Në një kohë kur Sali Berisha ka nisur turin e takimeve me demokratët e bazës, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha organizon në selinë qendrore takime me drejtuesit lokalë të degëve
Mesdita e së mërkurës ishte intensive për kryedemokratin, i cili thirri njëri pas tjetrit drejtuesit e bazës. Takime që kanë për qëllim organizimin dhe strategjinë opozitare thonë burime për Report Tv. Gjatë takimeve me drejtuesit e PD-së në strukturat vendore është diskutuar edhe për propozimet për reformat, kryesisht për atë territoriale, e cila është në fokus të PD-së për këtë sesion të ri politik.
Por a ka dhënë porosi Lulzim Basha që krerët e degëve të bojkotojnë forumet e Berishës në rrethe? Burime për Report Tv thonë se nga Basha nuk ka patur kërkesa distancimi ose më saktë ai është treguar i kujdesshëm në këtë drejtim nisur edhe prej faktit se shumë drejtues degësh kanë marrëdhënie personale me ish-liderin Berisha.
Kështu ndodhi edhe në Fier, nga ku Berisha shigjetoi ambasadoren Yuri Kim. Ai pranoi se ka dosje ndaj tij në vendimin e shpalljes 'non grata' nga DASH, por dha variantin e tij se ato janë shpifje nga raporte të zyrave të Ramës. Menjëherë ju përgjigj shefja e diplomacisë amerikane e cila ia bëri të qartë se SHBA është serioze në luftën me të korruptuarit në Shqipëri.