A po zbatohen çmimet e ushqimeve të caktuara nga Bordi? Vëzhgimi i Report Tv, disa markete abuzojnë, çmime më të larta! Qytetarët: Skandal, blejmë më pak

Në ditën e parë, njësitet tregtare nuk po i zbatojnë  çmimet tavan të përcaktuara nga bordi i transparencës për orizin, sheqerin, vajin dhe miellin. Report TV bëri një vëzhgim në markete e supermarkete në Tiranë, nga rruga “Faik Konica” deri në rrugën e Elbasanit. Në disa pika, çmimet janë më të larta.

Orizi kokërrgjatë që duhet të shitet me 104 lekë/kg në markete e gjen me 120 lekë, e njëjta gjë edhe për vajin e lulediellit, nga 321 lekë të caktuar nga bordi nëpër dyqane e gjen me 345-360 lekë litri.

Mosbatimi ndoshta ka të bëjë edhe më faktin se publiku apo tregtarët nuk janë njohur akoma me çmimet tavan të vendosur nga bordi, por ajo që verehet në këto pika ka të bëjë me uljen e konsumit

“Jemi më të kontrolluar nuk blejmë çdo gjë tani, fillojmë edhe të seleksionojmë”, thotë një pensioniste.

Por si i vlerësojnë qytetarët çmimet e produkteve të shportës?

“Rritja e çmimeve më skandaloze më nuk ka, sidomos për moshën tonë. Në familjen time blihet edhe më pak sot, vetë e bëj pazarin, nga të shkojmë. Humbjen më të madhe financiare e kemi për anën shëndetësore”, tha një qytetar. 

“Vetë e bëj pazarin, me pensionin që kam unë dhe pse e kam të mirë përsëri nuk më del”, tha një tjetër pensioniste.

“Është edhe ndikimi i luftës por ne shqiptarët jemi pak matrapaz, ne ku të gjejmë momentin të abuzojmë”.

Ka edhe pensionistë të tjerë që ankohen pse nuk marrin 3 mijë lekëshin për kompensimin e shtrenjtimit të ushqimeve, edhe pse pensionin mund të kanë 1 mijë lekë mbi 15 mijë lekë në muaj.

“Çmimet janë rritur për të gjithë, ai që mund ta ketë pensionin nën 150 mijë lekë mund të bashkëjetoj me djalin që ka rrogë të madhe, ndërsa unë që bashkëjetoj vetëm me një pension normal, mund nuk duhet të më rritet. Për çfarë arsyeje?”, thotë një tjetër pensioniste.

Mielli, vaj, sheqeri dhe orizi, janë 4 produktet që Bordi i Transparencës ka vendosur që të mbajë në monitorim dhe caktojë një çmim tavan për shitjen e tyre. Kështu nga sot, në të gjitha dyqanet, 1 kg sheqer do të blihet me një çmim jo më të lartë se 123 lekë; 1 kg oriz 104 lekë si edhe 1 kg miell do të shitet jo më shtrenjtë se 90.5 lekë. Ndërkohë, 1 litër vaj luledielli do të kushtojë jo më shumë se 321 lekë. Çmimi i vajit ka arritur në nivele maksimale, madje ai sot tregohet më shumë se nafta.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?