TIRANE- Në GJKKO vijon tentativat e avokatëve mbrojtës të Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për të ndryshuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’.
Në seancën e sotme avokatët i kërkuan gjyqtares Irena Gjoka të heqë dorë nga gjykimi duke i paraqitur vendimin e Gjykatës së Athinës. Vetë gjyqtarja nuk u shpreh por i ktheu aktet avokatëve.
Seanca u shty për në datën 21 maj ku gjyqtarja do të shprehet për kërkesën për revokimin e masës së sigurisë për Malltezin ndërsa për Berishen avokatët kanë rezervuar të drejtën ta bëjnë në seancën e radhës. Nga ana e tyre prokurorët e SPAK kanë kërkuar që të mos ndryshohet masa e sigurisë.
Prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK.
Ish kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.