Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Standard & Poor’s (S&P), në rishikimin më të fundit konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+”, si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”. Lajmin e njoftoi Ministria e Financave Anila Denaj.
Agjencia vlerëson se ekonomia do të ringrihet gjatë këtij viti dhe parashikon një rritje ekonomike prej 5% dhe se deri në fund të 2021 Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) do të rikuperohet në nivelet e vitit 2019 (para pandemisë).
Agjencia pret që deficiti fiskal, i cili u rrit fort në 2020, do të fillojë të ulet që nga 2022 dhe do të kontribuojë që niveli i borxhit publik ndaj PBB të fillojë të ulet, ndërsa ekonomia rikuperohet dhe shpenzimet për masat kundër pandemisë do të shuhen.
S&P vlerëson se autoritetet synojnë të shfrytëzojnë çdo hapësirë fiskale për të vijuar me pagimin e detyrimeve të prapambetura të akumuluara në vitet e mëparshme, në veçanti vëmendja ndaj zerimit të stokut në rimbursimin e TVSH.
Agjencia projekton që raporti i borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së, pasi të kulmojë në rreth 78% të PBB-së në vitin 2021, pritet të bjerë nga viti 2022 e më tej, ndërsa ekonomia rikuperohet dhe shuhet gradualisht efekti i masave mbështetëse.
Agjencia e konsideron relativisht të lartë këtë nivel borxhi, si dhe vlerëson gjithashtu se është i ekspozuar ndaj rreziqeve të mundshme fiskale.
Agjencia shprehet se disa përpjekje të qeverisë do të mbështesin konsolidimin në vitet e ardhshme. Për shembull, qeveria pret që të zbatojë një strategji afatmesme të të ardhurave për të rritur mbledhjen e të ardhurave.
Qeveria Shqiptare ka filluar zbatimin e një sërë sistemeve, përfshirë atë të Fiskalizimit për të siguruar miradministrim fiskal, për të modernizuar sistemin ekzistues fiskal dhe për të siguruar rritje të të ardhurave ndaj PBB-së në mbi 30% në vitet e ardhshme.