e që njihet si pjesëmarrëse e disa protestave në vend, e cila e konsideron Volodimir Zelenskin një “kukull gay” dhe përsërit në propagandën e saj, as më pak e as më shumë por të gjithë propagandën që Sputnik e RT bënin në Ballkan e Europë për vite e vite.

Ashtu edhe të tjerë që janë “atashuar” si “miq të Rusisë” e që i pamë në fjalimet e ditës së parë të protestës për naftën përpara Kryeministrisë.

Ndërkohë, kur juristja Brisida Gjikondi, shprehu mendimin e vet në lidhje me infiltimet ruse në protestat e Tiranës është ironizuar e tallur, pa u marrë fare me argumentet që ajo sjell.

Nga ana tjetër, në mjedisin e opozitës radikale shqiptare, është krijuar prej kohësh një mjedis mendimi, i cili konsiston në antagonizmin ekstrem, madje banal shpesh here- ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e akuzojnë si përkrahëse të Edi Ramës.

Ky ambjent është majisur me kujdes prej vitesh që kur doli trumpizmi në 2016-n, e në Tiranë u duk se doli “dielli” që do të përmbysë Edi Ramën me çadrën e Lulit, e natyrisht me stërkëmbshin e Ilir Metës, atëherë në rolin e “të dashurit armik”-aleat i Edi Ramës.

Të gjithë këto fenomene, nëse lihen në hapësirën e tyre vegjetative, natyrisht që nuk kanë pse kthehen në zhvillim primar, nuk kanë pse merren si arsye reale për tu shqetësuar në një deviacion filorus të logjikës opozitare shqiptare.

Pasi në këtë rast, do të duhet të mbizotërojë qëndrimi bazik i politikës që udhëheq mendimin e qëndrimin antiqeveritar të Shqipërisë.

Nuk ka asnjë dyshim që protestat e zhvilluara në Tiranë, edhe pse janë vibrim qytetar i shtresave që nuk e duan Edi Ramën dhe qeverinë e tij, pasi duan ta rrëzojnë sa më parë, ata kanë një kokë që mendon një strategji të politikës protestuese.

Që duhet të çojë në një mbarsje të opinionit drejt një qëndrimi politik për të ndryshuar qeverinë e për të sjellë në zgjedhjet e ardhshme një klasë të re politike në krye të vendit. Deri këtu nuk ka asnjë gjë të re. Pasi e dijmë se ka një pjesë të opinionit, me panelistë e analistë që si Lubonja mendojnë se kemi një “shtet gangster” të drejtuar nga Edi Rama që duhet rrëzuar.

E po këta, sidomos Lubonja, e thonë qartë prej vitesh se më mirë “disa banda, se një bandë”, e me këtë aksiomë mbrojnë fort rikthimin e Sali Berishës dhe Ilir Metës në krye të politikës e të vendit. Kjo është shumë e njohur, siç është e njohur përplasja e egër e kësaj pjese të opinionit që përkrah Berishën e Metën me SHBA dhe qeverinë e saj.

Shkaku është i qartë; inati për ndëshkimin ndaj Sali Berishës, por edhe problemet që Ilir Meta ka me qeverinë amerikane, të cilës i ka përmendur edhe “raketat bërthamore që i ka edhe Rusia”.

Deri këtu nuk është asgjë e re, e aq shumë është mbarsur opinioni me këtë diskurs sa edhe është bërë bajat. Por në rastin aktual, kur kemi të bëjmë me një qëndrim krejt të qartë të të gjithë Perëndimit, ku hyn edhe Shqipëria, kundër agresionit ndaj Ukrainës, duhet të prevalojë një logjikë komune e palëve.

Siç Berisha dhe Meta e kanë shprehur me fjalë kundërshtimin ndaj agresionit rus dhe kanë përkrahur Ukrainën. Këtu nuk bëhet fjalë për t’i dhënë një armëpushim Edi Ramës, pasi një opozitë, sidomos ajo radikale, nuk mund t’i japë kurrë armëpushim kundërshtarit të saj. Por do ta godasë vazhdimisht e fort, derisa ta rrëzojë, natyrisht me mjete politike. Ky është edhe rregulli kryesor i lojës demokratike.

Por që kjo betejë kundër Edi Ramës, të mos marrë interference putiniane, e meqë ra fjala, përse nuk hiqen parrullat dhe fansat e zellshëm të carit të Moskës? Realisht kjo nuk është shumë e lehtë, pasi përveç lloj- lloj personi që pëlqen Putinin për inat të Amerikës, ky koncept avash- avash është kthyer si lejtmotiv tek njerëz që përpunojnë edhe opinionin publik propozitar.

Ata gdhihen e ngrysen duke agresuar verbalisht SHBA dhe politikën e saj në Shqipëri. E kur i është dhënë mundësia, në panele e televizione kanë treguar mesazhe të qarta putiniste në lidhje me agresionin e Ukrainës.

Në këtë rast, nuk bëhet fjalë aspak për “teori konspirative për të mbrojtur qeverinë”, pasi kemi emra të njohur të opozitës, të cilët edhe pse kundërshtarë të fortë të Edi Ramës, kanë qenë mjaft të qartë në lidhje me trajtimin pro-perëndimor të pushtimit të Ukrainës.

Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili ka qenë një nga ekspertët më të përgatitur në panelet e darkës për të shpjeguar konfliktin nga pikëpamja ushtarake, është aktiv edhe në rrjete e media. Madje në një nga qëndrimet e tij, Demiraj e konsideronte fat të madh që shqiptarët janë me SHBA, e cila ka mbështetur aq shumë shqiptarët në Ballkan sa sot ne kemi tre kryeministra shqiptarë në 6 vende të Ballkanit Perëndimor:

Ai i Shqipërisë, i Kosovës dhe i Malit të Zi, plus gjysmën e qeverisë së Maqedonisë së Veriut. E natyrisht që këtu, është krejt i mundshëm kundëreaksioni politik nga ata forca potenciale që ta bllokojnë apo ndalojnë këtë zhvillim.

Pra, që në Tiranë ekziston një mjedis që e ushqen një përplasje me SHBA sidomos pas ndëshkimit të Sali Berishës është e qartë, siç kanalizimi i këtij mjedisi si një vullnet për të rrëzuar qeverinë e Ramës nuk do as mend as kalem. Këtë e shikon ditë për ditë, minut për minutë edhe në faqet e ambasadës amerikane në Tiranë.

Madje, edhe brenda protestës së naftës, po sulmohen ata njerëz që ca të tjerë i konsiderojnë si “sorroistë” e si provë nxjerrin fotot me ambasadoren amerikane në Tiranë.

Nga ana tjetër edhe mënyra agresive e diskursit që bëjnë në media mbështetësit e Berishës e Metës, që sollën si kryefjalë termin “turp”, e polarizimi i mjedisit, krijon të gjitha premisat për të mos rrëzuar “tezën putiniste”.

Në një nga protestat kishte një parullë: “Sanksionet ishin për ne apo për Rusinë”, e cila edhe nëse do të ishte shfaqur në Beograd do të sillte polemika, e jo më në Tiranë…

Komento

Komente

  • Hasan Pordha: 14/03/2022 20:44

    Po e thashe edhe ne nje koment para disa oresh qe po nuk u shpall mon grata i tere personeli i ambasades ruse te qerohet brenda 24 oreve nga Shqioeria dhe te behet kallzim ne Gjykaten Nderkombetare ne Hage per nderhyrje te Rusise ne punet e brendeshme te Shqiperise ky vend nuk do te kete qetesi. NATO te mos beje sehir sic po ben ne Ukraine se po u fut edhe ketu do ta beje Shqiperine sic po ben Ukrainen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?