Daljet mediatike të Berishës vërtet përbëjnë lajm, por gjithësesi pak elementë të panjohur kish në konferencën e tij të fundit. Madje dhe surpriza nuk kish. Qëndrimin e tij për padinë në gjykatat franceze, ish-kryeministri i shpallur ‘non grata’ nga sekretari i Shtetit Blinken, e kish bërë të qartë prej kohësh. Po ashtu dhe vendimi për të qenë pjesë e parlamentit shqiptar duke hyrë në sallë si deputet i PD, ish deklaruar prej disa javësh nga Berisha. Që në ditën e Kongresit të PD ku u prit me brohorima nga delegatët, pak kohë pasi ish shpallur ‘non grata’. Elementi i vetëm i ri ishte qëndrimi i ashpër ndaj kryediplomates së SHBA në Tiranë pas deklaratës së saj në oborrin e PD ku i bënte thirrje Bashës për të mbajtur qëndrim dhe për ta ndarë rrugën e PD nga ajo e Berishës, për të cilin vendi në parlament nuk duhet të jetë me statusin e deputetit të PD.
Berisha, siç pritej e sulmoi ashpër për këtë qëndrim të hapur të ambasadores për fatin e tij si deputet, por dhe për editorialin e saj në media. Tek kjo e fundit për ta treguar të njëanshme për qëndrimin ndaj zgjedhjeve dhe njohjen e rezultatit të 25 prillit. Gjithësesi, deklarata e Berishës dhe pozicionimi i tij nuk përbëjnë surprizë përderisa ka një damkosje nga Departamenti i Shtetit gjë për të cilën ka hapur dhe luftë. Në këtë rast ai thjesht shfrytëzoi mundësinë për të ripërsëritur vendimin për padinë në gjykatën franceze dhe për vajtjen e tij në parlament. Ajo çfarë ishte e re në konferencë, ishte miklimi dhe falenderimi që i bëri Bashës që i paska kërkuar ambasadores “dokumenta e prova për akuzat e SHBA mbi Sali Berishën për shpalljen “non-grata”. Berisha përshëndeti qëndrimin e deritanishëm të kreut aktual të PD dhe duket i kënaqur nga pasuesi i tij. Ky falenderim vjen ndërkohë që Basha ka tre muaj që hesht për këtë çështje. Ka tre muaj që asnjë institucion në PD nuk ka marrë në analizë rastin Berisha dhe të ketë një qëndrim se cili do të jetë pozicionimi i partisë lidhur me ish liderin non grata. Ndërsa ka një gojëqepje në PD, a mund të besosh se Berisha në konferencën e djeshme ka folur edhe në emër të Bashës? Mesa kuptohej në këtë periudhë Basha ka qenë i pafuqishëm ti dalë përballë Berishës, ndonëse distancimin ndaj tij duket se ua ka premtuar ndërkombëtarëve. Kjo pritshmëri e Bashës ndoshta vinte pse vetë Berisha do ta gjente vetë një zgjidhje daljeje, dhë kështu nuk do i bënte pis duart. Por Berisha foli siç di ai të flasë, luftë ndaj gjithkujt për këdo që e ka prekur. Dhe për këtë nuk ngurron të përdorë as PD dhe as Bashën. Ndaj, çfarë pritet të shohim është nëse kreu i PD do të mbetet në vorbullën e Berishës apo do e ndajë fatin e tij nga ish lideri./fjala.al