Agalliu në 'Studio Live': Një nga gabimet e humbjes në 25 prill ishte aleanca me një parti të korruptuar si LSI! E vërteta e fotove me Ramën dhe Veliajn

12 Janar 2022, 20:42| Përditesimi: 12 Janar 2022, 22:36

  • Share

TIRANË- Deputeti demokrat Arbi Agalliu ka komentuar në Report Tv fotografitë e tij që kanë qarkulluar në media me kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj. Agalliu tha në 'Studio Live' me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri se foto me Ramën i përkon datës 21 nëntor të vitit që lamë pas dhe ka qenë një takim rastësor në një nga lokalet më të frekuentuar në qytetin e Vlorës.

Ai u shpreh se kanë shkëmbyer një batutë 30 sekondëshe në dalje të lokalit pas përplasjeve që kishin pasur dy ditë më parë në parlament. Teksa për foton me Veliaj, Agalliu tha se është bërë në vitin 2018 gjatë një aktiviteti në universitetin që ai drejtonte. Për Agalliun këto janë sulme politike që po përdoren kundër tij, ndërsa thekson se opozita bëhet në mënyrë konstruktive, por nuk mund të tregohesh agresiv me kundërshtarin kur përballesh në rrugë.

"Unë e kam qartësuar në një status në Facebook. Ai takim, përballje me Ramën është zhvilluar më 13 nëntor 2021 në një nga lokalët më të frekuentuar të qytetit të Vlorës. Një ditë para se të inaugurohej nisja e punimeve të tunelet të Llogorasë, ku sëbashku me familjarë dhe miq isha në bar dhe gjatë momentit të largimit ishte hyrja e tij. Ka qenë vetëm pak ditë që kemi pasur nga debatet që patëm në parlament ku Rama më akuzoi duke më thënë 'profesor po shpjegon sikurse po shpërndan dele' dhe përgjigjja ime ishte 'i nderuar kryeministër po të kesh këshilltar ekonomie mësuesin e anglishtes patjetër që do të duket dele ekonomia'. Pas dy ditësh shihemi në Vlorë dhe më tha 'profesor nuk mu ndave as këtu', i them që 'është qyteti im dhe nuk kam si të ndahem nga qyteti im'. Kjo ishte batuta prej 30 sekondash në shkëmbim hyrje dalje në atë ambient.

Me Veliajn është një foto e 1 qershor 2018 në një aktivitet të një institucioni që unë drejtoja, si drejtues në këto 15 vite unë e shpjegova kam pritur dhe më kanë pritur drejtues të ndryshëm. Në formimin tim, në edukatën time, opozita bëhet në mënyrë profesionale dhe konstruktive dhe nuk tregohesh agresiv me kundërshtarin në rrugë apo kafe. Ç'mund të themi kur Berisha dhe Meta në 2009 bashkëqeverisjen. Unë jam i sigurt, po të futeni në faqet zyrtare të institucioneve ku kam drejtuar do gjeni plot foto me të majtë me të djathtë ", tha Agalliu në Report Tv.  

Agalliu nuk ka kursyer akuzat kundrejt LSI-së duke e shigjetuar atë si një parti të korruptuar, ndërsa e cilësoi si një gabim bashkëpunimin me të në zgjedhjet e 25 prillit pasi çoi në humbjen e Partisë Demokratike. Sipas tij, PD nuk duhet të kishte nënshkruar në mënyrë kategorike një marrëveshje me një parti të korruptuar si LSI.

"PD e nisi zyrtarisht opozitën më 10 shtator në parlament qoftë komisionet përkatëse, në diskutimet në sallën e Kuvendit, në takimet periodike që deputetët bënin në zonat e tyre, qoftë e kërkesat për komisionet hetimore që u ngritën për zgjedhjet për inceneratorët, aferat që kanë dalë. Sot kemi në burg një ish-ministër të niveleve të larta të qeverisë Rama. Por që ishte me aleatin në zgjedhjet e fundit? Patjetër, unë s'kam asnjë kompleks, po të jetë për mua në mënyrë kategorike PD nuk duhet të bënte asnjë lloj marrëveshje me atë parti apo me ata individë që janë përfolur dhe kanë zyrtarizuar korrupsionin në Shqipëri. E ke fjalën për LSI? Po patjetër. LSI e nisi rrugëtimin e saj si një fraksion brenda PD dhe pikëpyetjet më të mëdha lidhur me korrupsionin janë ato që vijnë nga kjo forcë politike qoftë edhe në bashkëqeverisje me PD. Sot ato që fliten nga media apo informacione në rrugë të tjera është pikërisht situata korruptive që ajo forcë politike injektoi në qeverinë demokratike të mandatit të dytë", u shpreh Arbi Agalliu në Report Tv.

Protestën e dhunshme të 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike, Agalliu e cilësoi si një 'ditë të zezë për të gjithë Shqipërinë'. Sipas tij, protestuesit nëse kishin synim që të merrnin selinë duhet të prisnin jashtë derisa të dilnin zyrtarët, madje nëse do të ishte e nevojshme të prisnin edhe me ditë të tëra, por mos të ushtronin dhunë. Agalliu thotë se në fakt qëllimi kryesor i asaj proteste ka qenë të krijonte tension.

"Ka qenë ditë e zezë për të gjithë Shqipërinë sepse një vend pa opozitë është një vend që nuk ka shpresë. Njerëzit arrijnë të kuptojnë se kush është për dhunë dhe cili është për një politikë të ndryshme. Nuk e prisja, zgjidhja të ishte kjo, të qëndronin në oborrin e PD deri në momentin kur ata që ishin brenda të dilnin. Të ishte ideja për ta marrë selinë nuk duhej ushtruar dhunë. Ajo gjë është bërë enkas për të pasur tension. Unë kam qenë brenda, Basha ka dashur të tregojë se edhe unë kam njerëz që s'kanë pse tremben. Shkova në takim si shumë kolegë me një shpresë të vetme që do të shërbenim si amortizator për një konflikti", u shpreh deputeti demokrat.  

Lidhur me ndërhyrjen e policisë për shpërndarjen e turmës nga selia blu, Agalliu tha se kanë ndërhyrë me vonesë derisa morën kërkesë zyrtare nga Partia Demokratike.

"Nuk e gjykoj të arsyeshme mënyrën e ndërhyrjes, kanë vonuar shumë, kanë kërkuar njoftim zyra nga PD,  të shohësh njerëz që konfliktohen dhe mos të lëvizësh nuk është polici. Nuk mund të shpërndash turmën me atë lloj me gazi, me mjete të cilat nuk i shkonin asaj situate. Policia ka mjete dhe mënyra. Afrimi i policisë dhe ecja e policëve di bënte që turma të lëvizte jashtë. Nëse ka reagime dhe ndaj policisë është detyrë e saj të ndjekë protokollin", vijoi ai.  

I gjendur brenda selisë ditën e protestës, deputeti demokrat mohoi akuzat se nga brenda selisë së PD-së është ushtruar dhunë kundrejt mbështetësve të Berishës. Ai thotë se është përdorur fiksja e zjarrit për të mos i lejuar 'sulmuesit' të futeshin brenda pasi në zyra kishte njerëz që ndiheshin në presion të madh psikologjik.

"Nga brenda selisë ç'dhunë mund të ketë pasur kur ti je në një takim dhe vjen nga jashtë gjuhet. Nuk e keni idenë se çfarë dhune psikologjike ishte për njerëz që s'kanë qenë kurrë pjesë e gjërave të tilla. Aty ka pasur ekspertë që nuk janë mjeshtër në karate dhe të gjenden të rrethuar nga njerëz me varre dhe leva. Ti brenda je në dilemën se çfarë mund të ndodhë nëse futen. Fikset e zjarrit janë përdorur për të larguar ata njerëz që tentonin të futeshin brenda, imagjino të lesh ata persona të futeshin brenda do kishte konflikt. Dhe e dyta ka qenë spray për vetëmbrojtje", tha Agalliu.

Sipas Agalliu, Partia Demokratike është në ditët e saj më të këqija dhe e gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak se në 31 vite nuk është lejuar fjala e lirë brenda partisë. Ai thekson se PD duhet të fillojë ndryshimin dhe të qarkullojë elitat politike.

"Të fillojë ndërtimi i opozitës me një filozofi të re. Në këtë kontest PD duhet të bëjë një restart, jam për të respektuar çdo individ por qarkullimi i elitave është domosdoshmëri. PD është në ditët e saj më të keqe, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mospasjes demokraci në 31 vite se nuk guxohej të flisje. Deri në ditën e sotme Basha kishte pezulluar një individ, PD ka pasur 33 përjashtime në vite më parë", tha Agalliu në Report Tv.

1642017361_1642017331agalliu.jpg

Fotot e Arbi Agalliut me Erion Veliajn dhe Edi Ramën

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • eriona: 13/01/2022 07:59

    ky disident duhet te dorezoje mandatin qe i dhane demokratet. nuk i perfaqson me.

    Përgjigju
  • Llakatundi: 12/01/2022 23:30

    Ti je thejsht nje hajdut, dhe deputeti me i pasur i parlamentit. Ska shtet dhe spak se ti duhet te ishe ke 40 penxheret

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?