Flamur Noka

Agron Gjekmarkaj: Letër mikut tim Flamur Noka nga Amerika

22 Prill 2022, 18:40| Përditesimi: 22 Prill 2022, 18:44

  • Share

I dashur Flamur e shoh që në këto kohe jallane po lodhesh shumë! Herë pas here pusho se pushimi është bereqet. Koha ikën, vitet shkimen, trupi plaket ndaj dhe rehatia s'ka çmim.

E di do me thuash partia dhe vatani kanë derte dhe ato mbivendosen ndaj halleve të tjera. Te jesh supi ku doktori mbështetet, syri me të cilin ai sheh , goja me të cilën ai flet nuk është gjë e lehtë. Shumë ta kanë zili. Ata do të donin të ishin në vendin tënd ! E do Tritani, e do Aldo, e do Albana e do Mondi  e plot të tjerë vendin tënd po nuk e kanë ! Ja ata të shohin në sy si shef gjithë endje e respekt por edhe me zili të fshehtë. Ruhu nga zilia se ti je njeri babaxhan e se ve re.

Nuk do të bezdisja me këtë letër nga larg  se ke pune operative nëse nuk do lexoja debatet e zbardhura në mbledhjen e grupit të PD-së! Mbase janë të cunguara , mbase jo krejt të vërteta dhe më shkon letra dëm, po bëma hallall e kabull se helbete largësia ca gjëra na i zmadhon , qimen na e bën tra  e ca na i zvogëlon psh Doktorin na e bën njeri ! Ndjesa është gjithmonë hazer e reflektimi i dobishëm.

Lexova që i thoje Enkeled Alibeajt -"pusho lidhe gjuhen -mos i fol Doktorit ashtu - ke qenë ushtar i tij mbaje radhe për ta takuar" ! Më bënë përshtypje ato fjalë zemre. E di që kur bëhet fjalë për Doktorin gjithçka të del nga shpirti edhe kërcënimi për kolegët. Po kjo e kërcënimeve një refren që kthehet herë pas here në partinë tonë ku turma të gabueshme dhe individ ende më të gabueshëm shfaqen para Doktorit që nuk gabon kurrë në këto 32 vjet si faji vetë.

Më shumë se kjo më bëri përshtypje kjo puna e ushtarëve dhe e radhës. Nuk e di si është sjellë Alibeaj kur ka qenë në kabinetin e Doktorit dhe as më duhet shumë! Por unë të besoj ty se e di që je i vërtetë. Besoj që Doktori ka patur shumë ushtarë në 32 vjet tani shumë më pak por ka ende, e di radha për në paradhomën e tij ka qenë e gjatë. Unë e kam takuar tre here në opozitë dhe jam kënaqur me bisedat dhe respektin.

Për fat të mirë  e kam gjetur bosh paradhomën. I dashur Flamur kjo puna e ushtarëve e ka ndyrë demokracinë në Shqipëri, kjo radhë e gjatë për të takuar liderin na ka pegerur  krenarinë dhe dinjitetin. Të dyja bashkë e kanë reduktuar PD-në në repart ushtarak ku gara është jo për ide po për të tundur kokën pas mendimeve të liderit. Kjo atmosferë e ka bërë PD-në pronë.

Kjo puna e ushtarëve Flamur po i largon shumë njerëz dinjitoz nga PD dhe nga Shqipëria. Kjo radha e tyre nuk po i lë radhë askujt që të afrohet dhe të bëjë karrierë normale të vijë e të ike pa e konsideruar tragjedi. Ushtaret rrinë aty prej 32 vitesh, ata nuk kanë moshë, disa as turp po kanë mirqenie e benefite. Sali Berisha meriton shumë respekt për gjithçka ka bërë mirë dhe ka plot gjëra që ai ka bë mirë siç ka dhe plot të tjera që nuk na bëjnë aspak nder. Shumë prej veseve që ka tranzicioni ynë, politika jonë  mbushur me ushtarë e me radha të gjata prej tij i kemi peshqesh.

"Besnikët e Doktorit" që sillen si pasdaranet e Ajatollah Komeinit nuk duan as bashkim, as hapjen  as PD-në më të madhe por repartin dhe bunkerin për beteja të reja. E duan të vogël, për atë e për vete, tragji-komike ne gjuhe e sjellje! E di vërtetë që ti e ke nga dashuria dhe mirënjohja pa kushte per Doktorin se ka qenë i mire me ty po ça te bëj unë që nuk di të jem mirënjohës, asnjëherë ushtar e mbi të gjitha i neveritur nga radhat. Si ti, edhe unë malësor me vese e virtyte aspak frikacak! Te fala nga Washingtoni!

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?