Ajazi: Ilir, je kryetar shteti apo kryetar opozite?

6 Gusht 2019, 20:56| Përditesimi: 6 Gusht 2019, 20:59

  • Share

Tashmë nuk ka asnjë dyshim, asnjë dilemë, asnjë hamendësim, Ilir Meta ka vendosur të jetë jo vetëm zëdhënësi i opozitarizmit të vjetëruar në Shqipëri, por ai po pergatitet të jetë një ditë, edhe kryetar i saj. Planin ndoshta e ka gati, por pa e diskutuar kurrë me Lulzim Bashën, të cilin e shikon si “lojtar të djegur” tashmë.

Hedhja tutje e “mantelit” të kreut të shtetit, të njeriut “mbi palët” të njeriut që “shikon vetëm zbatimin e ligjit dhe jo anësitë politike”, e kanë kthyer Ilir Metën në pretendentin kryesor të fronit të kreut të opozitës. Parashikimet flasin për një luftë të ashpër që ka gjasa të nisë ditët e para të shtatorit, mes Lulzim Bashës dhe kreut të shtetit, ndërkohë që mbetet ende enigmatik roli i Doktorit.

Por deri atëhere do të rrjedhin edhe shumë “lumenj” deklaratash, paralajmërimesh, akuzash,përplasjesh, joshjesh, në distancë mes tij dhe kryeministrit, pa harruar Lulzimin, të cilin e shikon si “kafshatë” të lehtë politike. Kjo për faktin sepse kryetarit të PD, i janë zbutur dhe dobësuar maksimalisht pozitat brënda partisë tij, nga humbja e shumë betejave politike dhe elektorale.

Por duke u rikthyer tek Ilir Meta, tek roli i tij aspak komod për zbutjen dhe zgjidhjen e krizës, arrin në konkluzionin se, ai ka qenë zgjedhja më e gabuar e kësaj shumice qeverisëse.

Tashmë Meta ka dalë hapur fare, ka hyrë “vrullshëm” në rolin dhe pozicionin e tij tragjikomik të “opozitaristit” duke sfiduar live Lulzimin, dhe duke i bërë “alpinistin” edhe kryeministrit Rama.

Në momentet kur Shqipëria ka më shumë se kurrë nevojë për burrin dhe kreun e shtetit, për njeriun që duhej të ishte mbi palët, për të lehtësuar dhe zgjidhur krizën e tejzgjatur politike, ajo vuan mungesën e tij.

Në momentet kur Shqipëria ka më shumë se kurrë, nevojë për afrimin e sinqertë dhe korrekt të ndihmës institucionale të kreut të shtetit, ky i fundit ka dalë nga “shinat” e Presidencës, dhe ka marrë yryshin drejt politikës së rrugës, duke harruar me dashje gjithçka institucinale dhe ligjore.

Duke bërë herë të “fortin” herë “malësorin”, herë “negociatorin” dhe herë “politikanin opozitar”, duke mbrojtur gjithnjë në çdo rast, ata që shkelnin ligjin dhe dhunonin institucionet, roli i Ilir Metës si kreu i shtetit në fakt ka mbi 1 vit që është kompromentuar rëndë.

Duke e mohuar vazhdimisht faktin se “nuk jam me asnjë krah politik”, porse nga ana tjetër merrte në mbrojtje kapuçonët e protestave të Lulzimit dhe Monikës, duke sfiduar dhe akuzuar Policinë e Shtetit, Kryeministrinë dhe Parlamentin (madje duke sulmuar edhe ndërkombëtarët) roli i Ilir Metës në fakt ka qenë më tepër se negativ në krye të Presidencës.

I rrethuar nga amalgamë të paditurish, dhe të pagdhendurish, duke qenë i bindur se “Rama do të thyhet lehtë”, ai ende po ngulmon në rrugën e tij donkishoteske, duke bërë herë “abrazivin” dhe herë “dorështririn” për zgjidhjen e krizës.

Por fatmirësisht , zgjidhja e krizës politike në Shqipëri nuk ka qenë, dhe nuk është në dorën e Metës, edhe pse ai ka vendosur të “blejë” aksionet e kreut të opozitës nga një dështak politik si Lulzim Basha. Gjithsesi Metës i duhet të ndajë mëndjen para shtatorit, është kreu i shtetit, apo kreu “në mëgrim” i opozitës së vjetëruar, pasi koha padyshim nuk punon më për të, tik-taket e tij tashmë janë ndalur qysh në 30 qershor 2019./ Tema

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?