Lulzim Basha

Ajazi: Lulzim, ti nuk bën dot revolucion popullor

11 Gusht 2019, 22:19| Përditesimi: 11 Gusht 2019, 22:22

  • Share

Kreu i opozitës së vjetër Lulzim Basha, deklaroi në aktivin e strukturave të PD në Mallakastër se “kapja me dhunë, thyerja e dyerve, uzurpimi i selive të pushtetit vendor nga bandat e Ramës është e paligjshme, ndaj popullit sovran i lind e drejta t’i përgjigjet këtij pushteti me të njëjtat mënyra dhe të mbrojë me të njëjtat mënyra kushtetutën dhe ligjin, me të gjitha format, mjetet dhe mënyrat që i gjykon të përshtatshme për të rivendosur demokracinë dhe drejtësinë”. Pra kryetari PD, po i rikthehet edhe njëherë avazit me “revolucion popullor”.

Ka të paktën 4 apo 5 shtatorë, që Lulzim Basha u bën thirrje shqiptarëve “të çdo krahu politik” të ngrihen dhe të rrëzojnë qeverinë e ligjshme Rama.

Pra të ngrihen të rrëzojnë Ramën dhe të vijë Basha. Aksion më qesharak opozitarist, nuk ka dëgjuar bota e përparuar demokratike, e cila marrjen e pushtetit e zgjidh vetëm me votën e lirë. Por Lulzim Basha gjithmonë kur vjen shtatori, e ka fiksim, kërkon datën dhe ditën e “fillimit të revolucionit popullor”, për të deklaruar “marrjen e pushtetit nga Rama”. Lulzim ti nuk e bën dot revolucionin popullor, madje edhe sikur Doktori ta marrë sërish PD, edhe pse de facto, ai e drejton edhe sot atë.

Nuk e bën dot revolucionin, sepse nuk ke parti, nuk ke njerëz, nuk ke struktura, nuk je i besueshëm, nuk ke mbështetje as nga aleatët e tu, së fundi edhe nga ndërkombëtarët, nuk ke fituar qoftë edhe njëherë të vetme zgjedhje në parti dhe jashtë saj.

Nuk e bën dot revolucionin, sepse nuk të binden edhe ata që dolën në mitingjet e fundit dhe ushtruan dhunë pasi u premtove se “do të marrim pushtetin”.

Tashmë duke përdorur argumentin se “u zaptuan bashkitë”, edhe pse ti dogje mandatet, edhe pse ti me ndërgjegje të plotë nuk more pjesë në zgjedhje, kërkon të ringresh shqiptarët në “revolucion popullor”. Madje po mundohesh tu tregosh edhe rrugët atyre, kryesisht ato të dhunës, pasi rrugën tjetër , atë me votën e lirë, ti nuk e qas fare në PD.

Duke u premtuar atyre dhjetra ndjekësve të PD në Mallakastër (edhe pse e di fare mirë se atje ka shumicë të majtë) se “sapo të vijmë në pushtet ne, do të ndëshkojmë këdo ka shkelur ligjin”, në fakt duhet të kesh parasysh edhe faktin, se të parët që duhet të jenë para ligjit, janë edhe ish-kryetarët e bashkive të PD, apo dhe ish-ministrat e oborrit tënd. Në rast se nuk bën dallime, hallall të qoftë.

Por druhem se zbatimin e ligjit e ke seriozisht zoti Basha, sepse nuk rezulton se ka ndodhur gjithmonë kështu edhe gjatë kohës kur në pushtet ishte PD, dhe ligji shkelej me dy këmbët sapo vinte një sms nga “lart” apo sapo i binte celulari ndonjë prokurori apo gjyqtari, dhe në ekran i shfaqej emri i “X” apo “Y”.

Pra të kërkosh zbatimin e ligjit, të kërkosh revolucionin popullor, të kërkosh suksesin e aksionit opozitarist, dhe aq më tepër të kërkosh rikthimin në pushtet, kur e ke humbur me shumicën e votave të lira të shqiptarëve, duhet të jesh zbatuesi fanatik i ligjit, dhe jo shkelësi i parë i tij.

Pastaj revolucionin popullor, e bëjnë politikanët e pjekur, fjalëpakë dhe veprashumë, dhe jo ata që gjithë ditën e Zotit vetëm flasin, “zbulojnë, akuzojnë, denoncojnë”, premtojnë dhe ….dështojnë dhe nuk fitojnë.

Komento

Komente

  • Haha: 12/08/2019 23:19

    Luli do fitoje ate te Noc Rrokut

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?