Ekonomi

A po hyn ekonomia botërore në një spirale të çmimeve dhe të pagave? Rritja e pagave dhe inflacioni janë jashtëzakonisht të larta

14 Nëntor 2021, 02:09| Përditesimi: 14 Nëntor 2021, 02:11

  • Share

Vendet e pasura janë mësuar me rritjen e ngadaltë të çmimeve dhe pagave. Në dekadën pas krizës financiare globale, inflacioni rrallëherë i tejkalonte objektivat e bankave qendrore dhe nuk dukej se pagat mund të rriteshin shumë shpejt.

Fuqia shpenzuese e pagës mesatare për orë në Britani, Itali dhe Japoni, ishte pothuajse e njëjtë në fillim të pandemisë, si në mesin e viteve 2000. Fakti që rritja e pagave në Amerikë ishte mesatarisht 2.9% nga viti 2015 në 2019, ndërsa inflacioni mesatar qëndroi nën nivelin 2%, dukej një triumf i rrallë.

Rimëkëmbja nga pandemia ka sjellë ndryshim befasues: çmimet dhe pagat janë në rritje. Pagat për orë në Amerikë u rritën me 4.6% në vit deri në muajin shtator, ndërsa inflacioni i çmimeve të konsumit prej 5.4%, po i fshin këto fitime. Në Gjermani, inflacioni ka arritur në 4.1% dhe sindikata kryesore e sektorit publik po kërkon një rritje pagash prej 5%. Pagat dhe çmimet janë rritur në mënyrë modeste edhe në Japoni.

Shkaqet e çmimeve më të larta janë të qarta: kërkesa e shfrenuar për mallra ka shkaktuar përçarje në zinxhirët e furnizimit dhe çmimet e energjisë janë rritur. Rritja e pagave është më misterioze. Në shumicën e vendeve, punësimi është më i ulët se sa para pandemisë. Megjithatë, punëtorët duket se nuk dëshirojnë ose nuk janë të aftë të marrin vendet e lira të punës.

Mungesa e fuqisë punëtore po bëhet gjithnjë e më e theksuar ndërkohë që ekonomitë po kalojnë nëpër një fazë të pazakontë përshtatjeje. Frika nga virusi dhe efektet e ndihmave shtetërore për familjet, mund të vazhdojnë të ndikojnë në papunësi. Pandemia madje mund të ketë bërë që disa njerëz të vendosin si përparësi familjen dhe kohën e lirë mbi karrierën e tyre.

Një gjendje e tillë e ekonomisë po vështirëson punën e bankave qendrore. Shumica kanë argumentuar se inflacioni i lartë është i përkohshëm. Por rritja e tepërt e pagave mund të jetë një faktor tjetër që do të nxisë më tej rritjen e çmimeve, veçanërisht nëse punëtorët kërkojnë pagë më të lartë, duke parashikuar rritjen e kostove të jetesës në të ardhmen.

Për të shmangur inflacionin e gjatë, duhet të kombinohen tre gjëra. Kompanitë duhet të rrisin pagat në vend që të rrisin çmimet. Rritja e produktivitetit mund të bëjë më të qëndrueshme rritjen e pagave reale. Ose të papunët mund të kthehen në fuqinë punëtore, duke zbehur rritjen e pagave.

Rritja më e lartë e produktivitetit është një shpresë e arsyeshme. Prodhimi për punëtor është rritur në Amerikë që nga fillimi i pandemisë. Dixhitalizimi i nxitur nga pandemia duhet të rrisë standardet e jetesës, sidomos nëse ul nevojën për të jetuar pranë qyteteve të shtrenjta për të gjetur punë të mira. Problemi është se vonesat e kohës e bëjnë të vështirë mbështetjen e politikave në tendencat e produktivitetit. Këto të fundit janë të vështira për t’u matur në kohë reale dhe duhen rreth 18 muaj që vendimet e bankave qendrore të përfshihen plotësisht në ekonomi.

Kjo do të thotë se politikanët duhet të përqendrohen në ofertën e punës. Rimëkëmbja e saj deri tani ka qenë zhgënjyese. Ka një shenjë çuditërisht të vogël që përfundimi i programeve të ndihmës ekonomike (siç është programi i ndihmës për të papunët në Amerikë dhe skema e ndihmës për pezullimet nga puna në Britani), do të rrisë numrin e njerëzve që kërkojnë punë.

Por ndërkohë që shumat e parave nëpër llogaritë bankare po mbarohen dhe pandemia po venitet, do të ketë sërish njëfarë ngadalësimi në vitin 2022, duke bërë që edhe rritja e pagave të ngadalësohet. Tani, më tepër se kurrë, politikëbërësit monetarë duhet të përqendrohen plotësisht te vendet e punës./Monitor

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?