Aksioni politik, që ka ndërmarrë javët e fundit Sali Berisha, kryetari i grupit politik brenda PD-së njohur si “Rithemelimi”, është mbiquajtur prej tij revolucion. Pa dashur t’u përsëritet koncepti i revolucionit, e marrë apriori prej mbështetësve të afërt, tashmë ky koncept ligjërohet nga e gjithë piramida e tyre. Fatkeqësia më e madhe është se tek kjo pjesë e PD-së nuk po e këqyrin realitetin historik, ku po kalon Shqipëria. Në të gjithë diskursin politik, prej verbërisë në masë të politikanëve, ekziston vetëm dikotomia Rama-Berisha, por aspak realiteti dhe mbi të gjitha, si mund të ngrihesh mbi këtë realitet, ku ndryshimi është nevojë. Paçka konceptit hegelian se:” Historia na mëson ne se njerëzit nuk mësojnë asgjë nga historia”, e vërteta është se vetë historia është një produkt njerëzor, ku qenia vërtetë shpesh nuk mund t’i bëjë ndonjë gjë, por aman është individi, që shpesh bëhet përgjegjës për përfshirjen në të.
“Revolucionet shoqërore janë kompromise mes utopisë dhe realitetit historik. Mjeti i revolucionit është utopia, dhe materiali është realiteti shoqëror mbi të cilin dikush dëshiron të imponojë një formë të re. Dhe në një farë mase, mjeti duhet t’i përshtatet substancës që rezultatet të mos dalin qesharake”, citojmë politologun polak Leszek Kolakowski.
Që të ndërtosh një utopi duhet të shkëputesh nga një realitet i gjallë, duke i shpallur karshillëk që shkon pastaj deri në në përpjekjen për ta transformuar. Por kjo shkëputje sërish nuk do të thotë se ndërton menjëherë por thjesht se po e kundërshton.
Duke iu larguar pak filozofikimit, Berisha është duke e përcjellë në një absurd, grupin e tij politik, sepse nuk flet me koncepte por vetëm me mllefe dhe luan me urinë e sotme të shqiptarëve për ndryshimin e nevojshëm. Humbja e logjikës së këtij ndryshimi është vazhdë e gjithë politikës së tij, ku ashtu si ka bërë deri më tashmë ai dhe të gjithë politikanët nuk synon t’i tërheqin votuesit nëpërmjet programeve të zhvillimit dhe politikave ekonomike- tashmë për pushtetin lokal- por thjesht të plotësojë retorikën kundër Ramës, për të cilin publikut i mjaftojnë skandalet dhe puna e dobët e administratës së tij.
Ndërkohë që përplasja më e madhe e njerëzve të tij dhe narrativa e tyre lidhet vetëm me atë që quhet sulm ndaj regjimit politik të Ramës. Për kujtesë: Regjimi politik i kësaj kohe është sa regjim i Ramës edhe regjim i Berishës, Fatos Nanos, Metës, madje edhe ish-presidentit të parë të erës demokratike Ramiz Alisë. Ky i fundit lidhet me hapjen drejt një sistemi politik, që po e përjetojmë dhe sot e kësaj dite dhe falë këtij sistemi kemi hapur integrimin në strukturat europiane. Ky sistem lidhet me regjimin politik, strukturën ekonomike dhe organizimin social, etj, ku regjimi politik është thjesht forma e organizmit të pushtetit, zgjedhur nga shqiptarët, në gjirin e një sistemi politik. Me këtë lidhet aprovimi i kushtetutës së një shteti, mënyra e votimit, organizimi i pushtetit lokal dhe qendror etj.,…dhe mbi të gjitha përjetimi i të gjithave si një organizëm i gjallë për funksionimin e shtetit me ndarjen përkatëse të pushteteve. Ja pse lëmshi i koncepteve; apo revolucioni, që zakonisht u dedikohet të Majtëve po e bën deri absurde luftën e Berishës në krye të pjesës së PD-së, që edhe kështu e përçau keqazi dhe gati pa kthim, ish-partinë e parë të demokracisë.