Me mijëra qytetarë të stresuar kudo në Europë, SHBA, Rusi dhe pothuajse në çdo qytet dhe vend tjetër të botës, ndoshta përveç Kinës dhe Koresë së Veriut, po zhvillojnë këto ditë protesta masive, disa prej tyre të dhunshme, kundër masave shtrënguese prej pandemisë.
Shqipëria përjetoi edhe një tërmet tragjik para pandemisë, megjithatë shqiptarët siç duket jo vetëm që nuk dalin të protestojnë për të drejtat e tyre, vazhdimisht të mohuara, shpesh të dhunuara, por kanë vendosur të ‘festojnë’ për një stres apo ves tjetër më të madh, atë politik.
Disonanca konjitive është stresi psikologjik që përjeton një person, i cili përballet me dy ide të kundërta ose me besime kontradiktore brenda vetes. Njerëzit hutohen shumë, kur pikëpamjet dhe vlerat universale bien ndesh me veprime dhe zhvillime që shkojnë kundër besimit të tyre.
Kjo u ndodh më shpesh njerëzve të paarsimuar, ose të arsimuar keq, ata që janë të pakorigjueshëm, më egoistët, më pak tolerantët, më ambiciozët, më militantëve mes partive, të cilët ndihen të vlerësuar kur në një kohë fitojnë ndonjë privilegj, por nuk parashikojnë dot se në një kohë tjetër më i sigurt është viktimizimi nga udhëheqja e tyre.
Stresi psikologjik akumulohet, kur një pjesë e mirë e elektoratit beson verbërisht tek partia pavarësisht rrugës së gabuar që ajo ndjek, dhe më keq akoma, kur ai për shumë kohë shpreson të gjejë rrugëdalje nga i njëjti lider me të cilin mund ta ketë humbur rrugën disa herë.
Kjo po ndodh pak a shumë me opozitën sot në Shqipëri. Foltorja e Berishës ngjan me çlirimin e një stresi të tillë të akumuluar pas tre humbjeve radhazi dhe me shpresën që rikthen lideri me të cilin ata suksesin e dikurshëm përmes tij e shohin tashmë edhe si një farë nostalgjie. Si shembull, shumë nga të pranishmit në Foltore janë të persekutuar politikë dhe presin për një zgjidhje që në fakt ata duhet ta kishin siguruar në vitin 1992.
Çlirimi i stresit të akumuluar megjithatë është një aspekt pozitiv i zhvillimeve të fundit të Foltores, për më tepër, Berisha që është mjek në profesion e kupton situatën, sikurse gjendjen ku ndodhen “pacientët” e tij më të demoralizuar, megjithëse për hallet e tyre, janë të shumtë ata të cilët pyesin: Pse e tërë kjo lëvizje nisi në një kohë kur Berisha u shpall ‘non-grata’ dhe u pezullua nga partia e tij dhe jo atëherë kur Basha u rizgjodh kryetar opozite?
Përtej anës pozitive të momentit, pra, që kjo lëvizje po çliron stres dhe po rikthen shpresë, ideja se Berisha tërë këtë lëvizje po e e realizon për hallin e tij personal si dhe ideja tjetër, se si një politikan zyrtarisht i padëshiruar dhe i akuzuar nga politika amerikane, nëse ai rimerr opozitën mund të mos rikthehet kurrë në pushtet, pikërisht këto kontradikta të mëdha në një periudhë afatgjatë mund të rikthejnë dhe madje mund të shtojnë edhe më tepër stresin psikologjik te përkrahësit e tij, deri në atë masë, sa mund të rrezikohet depresion masiv.
Pavarësisht se cili do të jetë fati i liderit të ardhshëm të PD-së, ata të cilët nuk besojnë më se Lulzim Basha do t’i rikthejë në pushtet, apo nëse besojnë se ai ka devijuar nga vlerat e së djathtës konservatore, ata të cilët mbetën thuajse të pashpresë, ata të cilët ishin në kërkim të një alternative tjetër, ose të një lideri tjetër, mund të pësojnë një zhgënjim më të madh nëse përmes lëvizjes së Berishës objektivi nuk realizohet në një kohë të shpejtë.
Për këtë arsye, shkarkimi i mundshëm i Bashës dhe përjashtimi i Berishës nga PD pas dy kuvendeve të paralajmëruara të dhjetorit, ka gjasa të ndezë më tej konfliktin dhe si pasojë e kësaj të shtojë më tepër stresin te militantët.
Prandaj do të kërkohet të gjendet sa më shpejt një zgjidhje. Më i interesuar për të gjetur një zgjidhje pas dhjetorit do të jetë Berisha. Lëvizja e Berishës do ta ketë të vështirë të fitojë betejën ndaj Bashës dhe të ketë sukses pa një kompromis të mundshëm, sikurse mund të jetë i pamundur qoftë edhe me protesta politike rrëzimi i Ramës, siç pretendohet. Asnjë qeveri nuk është rrëzuar nga protestat në 30 vite pluralizëm. Revolucioni që përmend Berisha është presion për kompromis me ndërkombëtarët, të cilët nuk duan trazira.
Edhe një pjesë e mirë e elektoratit të majtë ka probleme të ngjashme, të pashmangshme me stresin që u krijon qeveria, sepse jetojnë në të njëjtin mjedis politik. Ata për shembull e dinë gjendjen ku ndodhet blegtoria kështu që i duket tallëse ideja e ‘akademise së çobenjve’. Ose kur interpretohet si sukses borxhi 700 milion euro. Por si ndryshim aktualisht të majtët nuk kanë të njëjtin zhgënjim dhe stres të akumuluar nga partia që i përfaqëson. Kjo për faktin se PS qeveris pas ’90 në mandatin e saj të pestë dhe të tretin radhazi. Si asnjëherë tjetër në historinë e pluralizmit e njëjta parti kontrollon tërësisht pushtetin lokal. Megjithatë, ishim më mirë në kohën e Nanos, thonë disa nga të zhgënjyerit në PS. Ka edhe shumë nga ata që pretendojnë se ishin më mirë në kohën e Enverit.
Në komunizëm ndonëse nuk pati dallime të theksuara sociale në shoqëri, pas gjysmë shekulli dhe ndryshimeve të mëdha politike shumica e njerëzve e kuptuan gabimin ideogjik.
Kapitalizmi është një sistem i padrejtë, që i shërben dhe pasuron vetëm një grup të vogël njerëzish e si i tillë lufton të varfërit dhe punëtorët. Këta të fundit edhe pse janë shumica, nga padrejtësitë politike dhe shfrytëzimi i ‘borgjezisë’ në një sistem të egër si kapitalizmi vuajnë për bukën e gojës. Ndodh që njerëzit vdesin edhe nga uria. E tillë ishte propaganda që përhapej me shpejtësi gjatë viteve të komunizmit, jo vetëm në Shqipëri.
Komunizmi nuk i pranonte dobësitë, por propaganda si kudo bënte punën e saj. Shumica e shqiptarëve e besuan verbërisht sistemin derisa kapitulloi. Kur një vlonjat, besnik i regjimit të kaluar, i brumosur tërë jetën me propagandë, pas shumë dilemave për të mos ‘tradhtuar’ Atdheun, shkoi edhe ai si shumë të tjerë emigrant pas ’90. Sapo kaloi detin me anije dhe pa fshatrat e parë të Italisë tha: Eh, shoku Enver, na e paske punuar bukur!
Le të themi se shumë njerëz kudo i kanë besuar verbërisht shumë më tepër liderit politik, por vjen një ditë e trishtuar kur ata shohin se besimi i tyre i madh ishte një gabim i përmasave gjigante. Prandaj është e udhës që njerëzit të organizohen dhe të protestojnë më shpesh në komunitetet ku ata jetojnë, pa qenë e nevojshme prania politike, për të garantuar të drejtat e tyre, që të shpresojnë se nëpërmjet institucioneve më të forta dhe të pavarura mund të gjejnë zgjidhje më të shpejta.
Ndërsa politikanët në përgjithësi gjithmonë priren të zhgënjehen, janë njerëzit e thjeshtë, elektorati që u ka besuar, ata që mund të ndihen mjaft të humbur. Politikanët e dinë më mirë kur kanë gabuar, prandaj edhe kur pozitat e tyre kërcënohen ftojnë përkrahësit që të protestojë, sepse ata refuzojnë ta pranojnë të vërtetën, duke gjetur vazhdimisht justifikime.
Ne të gjithë kemi bërë diçka që mund të ishte dukur e mirë në një kohë, por doli të ishte krejtësisht e gabuar në një kohë tjetër më vonë. Pastaj vjen frika e pranimit të gabimit. Politikani pas gabimeve i duhet të humbasë pushtetin dhe të vuajë poshtërimin e të kërkuarit falje. Duke mos e pranuar gabimin dhe duke ia hedhur gjithmonë fajin kundërshtarit, politikani nuk tërhiqet por me qëndrimin e tij krijon konfuzion në elektorat.
Psikologia sociale Carol Tavris, e cila shkroi librin “Gabime bëhen (por jo nga unë)”, thotë se problemi vjen kur sulmohet ndjenja jonë që kemi për veten. “Disonanca konjitive është ajo që ndiejmë kur vetë-koncepti – unë jam i zgjuar, më i drejtë, jam i sjellshëm, jam idealist, i bindur dhe se ky besim që kemi para se të jetë i vërtetë – kërcënohet nga provat dhe argumentet se tjetër gjë është e vërteta.”
Mospranimi i gabimeve i bën njerëzit më pak të prirur për vetë-përmirësim. Disa nuk mund të korigjohen kurrë që të bëhen më të mirë dhe më të moshuarit prej tyre e dinë këtë gjë.
Kontrolli i egos shtrihet në diçka që ekspertët e quajnë reaktancë psikologjike – por jo shumë njerëzve u pëlqen që t’u thuhet ajo se çfarë ata duhet të bëjnë. Terapistja e shëndetit të sjelljes, Jane Permoto Ehrman, shpjegon se “rezistenca është rrënjosur thellë në kulturën dhe trurin tonë që në moshë të re”. E thënë ndryshe politikanët e rritur dhe të edukuar mirë me idealet komuniste, e kanë të vështirë të përshtaten dhe të udhëheqin ideale të tjera, në një sistem tjetër pavarësisht vullnetit dhe dëshirës për ndryshim. Ai krijon në elektorat besimin e gabuar se po udhëheq idealet e tyre, por në të vërtetë nuk bën gjë tjetër veçse i pengon ata për një të ardhme më të mirë.
Të gjithë kanë një formë rebelimi të brendshëm që u pëlqen të vënë në dyshim gjithçka ose të bëjnë të kundërtën e asaj që u thuhet. Për shembull disa politikanë nuk largohen nga skena. Disa të tjerë pavarësisht se kanë vendosur të tërhiqen me dëshirën e tyre vendosin të rikthehen sidomos, kur një gjë të tillë besojnë se po u imponohet nga të tjerët.
Neuropsikologia Dr. Sanam Hafeez e përkufizoi egon si një “ndjenjë vetëvlerësimi të një personi”. Dhe egos sonë i pëlqen të fitojë, pavarësisht se në çfarë situate apo argumenti gjendemi. Këmbëngulja deri në kokëfortësi, nga ana tjetër, mund të sjellë vetë-kënaqësi.
Si përfundim, nëse kemi bërë diçka për të cilën nuk jeni krenarë mjafton të themi – se kemi gabuar, sepse ndryshe jo vetëm që nuk korigjohemi dot, por krijojmë stres si për veten ashtu dhe për të tjerët. Vetëm kështu studiuesit besojnë se mund të fitojmë një ndjesi çliruese dhe si rrjedhojë mund ta vendosim jetën tonë në një rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë.