Ngjarjet e ditëve të fundit, afrimi i tetorit, kur KE, do të marrë vendimin për Shqipërinë lidhur me negociatat e anëtarësimit, ka rritur tonin e thirrjeve të BE ndaj Partisë Demokratike, për uljen në tryezën e bisedimeve të palëve politike, dhe gjetjen e një kompromisi për daljen nga kriza e cila vazhdon prej mbi 7 muajsh.
Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca në daljen e tij para mediave në 13 shtator , ftoi hapur partitë politike “të ulen në dialog për të arritur këtë qëllim dhe shtuar shanset e një vendimi pozitiv nga Brukseli”.
Zoti Soreca ka sugjeruar gjithashtu që “reforma zgjedhore të shërbejë si shtysë për të nisur dialogun institucional me opozitën jashtëparlamentare, duke e quajtur këtë veprim “diçka specifike”. Por ajo që si gjithmonë del kundër “rrymës” dhe kundër gjithçkaje që lidhet me fatet e vendit, ka qenë dhe mbetet Partia Demorkatike, ose ish-opozita e vjetër.
Duke vulosur me turp fatet e veta, duket se PD po tregon hapur miopi ose djallëzi politike, por ka gjasa të jenë të dyja bashkë. Partia Demokratike, që kryeson grupimin e ish- opozitës jashtëparlamentare, nuk ka dhënë dhe nuk jep asnjë shenjë gatishmërie për të filluar dialogun me qeverinë dhe maxhorancën socialiste për reformën zgjedhore.
Thirrjeve të BE dhe faktorit ndërkombëtar, ftesës së kryeministrit Rama, për “bashkëpunim dhe dialog” Lulzim Basha i përgjigjet me paralajmërimin për “rifillimin e protestave antiqeveritare, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme” që sipas tij janë e vetmja rrugë për “daljen nga kriza”. Duke dalë kundër të gjithëve, duke zbatuar verbërisht të gjitha iradetë e Doktorit, duke se Lulzim Basha ka vendosur ta hedhë në greminë partinë e tij.
Kjo për faktin se Partia Demokratike, nuk është kolegjiale, por ajo është partia e Lulzimit dhe e Doktorit, dhe gjithçka vendoset në funksion të interesave të tyre personale dhe familjare. E ndërsa kryetari de jure tregon hapur miopi politike, i dyti kryetari de facto e ka vërtetuar me kohë që udhëhiqet nga djallëzia politike, duke e futur në qorrsokak pa kthim PD.
Refuzimi i deritanishëm i dialogut dhe rikthimi i Lulzimit tek “protestat popullore” e ka pozicionuar PD, në një situatë të vështirë, pasi e ka provuar me “protestat e vjeshtës” të rrëzojë Ramën, dhe nuk ja ka dalë. Mjafton të kujtojmë protestat e dhunshme të muajve shkurt-qershor, apo dhe presionet e Lulzimit për zgjedhjet e 30 qershort, për tu bindur sa e pafuqishme është ish-opozita e vjetër.
Ndërkohë PD-ja e Lulzimit ka sot përballë opozitën e re parlamentare, e gatshme të bashkëpunojë me maxhorancën për reformën zgjedhore. Qëndrimi jashtë sistemit, rrezikon seriozisht mbijetesën politike të ish-opozitës së vjetër. Nga ana tjetër Lulzimi dhe Doktori, janë të vetëdijshëm për këtë rrezik, (miopia dhe djallëzia) e janë në mëdyshje për të zgjedhur “protesta apo dialog dhe marrveshje me Ramën”.
Gjasat janë të fitojë djallëzia politike,(e Doktorit) përballë një miopie të theksuar (të Lulzimit) që kurrë nuk ka qenë në gjendje të drejtojë dhe vendosë mbi fatet e asaj partie, që sot më shumë se kurrë po shuhet bashkë me vajin e kandilit të “plakut Mere”.