Ajazi: Ata që i bënë lëmsh pronat, flasin për “zbatimin e ligjit”

19 Shtator 2019, 20:07
  • Share

Dy përfaqësuesit e ish-opozitës së vjetër parlamentare Oerd Bylykbashi dhe Jorida Tabaku janë takuar dje në mesditë me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias dhe kanë diskutuar për “pronat e shqiptarëve”, për ligjin e ri, dhe kanë bërë madje edhe komentet e tyre.

Dyshja e Lulzimit, ka diskutuar dhe ka dhënë edhe deklaratë për mediat pas daljes nga takimi me Komisionin e Venecias, nga ku kanë shprehur “gatishmërinë dhe kundërshtinë e tyre për ligjin e ri për pronat”. Mjafton ti dëgjosh eksponentët e SHQUP-it, tek flasin për pronat, mjafton të dëgjosh edhe Lulzimin dhe Doktorin e tij, tek flasin për “pronat e shqiptarëve” apo dhe për “grabitjen nga oligarkët” dhe do të bindesh se kush e nxiti dhe zbatoi rrumpallën dhe shkeljet ligjore me pronat e ligjshme të këtij populli.

Do të bindesh sa kriminal ka qenë ligji famëkeq 7501, që ka mbi 25 vjet që ka futur në hasmëri shqiptarët, do të bindesh se ata që sa ishin në pushtet nuk lanë truall dhe pronë të ligjshme pa tjetërsuar në Hiporeka dhe KKP, sot dalin dhe hiqen si “burra të mirë” që mendojnë për “pronat e shqiptarëve”. ata që hartuan dhe zbatuan qëllimisht ligjin e zi 7501, ata që sorrollatën dhe vdiqën sallave dhe korridoreve të gjykatave ish-pronarët, që zhvilluan me qindra seanca gjyqsore dhe nuk fituan asnjëherë pronën e ligjshme, sot dalin dhe bëjnë moralistin.

Partia Demokratike dhe eksponentët e saj, as thjesht sa për formalitet, nuk duhej të takoheshin me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias për të diskutuar për pronat. Ata dhe vetëm ata, nuk kanë të drejtën morale sot të shprehen dhe të kërkojnë “të drejtën e pronës” për shqiptarëve. Janë mbi 12 mijë ish-pronarë të mëdhenj dhe të mesëm që janë dhunuar verbalisht dhe fizikisht nga komisionerët e pronave në gjithë vendin, që u janë marrë pronat brutalisht nga të ardhurit dhe militantët, me vetëm një letër të lëshuar nga ish-ministrat, ish-deputetët dhe ish-drejtuesit e Partisë Demokratike në 2 dekada e gjysëm.

Eshtë e vetmja parti politike në Shqipëri, që edhe pse gjithmonë shprehet se “jemi me ish-pronarët, jemi me zbatimin e ligjit”, vazhdimisht i ka zhvatur , persekutuar dhe denigruar ata. U ka marrë pronën, u ka marrë erëzin, u ka marrë nderin dhe jetën, duke i shpronësuar edhe në demokraci, dhe duke i detyruar ti drejtohen Strasburgut. U ka marrë qindra e mijëra hektare troje dhe i kanë blerë dhe shitur, apo dhe ngritur bizneset e tyre, sikur ti kishin pronat e stërgjyshit. Ata që sot ftojnë ish-pronarët, të bëhen pjesë e protestave, janë hipokritët dhe zhvatësit e tyre. Mjafton të shkosh në gjykatat e vendit, të marrësh statistikat zyrtare dhe do të bindesh sa picirre kanë hequr ish-pronarët e këtij vendi nga ish-opozitarët e vjetër moralistë. 

Do të bindesh sa kriminal dhe i qëllimshëm, ka qenë ligji famëkeq 7501, i hartuar dhe zbatuar nga PD, me sa pasoja negative dhe katastrofale ka qenë ai për të ardhmen e shqiptarëve. Bylykbashi dhe Tabaku, duhej të kishin kërkuar “ndjesë publike” edhe para komisionerëve të Venecias, për katrahurën e tmerrshme që Partia Demokratike dhe eksponentët e saj në ish-qeveri dhe Parlament, i bënë shqiptarëve me pronat e tyre të ligjshme. Do të ishte në nderin e tyre të mungonin në takim me komisionerët e Venecias, të paktën për ligjin e ri të pronave, ashtu siç do të ishte në modestinë e tyre, të falenderonin këtë qeveri dhe zotin Rama, për iniciativën sublime për të ndrequr të paktën diçka ose gjithçka, me ligjin e ri për pronat, si një kusht vendimtar nga KE për Shqipërinë Europiane.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?